Viti i ri akademik do ta gjejë Universitetin e Prishtinës, me rektor të ri. I zgjedhur në gusht të këtij viti, Naser Sahiti thotë se do të mundohet që ta rrisë edhe më shumë cilësinë e arsimit në këtë institucion.
Sahiti thotë se në rend të parë do të jetë pranimi i studentëve të rinj, teksa shpreh i bindur se çështjet e mbetura pezull do të kryhen me kohë.
“Viti akademik sipas kalendarit fillon me 1 tetor të këtij viti. Përgatitjet e mia janë më shumë me ekipin, me të cilin kam qëllim të menaxhoj UP-në nga 1 tetori e tutje”.
“Ndërsa pjesa tjetër e përgatitjeve i takon menaxhmentit aktual të cilët do të jenë në zyrë deri me 1 tetor. Prandaj çështja se si do të fillojë viti i ri akademik nga momenti kur ne e marrim varet shumë nga ajo sesa menaxhmenti aktual i kanë përfunduar detyrat ashtu qysh ju takon me shumë përgjegjësi”, tha Sahiti për Ekonomia Online.
“Këtu në rend të parë e kam çështjen e studentëve. Praktikisht duhet të realizohet konkursi me studentë. Pranimi i studentëve, por edhe të përmbyllen konkurset të cilat janë në vijim e sipër, sepse ne pastaj do të ndodhemi në një pozitë të vështirë posa ta marrim mandatin të merremi me çështje që është dashur të kryhen në të kaluarën”.
Sipas tij, prioritet i programit do të jetë plani strategjik i miratuar nga Këshilli Drejtues, i cili ka të bëjë me përmasimin e procesit mësimor të mësimdhënies dhe mësimnxënies, përmirësimin e cilësisë së studimeve dhe rritjen e punës kërkimore.
“Prioritet e programit tim lidhen me planin strategjik të miratuara nga Këshilli Drejtues. Ajo është korniza menaxhuese e Universiteti të Prishtinës”.
“Prandaj të gjitha prioritet janë në bazë të këtij program dhe kanë të bëjnë me përmasimin e procesit mësimor të mësimdhënies dhe mësimnxënies, përmasimin e cilësisë së studimeve, rritjen e punës kërkimore pastaj përmasimin e infrastrukturës, transparencën maksimale kur është fjala te shpenzimi i buxhetit dhe procedurat e prokurimit”, u shpreh ai.
Ai shtoi se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë të ketë ndërhyrje politike në UP.
“Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë të ketë ndërhyrje politike në UP. Në procesin e vendimmarrjes nën menaxhimin tim në asnjë mënyrë nuk do të lejohet ndërhyrja politike. Kjo nuk nënkupton që nuk do të bashkëpunojmë me institucionet, por jo të ketë ndërhyrje politike”.
Mes tjerash, ai tha se çështja e avancimit ka qenë një problem i madh deri para tre, katër vjetësh.
Madje, sipas Sahitit cilësia e arsimit nuk është në nivelit të dëshiruar, duke theksuar se ende ka hapësirë për përmasime, sidomos sa i përket çështjes së plagjiaturës.
“Çështja e avancimit ka qenë një problem i madh deri para tre, katër vjetësh. Në atë periudhë kam qenë edhe prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve dhe kemi arritur të nxjerrim rregullore ku i adresojmë platformat të cilat lejohet që të publikojë stafi akademik edhe aty ku nuk është mirë të gjinden punimet që çështja të tejkalohet dhe një çështje të tillë veç e kemi zbatuar”, tha Sahiti.
“Nuk është e mundur që çdo gjë është përmirësuar menjëherë por jemi në rrugë të mbarë që ato dukuri të evitohen. Cilësia e arsimit nuk është e nivelit të dëshiruar. Aty ka hapësirë çdoherë për përmasime. Tash duhet të shikojmë që përfundimisht ta adresojmë çështjen e plagjiatit, sidomos kur janë në pyetje temat e studentëve bachelor e master”.
Madje ai tha se do të kërkojnë nga studentët dhe mentorët angazhim më të madh që të parandalohet kjo dukuri.
Një prej mundësive të para, sipas tij, është që stafi akademik të përqendrohet më shumë në punën akademike.
“Sigurisht që do të jetë një temë që do të adresohet, por duhet të ndalemi edhe tek studentët të kërkojmë angazhim më të madh të mentorëve dhe në start të parandalohet kjo dukuri. Një prej mundësive të para është që stafi akademik të përqendrohet më shumë në punën akademike”.
“Kjo nënkupton që do të jemi shumë rigoroz në pengimin e stafit të punojë jashtë UP-së nëse bie ndesh me rregulloret në fuqi”.
“Ky është një hap fillestar, hapat të tjerë janë rritja e bashkëpunimit të UP-së me ekonominë dhe institucionet në mënyrë që studentëve tu ofrohet më shumë punë praktike. Të gjitha këto ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së studimeve”, u shpreh Sahiti.