Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës kanë nisur punën për përgatitjen dhe botimin e numrit të 57 të revistës shkencore “Arkivat shqiptare”.
Synimi i kësaj reviste është të mbledhë ekspertë dhe studiues të arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët për çdo vit diskutojnë për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionit, si dhe vizionit të punës të arkivave në realitetin e sotëm.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ftojnë studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe, të kontribuojnë në këtë revistë me studime.
Përveç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u bëhet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Afati i dërgimit të artikujve është data 3 shtator 2021 dhe për të gjithë artikujt e pranuar do të dërgohet e-mail më 17 shtator 2021.
Temat e propozuara:
– Crowd sourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara nga përdoruesit
– Automatizimi i arkivave dhe etika
– Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave
– Risitë digjitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit
– Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin
– Trashëgimia arkivore e përbashkët përtej kufijve gjeografikë
– Arkivat, përgjegjësia, qasja në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale
– Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore
– Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare
– Etika dhe arkivat
– Ndryshimet klimaterike dhe arkivat
– Trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional
– Turizmi dhe promovimi i arkivave.
Në artikujt duhen respektuar kritere të cilat gjenden në adresat www.chicagomanualofstyle.org, ose për me tepër informacion dhe specifika të tjera mund të shihni faqen zyrtare www.arkiva.gov.al./ATSH
LEXO EDHE: Çfarë fshehin arkivat e Vatikanit?