Restaurohet dhe rishfaqet për publikun filmi “Vdekja e kalit”

Në kuadër të projektit të restaurimeve të veprave kinematografike shqiptare për cilësi të figurës por edhe të zërit, së fundmi është restauruar edhe filmi i mirënjohur shqiptar “Vdekja e Kalit”.

Filmi mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafa dhe është realizuar më 1992. Është prodhim i AlbaFilm Studio. Timo Flloko, Rajmonda Bulku dhe Tinka Kurti janë aktorët të cilët interpretojnë në mënyrë të shkëlqyer në këtë film.

Për shkak të restaurimit dhe përfitimit të një cilësie maksimale, ky film është menduar që të rishfaqet edhe një herë tjetër për publikun, por tashmë me këtë cilësi maksimale.

Duke filluar që nga mbrëmja e djeshme dhe për një javë rresht filmi do vijojë të shfaqet në kanalin zyrtar të YouTube të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Nga data 19 deri më 26 maj publiku dhe artdashësit do të kenë mundësinë që ta shohin këtë film falas pa asnjë lloj pagese. Meqënëse publiku mund të jetë edhe ndërkombëtar, është menduar edhe shoqërimi i tij me titra në anglisht.

Restaurimi dhe prezantimi i filmit “Vdekja e kalit” (The Death of a Horse) u mundësua falë programit sezoni i filmave klasikë (A Season of Classic Films), nismë e Shoqatës së Kinematekave Evropiane – ACE (Association des Cinémathèques Européennes) ku AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA. Gjithashtu filmi u restaurua falë punës së ekspertit izraelit të restaurimit Shai Drori, dhe kineastit Australian, Steven Kastrissios.

Skenari bën fjalë për vitin 1975 kur një gjeneral i njohur i ushtrisë shqiptare, i cili kishte ngritur fermën e parë të kuajve në Shqipëri, u dënua me vdekje për grushtin e shtetit “puçist”. Pas dënimit të të gjithë të implikuarve në grushtin e shtetit, kalohet në zhdukjen e çdo lloj vepre për të cilën mund të mbajnë meritë “puçistët”. Kjo shënon fillimin e ekzekutimit të kuajve. Bëhet fjalë për kuajt e racës Arba.

Agroni (protagonisti) shpëton një kalë dhe për këtë dënohet nga gjyqi ushtarak. Pas kësaj jeta e tij fillon të copëtohet. E shoqja, nën presionin e prindërve dhe motrës, kërkon divorcin dhe aborton fëmijën që priste. Për pasojë vdes nga një hemorragji, pasi aborti ishte kryer në mënyrë klandestine. Mbas përmbysjes së sistemit, të dënuarit politikë lirohen dhe Agroni, të cilin nuk e pret askush te dera kangjella e burgut, kërkon prindërit në shtëpinë ku banonin por mëson se i kanë internuar menjëherë pas dënimit të tij. Më në fund takon “xhelatin” e tij, që në sistemin e ri ka bërë përsëri karrierë dhe është zgjedhur deputet.

Filmi mbyllet me protagonistin “në rrugë të madhe” dhe antagonistin duke ngjitur shkallët. Ky është filmi i parë shqiptar që ve në dukje anët negative të sistemit komunist për shoqërinë shqiptare. Ai përfaqëson një nga pasqyrimet më realiste të përndjekjes politike gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri.

Ngjarjet e këtij filmi janë xhiruar në Shkodër dhe në Tiranë./ATSH

LEXO EDHE: Filmi shqiptar “Love” rrëmben 6 çmimet kryesore