Drejtpeshimi i brishtë ishte thyer përfundimisht nga një protestë studentore në Pragë më 17 nëntor 1989.
Teksa në sfond ishin ngjarjet e gjëmimshme në qytetet lindore gjermane që kulmuan me rënien e Murit të Berlinit, shtypja brutale e protestave në Pragë solli qindra e mijëra njerëz në rrugë.
Ai që dikur ishte cilësuar si subversiv, ligjërimi mbi demokracinë tashmë po pushtonte hapësirën publike pa çarë kokën për estabilishmentin komunist.
“Si ishte publiku çekosllovak në fund të vitit 1989? Turmat në rrugë shfaqnin një prirje të papritur për realitetin politik të shoqëruar edhe me një humor kreativ. Ata nuk iu nënshtruan djajve të tyre dhe nuk u bënë një turmë plaçkitëse. Tendosjet e mëdha sakaq u shndërruan në një hare të shpenguar – një karnaval revolucioni. Pas vitesh të gjata nën disiplinën totalitare, njerëzit po përjetonin ndjenjën ngadhënjimtare të hapësirës së lirë publike. Trazira disi e penduar e shoqërisë së çliruar do të kontrastonte mprehtësisht me vetëpërmbajtjen e hidhur të realiteteve paskomuniste. Por ëndrra e lirisë, hapësirës së hapur dhe publikut të hapur në fund të 1989-s ishte e fuqishme, drithëruese dhe frymëzuese”.
Me këto fjalë përshkruhej përmbajtja e atyre ngjarjeve që në histori bënë emër si “Revolucioni i kadifenjtë” në shtetin që tashmë s’ekziston, Çekosllovaki.
Mbi 60 fotografi origjinale të ngjarjeve epokale në Pragë dhe Bratislavë, sot kryeqytete të dy shteteve të pavarura, janë shpalosur në ekspozitën me fotografi “The Velvet Revolution”, që u hap mbrëmjen e së mërkurës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në 30-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, Ambasada e Republikës së Çekisë dhe Zyra Ndërlidhëse e Sllovakisë në Prishtinë kanë përkujtuar ngjarjet që i dhanë fund regjimit totalitar në këto vende dhe që përcaktuan vendimtarisht të ardhmen e tyre evropiane.
Plot 60 fotografi origjinale të kohës kanë fiksuar momentet kryesore në historinë çeke dhe sllovake. Fotografët Dana Kundrová, Radek Bajgar, Radovan Boček, Karel Cudlín, Přemysl Hněvkovský, Lubomir Kotek, Jaroslav Kučera, Michal Krunphanzl, Petr Matička, Roman Sejkot, Jan Šibík, Jan Šilpoch, Pavel Štecha, Jiři Všetečka dhe Miroslav Zajíc kanë sjellë shkëputje nga demonstratat kundër regjimit totalitar në vitin 1988, ngjarjet e janarit të vitit 1989, ato të nëntorit të po të njëjtit vit dhe atmosferën e përgjithshme që pasoi ato.
Në ekspozitë ishin të përfshira edhe disa fotografi interesante nga largimi i trupave sovjetike nga Çekosllovakia në vitet 1990-91, që solli përfundimin e Revolucionit të Kadifenjtë.
Në fjalën e tij të hapjes, ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek, ka thënë se ngjarjet e Revolucionit të Kadifenjtë shënuan hapërimin e çekëve dhe sllovakëve drejt lirisë dhe familjes së shteteve demokratike evropiane.
Në fillim në Bratisllavë dhe Pragë, protestat ditore ishin në rritje, ku më e madhja e tyre kishte 800 mijë njerëz. Veçantia kryesore e demonstratave të atyre ditëve ishte vringëllima e çelësave, që paralajmëronte fundin e regjimit të vjetër”, ka thënë ai.
Në vazhdim, Rastislav Kostilník, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, ka përshëndetur të pranishmit teksa ka përshkruar rrjedhojat e ndryshimeve që u nismuan 30 vjet më parë.
Kostilník ka shtuar se liria nuk nënkupton vetëm mundësi të pakufizuara, por edhe një sens të përgjegjësisë.
Ekspozita me fotografi nga ngjarjet çekosllovake do të jetë e hapur për publikun deri më 1 dhjetor./koha