“Reset the World”- kënga që vë në pah fuqinë e muzikës rock në Kosovë

“Reset the World” titullohet kënga që ka bërë bashkë ata të cilët janë të patejkalueshëm kur përmendet rock-skena vendore e më gjerë.

Brenda 6 minutave e 44 sekondash fjalën kryesore e ka “metali”, ani pse sub-zhanret vijnë si mëlmesa nga 18 muzikantët që janë bërë bashkë në projekt. Dallohen elemente nga “Metal-Core”, “Death”, “Hardcore”, “Alternativ-Rock”, “Heavy Metal” , “Stoner rock” e të ngjashme. Meloditë që përplasen me përpikëri me njëra-tjetrën nisin me tingujt në kitarë të Kombëtar Uskanës, pjesa tjetër është një vazhdim i udhëtimit nëpër tinguj të pionierëve të rokut në Kosovë e deri te muzikantët e rinj që eksperimentojnë goxha shumë. Ani pse kanë luajtur në distancë nga njëri-tjetri për shkak të masave që janë në fuqi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, tingujt vijnë harmonishëm e në një linjë, raporton ‘Koha.net’. 

Kitaristit Kombëtar Uskana, që e nisi karrierën muzikore në vitin 2001 si kitarist dhe tekstshkrues për grupin e zhanrit metal “Diadema”, shumë shpejt i bashkohet kitaristi Arbnor Gashi, që po ashtu është pjesë e grupit “Didema” dhe pastaj bateristi Granit Havolli, i cili së fundmi po realizon muzikë me grupin “Sytë” të njohur për stilin e tyre pop të përzier me melodi funky. Kitaristi Galdon Reçica, i cili është pjesë e bendit “Frisson”, e vazhdon pjesën duke i shtuar kompozicionit elemente të tij. Stili i grupit “Frisson” veçohet brenda kompozicionit edhe përmes tingujve në bateri nga Lum Havolli, që po ashtu është pjesë e këtij grupi dhe luan në këngën “Reset the World”. Pasi që kalon gjysma e minutës së parë, Florent Bajrami a.k.a “Flokqi” fillon të luajë në kitarë. Mjeshtëria e tij dallohet lehtë dhe është emër që nuk kishte si të mungonte në këtë projekt, kur dihet se zhanret të cilat ai i luan janë “Heavy Metal”, “Power Metal”, “Thrash” dhe “Hardcore”.