Restaurohet xhamia e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës

Ka përfunduar restaurimi i xhamisë Gjin Aleksi në Rusan të Delvinës, monument kulture i kategorisë së parë, duke e shndërruar në një destinacion turistik për vizitorë vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet pas restaurimit të xhamisë duke theksuar se iu rikthye shkëlqimi i harruar dekada me radhë.

“MIRËMËNGJES , dhe me xhaminë e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës, monument kulture i kategorisë së parë, që i rikthyem shkëlqimin e harruar dekada me radhë ju uroj një fundjavë të mbarë!”, shprehet Rama.

Xhamia e Gjin Aleksit është një perlë e arkitekturës, por edhe e trashëgimisë sonë kulturore, për nga stili, shtresëzimet kulturore, pikturat murale dhe historia e saj, një dëshmi e vërtetë e bashkëjetesës kulturore dhe fetare të shqiptarëve.

Ajo është ndërtuar në shekullin 16 mbi rrënojat e një kishe bizantine. Në oborrin e saj gjenden si një kishë ashtu dhe një teqe. Ky monument kulture është i llojit “Arkitekturë” dhe mori statusin në vitin 1963./atsh