Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Bardh Frangu.
Ja cilat janë tri librat që Frangu u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
Kur ndalesh dhe mendon se si t’i veçosh tri librat më të mirë, ndërsa shikon nëpër raftet e bibliotekës, ku shumë nga to tashmë janë zverdhur nga koha dhe janë fryrë nga kalimi dorë më dorë, puna e parë që të bie në mend dhe ta lehtëson këtë është fakti se ndalesh tek ato që i ke lexuar nga dy e më shumë herë.
Nga Bardh Frangu
Nuk e di sa herë i jam kthyer poezive të Lasgushit dhe Reshpjes, fabulave të Ezopit, po shumë herë sigurisht. Edhe brenda kësaj përzgjedhjeje të kufizuar të shfaqet një siklet jo i vogël, sepse nuk janë pak ato, që shkaku i distancës kohore nga leximi i parë, ndjen nevojën t’i lexosh për herë të dytë dhe të ndjesh një kënaqësi edhe më të madhe se ajo e leximit të parë. Megjithatë, për arsye nga më të ndryshmet, pa e zgjatur, po veçoj tri sosh.
“Mjeshtri dhe Margarita” i autorit rus Mihail Bulgakov, është romani që jo vetëm emocionalisht, por edhe profesionalisht më ka provokuar shumë. Mbase edhe vetë historia e këtij romani të vjen si një prolog i veçantë. Bulgakovi kishte punuar mbi dhjetë vjet në këtë roman, gjë të cilën edhe e dëshmon ndërtimi i tij kaq kompleks. Ruajtja e këtij dorëshkrimi që nuk e pa botimin në të gjallë të autorit, por që u lexua në formë ilegale nga miqtë, i takon gruas së tij Elena Shilovska, në të cilën Bullgakovi ishte dashuruar marrëzisht dhe në bazë të së cilës edhe kishte projektuar personazhin e Margaritës. Odisejada e këtij dorëshkrimi ka zgjatur shumë. Fillimisht si i censuruar u botua në vitin 1966, ndërsa versioni i parë i plotë u botua jashtë Rusisë, përkatësisht në Frankfurt të Gjermanisë, në vitin 1969, ndërsa në Rusi, në vitin 1973, përkatësisht 33 vite pas vdekjes së autorit.
Vërtet si strukturë ndërtimi është i jashtëzakonshëm dhe tepër i veçantë. Në të shtrohen shumë dilema etike, morale, filozofike, fantastiko-shkencore që i shërbejnë një konflikti shumë kompleks mes të mirës dhe të keqes, krejt kjo kundruar në zhvillimet e kohës së Rusisë së pas Revolucionit të madh të Tetorit. Prandaj me të drejtë ky roman shpesh është cilësuar si një roman i realizmit fantastik, i një modeli të absurdit, madje i shkruar në kohën kur në Rusi kishte vu bazat e forta realizmi socialist.
Sigurisht që pjesa më domethënëse e romanit është ajo që ka të bëjë me mbindërtimin, përkatësisht me romanin në roman, të cilin e shkruan Mjeshtri, kështu i cilësuar nga Margarita, i cili bën fjalë për Pon Pilatin dhe Krishtin. Në këtë roman personazhet e vërteta jetojnë në një kohë dhe hapësirë që diktohet nga forcat shpirtërore mistike, ndaj aty është satani, janë shtrigat, demonët, por është edhe Margarita me reflektimet e saj mbi një dashuri të zjarrtë.
“Getsbi i Madh” i shkrimtarit amerikan Scott Fitzgerald, si një roman i cilësuar si më i mirë në letërsinë amerikane dhe si njëri nga më të mirët në letërsinë botërore, besoj ka hijeshi t’i qëndrojë përkrah romanit të Bulgakovit, kjo edhe për faktin se kanë shumëçka të përbashkët, mbase jo vetëm misterin si një fenomen që reflekton në kohët e tyre. Që të dy autorët krijuan në të njëjtën kohë, përkatësisht në vitet 20 të shekullit XX. Po ndërsa në Rusinë e Bulgakovit kishte tendencë që njerëzit të bëheshin të barabartë në varfëri, në Amerikën e Fitzgerald, njerëzit kultivonin ëndrra për pasuri të pafundme, madje duke mos zgjedhur mjetet për këtë. Të dy autorët vdiqën në të njëjtin vit. Romanet e të dyve panë dritën disa vite pas vdekjes së tyre. Po edhe në ndërtimin e karaktereve kanë elemente të përbashkëta.
Getsbi është një veteran i Luftës së Parë Botërore, i cili ka arritur të ndërrojë statusin e vetë shoqëror dhe të bëhet i pasur nëpërmjet formave më të pamoralshme. Këtë pasuri, të cilën e shpërfaqë nëpërmjet ndejave të shumta në vilën e tij të madhe, me motivin e vetëm që të mund të përvetësojë zemrën e Dejzit, të cilën e kishte dashur në rininë e tij, por që e cila tashmë ishte e martuar për Tomin. Gjithë rrëfimi udhëhiqet nga personazhi Nik Karranej, një i ri ambicioz, i cili në fakt është edhe kushëriri i Dejzit.
Gjithë romani mbështetet në moton se paraja nuk është kusht për jetë të lumtur. I gjithë kuptimi i kësaj motoje shpërfaqet në varrimin e Getsbit, kur bien maskat, përkatësisht kur të gjithë ikin, bashkë me Dejzin dhe mbetet vetëm Niku para varrit të tij.
Romani, sikundër edhe te “Mjeshtri dhe Margarita”, përmban shumë elemente nga jeta e autorit. Në fakt ky roman reflekton mbi ambiciet e të rinjve amerikan që duan të bëhen të pasur pa zgjedhur mjetet dhe në një mënyrë paraqet në formë realiste jetën e amerikanëve të viteve njëzet, të shekullit të XX, një jetë e mbushur nga jashtë dhe e zbrazët nga brenda. Romanin e përshkon një stil i jashtëzakonshëm, një gjuhë e pasur stilistike dhe një përshkrim mjeshtëror i personazheve dhe situatave.
“Piramida”, roman i Ismail Kadaresë. Nuk e zgjodha vetëm për hir të letërsisë sonë, por jam shumë i bindur se është njëri nga romanet më të mira të letërsisë në përgjithësi, gjë të cilën e theksuan edhe disa kritikë gjerman kur para pak vitesh u përkthye në këtë gjuhë. Ky është një roman, të cilin nuk e di sa herë e kam lexuar, ndërsa e kam dramatizuar njëherë në vitin 1993 dhe njëherë në vitin 2015. Sa i rëndësishëm është dhe sa reflekton në të kaluarën, mbase edhe në të tashmen politike të hapësirave shqiptare, dëshmon më së miri fakti se në realizimin skenik të kësaj vepre në teatrin e qytetit të Ferizajt, pati një keqkuptim të madh. Në vitin 1993 ende ishte i theksuar kulti i Enver Hoxhës. Aktorët një ditë kishin ndërprerë provat shkaku që nuk donin të shfaqnin një pjesë ku të përbuzej kaq ashpër kulti i tij, ndaj unë ndërhyra me faktin se kjo shfaqje i dedikohej dhunës dhe aparatit shtetëror të Millosheviqit, i cili veç kishte shtrirë pushtetin e egër mbi ne. Dhe shfaqja u bë, mbase u shpërblye si më e mira në Festivalin e Teatrove të Kosovës.
Thuhet që Kadare ka lexuar, përkatësisht ka studiuar për piramidat më shumë se një vit. Kjo mbase shihet edhe nga informacioni i dendur për mënyrën e ndërtimit të piramidës dhe kuptimit të saj. Sigurisht që “Piramida” është një metaforë e dhunës. Si në dy pamje të jashtëzakonshme paraqitet edhe koha postpiramidale, përkatësisht shpërfaqja e njeriut të vogël, i cili plaçkitë djersën e vetë të investuar dhunshëm në muret e piramidës. Mbase këto dy pamje përkojnë shumë me realitetin në Shqipëri, gjë që edhe ishte qëllimi i autorit. Më në fund, vetë shteti, përkatësisht pushteti është sinonim i dhunës. Prandaj faraonët si Keopsi vazhdojnë të shpërfaqen nëpër të gjitha kohët, në forma dhe variante nga më të ndryshmet, duke rritur shkëlqimin e tyre nëpërmjet shkatërrimit të mirëqenies së përgjithshme. Nëse piramidat janë një mrekulli arkitektonike, romani i Kadaresë paraqet një mrekulli letrare. / ObserverKult