Rënia e Babilonisë, është një ngjarje historike që ndodhi në vitin 539 Para Erës Sonë. Kjo ngjarje pa pushtimin e Babilonisë nga Perandoria Akamenide e Kirit të Madh, dhe shënoi fundin e Perandorisë Neo-Babiblonase. Rënia e Babilonisë, raportohet nga një numër burimesh të lashta, duke përfshirë Kir Cilindrin, historianin grek Herodoti, si dhe një numër librash në Dhiatën e Vjetër.
Rritja e jashtëzakonshme para shkatërrimit të Babilonisë
Qyteti i Babilonisë ndodhet në Irakun e sotëm, dhe historia e tij nisi në mijëvjeçarin e tretë Para Erës Sonë, kur ishte një qytet-port i vogël buzë lumit Eufrat. Asokohe, Babilonia ishte pjesë e Perandorisë Akadiane. Me kalimin e kohës, qyteti do të rritej dhe shndërrohej në një nga qytetet më të rëndësishme të Mesopotamisë së lashtë.
Gjatë shekullit XVIII Para Erës Sonë, Babilonia u bë një fuqi e madhe në rajon, nën sundimin e mbretit Amorit, Hamurabit. Megjithatë Perandoria e Parë Babilonase ishte jetëshkurtër, pasi ajo ra shumë shpejt nën sundimin e të huajve, duke përfshirë Hititët, Kasitët dhe Asirianët.
Shkatërrimi i Perandorisë Neo-Asiriane
Pas vdekjes së Asurbanipalit rreth vitit 627 P.E.S, në Perandorinë Neo-Asiriane shpërtheu lufta civile, duke shkaktuar dobësimin e saj. Shumë nënshtetas të Perandorisë Neo-Asiriane, shfrytëzuan rastin për t’u revoltuar. Njëri prej tyre ishte një shef kaldeas me emrin Nabukodonosor, i cili formoi një aleancë me Medët, Persët, Skithët dhe Kimerianët. Ky koalicion pati sukses në shkatërrimin e Perandorisë Neo-Asiriane.
Lindja e Perandorisë Neo-Babilonase
Duke fituar pavarësinë nga asirianët, Nabukodonosori themeloi Perandorinë Neo-Babilonase, me Babiloninë si kryeqytetin e saj. Perandoria arriti kulmin e fuqisë dhe zhvillimit gjatë sundimit të Nabukodonosorit II, i cili pasoi Nabokudonosorin I rreth vitit 605 Para Erës Sonë. Gjatë mbretërimit të Nabukodonosorit, që zgjati deri në vitin 562 PE.S, Perandoria Neo-Babilonase kishte në kontroll Babiloninë, Asirinë, pjesë të Azisë së Vogël, Fenikinë, Izraelin dhe Arabinë Veriore.
Si u shemb Babilonia – A ndikoi “rregulli i Nabonidit” në shkatërrimin e Babilonisë?
Mbretërit që pasuan Nabukodonosorin II, qenë shumë më pak të aftë se ai, dhe patën mbretërime të shkurtra. Në dekadën që pasoi vdekjen e Nabukodonosorit II, Perandoria Neo-Babilonase pati 4 sundimtarë të ndryshëm, ku i fundit ishte Nabonidi, që mbretëroi nga viti 556 deri në rënien e Babilonisë në vitin 539 P.E.S.
Nabonidi mbretëroi gjithsej 17 vjet, dhe mbahet mend për rivendosjen e traditave të lashta arkitektonike dhe kulturore të rajonit, duke fituar kështu pseudonimin “mbreti arkeolog” midis historianëve të ditëve të sotme. Sidoqoftë, ai ishte shumë antipatik për nënshtetasit e tij, sidomos për priftërinjtë e Mardukut, qëkur kishte shtypur kultin e Mardukut, Zotit mbrojtës të Babilonisë, në favor të Zotit të hënës Sin.
Kur ra Babilonia?
Ndërkohë, mbretëria e Persisë në lindje po rritej ndjeshem në fuqinë e saj, nën udhëheqjen e Kirit të Madh. Në vitin 549, medët u mposhtën nga persët, të cilët vazhduan më pas të pushtonin territoret përreth Babilonisë. Në fund, në vitin 539 P.E.S, vetë qyteti i Babilonisë u pushtua nga persët.
Rënia e Babilonisë, shënoi fundin e Perandorisë Neo-Babilonase. Ngjarja tejet e rëndësishme, është regjistruar nga një numër historianësh të lashtë, edhe pse për shkak të mospërputhjeve, është e vështirë të rindërtohen ngjarjet që ndodhën. Shkrimtarët grekë Herodoti dhe Kseonofoni, raportojnë se Babilonia ra pasi u rrethua.
Nga ana tjetër, Kir Cilindri dhe Kronika e Nabonidit (që është pjesë e kronikave babilonase) pohojnë se Babilonia u pushtua nga persët pa luftë. Për më tepër, Kir Cilindri e paraqet mbretin pers si të zgjedhur nga Marduk për të pushtuar Babiloninë.
Çfarë historie na tregon Profecia e Rënies së Babilonisë?
Së fundmi, rënia e Babilonisë është e rëndësishme për historinë biblike, sikurse është përmendur në një numër librash në Dhjatën e Vjetër. Në Librin e Isaisë, rrëfehet një tregim i ngjashëm me atë që gjendet tek Kir Cilindri. Në vend të Mardukut, ishte Perëndia i Izraelit ai që zgjodhi Kirin.
Pas rënies së Babilonisë, hebrenjtë, që kishin mërguar që nga nënshtrimi i tyre nga ana e Nabukodonosorit II, u lejuan të riktheheshin në shtëpi.
Në një libër tjetër, Libri i Danielit, rënia e Babilonisë tashmë ishte profetizuar, se do të ndodhte gjatë sundimit të Nabukodonosorit II. Sipas këtij libri mbreti pa një natë një ëndërr, në të cilën iu shfaq një statujë me një kokë prej ari, gjinjtë dhe krahë argjendi, barkun dhe kofshët prej bronzi, dhe këmbët prej hekuri të përzier me argjilë.
Statuja u shkatërrua nga një shkëmb, i cili më pas u shndërrua në një mal që zuri mbushte tërë tokën. Interpretimi i ëndrrës së mbretit nga profeti Daniel, ishte se statuja përfaqësonte 4 mbretëri të njëpasnjëshme, e para prej të cilave ishte Perandoria Neo-Babilonase, dhe që të gjitha do të shkatërroheshin nga Mbretëria e Zotit./“Ancient Origins” – Bota.al