Restaurohet Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, Edi Rama i ka disa fjalë për të

Nga faqja e “Facebook”-ut e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, shkëputëm pamjet e marra rishtas, pas ndërhyrjes në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Rama i komenton, thjesht si copëza bukurie të rimëkëmbura nga duart e mjeshtërve restaurues, falë përkujdesit të të cilëve, ikonat mesjetare i shpëtuan rrënimit apo edhe zhdukjes…

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.

Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj.