Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti njoftoi se pas një ndërhyrjeje disamujore, në Laboratorin e Veprave Artit në Muzeun e Ikonografisë “Onufri” përfundoi restaurimi i ikonës “Shën Nikolla me skena nga jeta”, duke shpëtuar nga degradimi.
Kjo ikonë e vitit 1814, e cila i atribuohet Joan Çetirit nga Grabova e Gramshit është pjesë e koleksionit të Muzeut “Onufri” dhe i përket ikonostasit të Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”.
“Tashmë publiku mund të shijojë 13 skenat e ikonës, me ngjyra plot jetë dhe gjithë madhështinë që paraqet ajo”, tha Margariti.
Ky projekt ambicioz vjen në vazhdimësi të restaurimit të shumë ikonave të tjera që i kanë shpëtuar degradimit ndër vite.
Kjo ikonë është e realizuar nga Joan Çetiri që ishte njëri nga vëllezërit e njohur Çetiri së bashku me Gjergj Prend Çetirin. Ata ia trashëguan edhe fëmijëve të tyre Nikollës dhe Naumit dhe të gjithë së bashku kanë realizuar një numër të madh veprash si në kishën e “Shën Nikollës” në Vanaj 1795, kishën e “Shën Thanasit” në Karavasta 1797, kishën e “Shën Marisë” në Bishtqethëm 1798, kishën e “Shën Todrit”, në Kadipashaj 1801, kishën e “Shën Gjergjit” në Strumë 1801 e shumë ikonostase të tjera të cilat vlerësohen si thesare të ikonografisë shqiptare./ATSH