Nga Florian Binaj
Një gjë që më bën përshtypje sidomos vitet e fundit, është që sado numri i artistëve është shtuar jashtë mase shumë, cilësia e artit ka rënë përtokë…
Normalisht duhej të ishte e kundërta, por kur sheh që të shumtë janë ata që vetëquhen artistë pastaj bëjnë këngën e parë, vetëquhen artistë pastaj bëjnë pikturën e parë, vetëquhen artistë dhe s’kanë bërë e s’bëjnë asgjë…
Për të mos folur për të qenurit VIP, sot VIP-a janë të gjithë, madje ata që ikin emigrojnë janë shqiptarë ndërsa atë që mbeten janë VIP-tare!
Sot, fatkeqësisht, jetojmë në kohën ku klikimet shiten si cilësi, K-të shiten si pëlqime, sharet shiten si arritje e duartrokitje ndërsa vithet, gjinjtë dhe lakuriqësia si talent…
Por ndalemi pak tek K-të në rrjetet sociale, janë bërë fiksimi i çdo personi, sa K do marr, sa K do kap, sa K do shes… sa K ke në Instagram, sa K ke në Facebook dhe sa K ke në Tik Tok… Madje sa më budalla të jesh aq më shumë ecën në Tik Tok saqë unë e quaj TiK Toç …
Mund të mos kesh bërë asgjë në jetë por nëse ke shumë K, ti je artist, ti je VIP, ti je mret!!!!
Nëse Vaçe Zela, do ishte sot këngëtare, do kishte as do i kishte 15 K dhe ata që organizojnë koncerte do thonin: E mirë e mirë por ka pak K…shife këtë tjetrën, ka 1 M.
Nëse dikur në Shqipëri vinin grupe dhe artistët më në zë të kohës, Albano dhe Romina Power, Dj Bobo, Scorpions, Deep Purple, White Snake, The Eagle, Bonie M, Armin Van Buuren, Tiesto etj…
Sot aktivitete të tilla janë të rralla dhe po zëvendësohen me këngëtarë grekë që mbushin stadiumet për fat të keq më shumë sesa artistët e mbetur shqiptarë…sepse fal uljes së cilësisë së artistëve dhe artit, populli do e gjejë veten diku tjetër…
Dhe meqë jemi tek stadiumi, nuk mjaftuan as 33 vite pas komunizëm, as miliarda euro të vjedhura e të çuara dëm këto 3 dekada që të bëhej një teatër gjigant dhe mbresëlënës.
Pra, pa e prishur atë të voglin atë italianin që i jepte alergji dhe aritmi KM dhe shpurës së servilëve të tij, ku në këtë teatër gjigant, të jepeshin shfaqje të mëdha dhe mos të bëhej ‘Notre Dame’ në stadium ku ata që paguan më shtrenjtë se ishin afër nuk panë asgjë se ishin poshtë, ata që paguan më pak nuk panë asgjë se ishin larg…
Për cilët artistë na duhet Teatri? Për ata që shiten sikur janë e s’janë? Për ata që janë por shiten? Apo për ata që janë por nuk shiten?
Ç’e duam teatrin, muzikën, pikturën, baletin, poezinë, librat, filmat, çi duam edhe artistët edhe artin??? Po ne kemi Tik Tokun! Ne kemi parlamentin, ne kemi ministrat, drejtorët qeveritë…
Arti sot nga një frymë që orienton shijet e kombit e ushqen zemrat dhe shpirtin e tij, arti dhe artistët janë përçarë dhe janë kthyer në një varëse që e vë në qafë partia në pushtet dhe byzylyk që i vë në kyç partia në opozitë.
Ndërsa ata që nuk janë as me qeverinë e as me opozitën, thjesht vënë vath në vesh e rrinë e shohin me dëshpërim ndërsa populli i shkretë, do hajë atë që i shërbehet…
Kur inteligjenca artificiale ose në shqip, zgjuarsia jo e vërtetë, të jetë në majën e saj dhe në çdo celular, mos u habisni kur secili prej nesh të ketë një artist në xhep, po ne që i mbajmë në xhep, çfarë do quhemi?/vjosa.net
ObserverKult
Lexo edhe:
“LIBËR QË NUK E BLEN ASKUSH”, FLORJAN BINAJ “SULMON” HAPUR ERMAL MAMAQIN
Mbrëmjen e djeshme në “Zemër Luana” ishte aktori i mirënjohur Florjan Binaj.
Binaj u vendos para një sfide. Sfida ishte krah artistit Bujar Qamili. Në ekran dolën foto personazhesh. Flori duhet të vizatonte diçka që i krahasonte. Ndërsa Qamili duhej t’u dedikonte një këngë.
Teksa në ekran u shfaq fotoja e Ermal Mamaqit, Flori vendosi të pikturonte një libër. Kjo duke “thumbuar” me titullin që i mbivendosi.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult