Rexhep Qosja e propozon Zija Çelën për Nobel

zija çela
Zija Çela

Letër e Rexhep Qosjes për Zija Çelën

I dashur Zija,


Gëzuar çmimin me të cilin të nderoi Shoqata që ka një emër shumë të bukur dhe historikisht shumë të rëndësishëm: që ka emrin “Teuta”.
Dëshiroj të jetosh edhe shumë vjet, të kesh shëndet të mirë e t’i gëzosh lexuesit e shumtë me vepra të reja, të shumëvlershme, të shumëkuptimshme e shumë domethënëse si ato për të cilat t’u dhurua “Teuta” e lavdishme.

Më gëzoi ky nderim që Zija Çelës iu bë me çmimin e Shoqatës “Teuta”, që i jepet prej tri shteteve, gjeografinë e të cilave “Teuta”, paraardhësja jonë e lavdishme dikur e zbukuronte me estetikën e saj pamore, e lartësonte kuptimisht me mendjen e saj dhe e njerizonte me sundimin e saj të shënuar me lavdi në histori: që jepet prej Shqipërisë, prej Malit të Zi dhe prej Kosovës dhe të cilin e krijoi me kolegët dhe bashkëmendimtarët e saj intelektualja dhe shkrimtarja e njohur Ajete Beqiraj.

Më gëzoi dhënia e këtij çmimi Zija Çelës si një shkrimtari shumë të çmuar të letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie.
Krijimtaria e tij letrare, eseistike dhe publicistike është një pasuri shpirtërore me mëvetësi e origjinalitet të veçantë shumë e rëndësishme e letërsisë sonë kombëtare.

Vendimi i Jurisë për t’iu dhënë Çmimi “Teuta” shkrimtarit Zija Çela pa dyshim do të ketë qenë shumë i lehtë dhe njëkohësisht shumë i rëndë.
Ishte vendim i lehtë sepse i jepej një shkrimtari të letërsisë shqipe, që adhurohet prej lexuesve dhe që çmohet shumë prej kritikëve dhe historianëve të letërsisë.

Ishte vendim njëkohësisht i rëndë sepse anëtarëve të Jurisë u duhej të lexonin shumë vepra e shkrime të tjera të ndryshme të Zija Çelës.
Krijimtaria e tij është e shumëvëllimshme dhe njëkohësisht e shumëllojshme: ajo përbëhet prej rreth tridhjetë vëllimeve letrare, publicistike dhe eseistike.

Ajo është krijimtari shpirtërore në të cilën është trajtuar e djeshmja dhe e sotmja e shoqërisë shqiptare.

Ajo është krijimtari me një varg romanesh e përmbledhjesh me tregime në të cilat janë trajtuar fate të ndryshme të personazheve dhe protagonistëve të ndryshëm të tyre.

Ajo është krijimtari e disallojshme e shumëaspektore në të cilën me fjalët janë bërë beteja kundër të këqijave politike, shoqërore, morale e kombëtare dhe në të cilën njëkohësisht janë bërë beteja për rëndësinë, kuptimin, figurshmërinë e bukurinë e fjalës.

Ajo është krijimtari në të cilën janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë krijuese të fjalës shqipe dhe në të cilën janë krijuar mundësi të reja kuptimore, domethënëse, të figurshme, artistike, të kësaj fjale.

Qëndrimi ndaj gjuhës është në këtë krijimtari, si ka thënë për gjuhën shkrimtari i shquar Franc Kafka, dashuri deri në vdekje.
Krijimtaria letrare e Zija Çelës është krijimtari në të cilën janë të ngjeshura fjalët dhe në të cilën janë larghedhëse mendimet.

Ngjeshja, dendësia, thukëtia semantike e shprehjes i ka dhënë mundësi të mëdha thellësisë së mendimeve e meditimeve të Zija Çelës.
Për të gjitha këto vlera dhe për vlerat e tjera që do t’i theksojnë anëtarët e Jurisë të cilët do ta arsyetojnë vendimin e tyre për t’iu dhënë Çmimi i Shoqatës “Teuta” Zija Çelës, e quaj të arsyeshëm propozimin që do të mund të bëhej dhe do të ishte mirë të bëhej vitin e ardhshëm: që Zija Çela të propozohet për Çmimin Nobel.

Me këtë propozim vetëkuptueshëm do të thuhej se letërsia shqipe ka pasur, ka e do të ketë gjithnjë më shumë se një shkrimtar të denjë, të merituar që të propozohen për atë çmim me rëndësi ndërkombëtare.

Duke e propozuar për çmimin Nobel Zija Çelën, i cili ka shkruar dhe ka botuar disa prej romaneve deri sot më të mirë të letërsisë shqipe, ne do të bënin çka bëjnë shumë popuj jo vetëm në Evropë: për Çmimin Nobel propozojnë njëkohësisht nga disa – nga dy, a tre, a katër shkrimtarë të letërsisë së tyre.

Me këtë propozim dhe me përkthimin e botimin e disa romaneve të tij, në gjuhë të huaj, të financuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe nga Ministria e Kulturës e Kosovës, ne do të tregonim se edhe letërsia shqipe i plotëson shumë suksesshëm tri vlerat që vendosin për dhënien e Çmimit Nobel: vlerën artistike, novatorizmin, domethënë risitë formale e kuptimore dhe humanizmin. Dhe, natyrisht pavarësinë mendore, politike dhe etike të të propozuarit.

ObserverKult

rexhep qosja kosova atdhe estetika e snobi shkrim nga rexhep qosja
Rexhep Qosja

Lexo edhe:


REXHEP QOSJA: NJË A DY ATDHE I KANË SHQIPTARËT?