Rexhep Qosja: Si mund ta dallojmë një snob?

rexhep qosja kosova atdhe estetika e snobi shkrim nga rexhep qosja

Rexhep Qosja: Estetika e snobizmit

Megjithëse proza shqipe nuk ka ndonjë traditë posaçërisht të gjatë dhe posaçërisht të pasur, mund të konstatohet se prozatorët tanë, si këta të sotmit, ashtu edhe disa prej atyre që i takojnë traditës, kanë krijuar një galeri të tërë personazhesh interesante, ndër të cilat mund të shquhen edhe tipe të vërteta letrare. Kështu, për shembëll, shkrimtarët tanë kanë krijuar tipet e patriotëve dhe tradhëtarëve, revolucionarëve dhe reaksionarëve, heronjve dhe sabotuesve, koprracëve dhe altruistëve, hipokritëve dhe egoistëve, poltronëve dhe mendjemëdhenjve, vrasëve dhe paqëdashësve, dashnorëve të sinqertë dhe kodoshëve të shfrenuar, injorantëve dhe mendarëve, filistinëve dhe mikroborgjezëve, proletarëve të shfrytëzuar dhe pronarëve të pamëshirëshëm, idealistëve që flijohen për të tjerët dhe materialistëve që kërthizen e vet e konsiderojnë bosht rreth të cilit sillet krejt populli, internacionalistëve, që duke menduar për krejt botën nuk e shohin vatrën dhe provincialistëve, që të strukur pranë vatrës nuk e shohin fare botën, e të tjerë. Kjo do të thotë se ata janë marrë me trajtimin e dukurive të ndryshme shoqërore, sociale, politike, por edhe të virtyteve e të veseve të ndryshme të njeriut dhe, duke u marrë me trajtimin e këtyre dukurive të ndryshme dhe të këtyre cilësive të llojllojshme të njeriut, kanë mundur të krijojnë tipe të ndryshme letrare.
Një dukuri, që nuk është trajtuar në prozën tonë është dukuria e snobizmit dhe një tip letrar që mungon në galeritë e personazheve të saj është tipi i snobit.

Përse pikërisht tipet e snobëve mungojnë në letërsinë shqipe?

Përgjegjet që mund të jepen në këtë pyetje mund të jenë të ndryshme, por është e sigurtë se një prej përgjegjeve përafërsisht më të sakta do të ishte kjo: në jetën sociale dhe në marrëdhënjet shoqërore të shqiptarëve snobizmi nuk kishte karakterin që kishte në jetën sociale dhe në marrëdhënjet shoqërore të vendeve të tjera evropiane, prandaj edhe përfytyrimi dhe kuptimi i kësaj dukurie doemos ndryshonin nga përfytyrimi dhe kuptimi që kishte në ato vende.
Snobizmi i të parëve tanë ishte i një natyre tjetër, kurse snobët tanë të parë kishin një profil tjetër tipik nga snobët evropianë. Në marrëdhënjet shoqërore të shqiptarëve, ku edhe begu, edhe agaj, edhe qytetari, edhe fshatari, edhe intelektuali, edhe zanatçiu bënin një jetë përafërsisht shëmbëllyese përkah primitivizmi, snobët kishin një mentalitet specifik, primitiv, që ndryshonte mjaft prej mentalitetit specifik, modern të snobit evropian.

Në jetën e shqiptarëve, të organizuar qoftë sipas logjikës së jetës anadollake, qoftë sipas logjikës së jetës fisnore snobët asimilonin mentalitetin e begut dhe agajt po aq sa edhe mentalitetin e bajraktarit.

Snobizmi bashkëkohor, modern, evropian në të vërtetë është produkt i shoqërisë klasore, borgjeze kapitaliste, prandaj është e kuptueshme pse fjala snob më së pari është popullarizuar në Angli, në vendin në të cilin janë krijuar më së pari kushtet për lulëzimin e borgjezisë, ashtu sikundër është e kuptueshme pse snobizmi është trajtuar më së shumti dhe, ndofta, më së miri pikërisht në letërsinë angleze.

Realisti i shquar anglez, Viljem Tekeri, e ka quajtur të arësyeshme dhe të domosdoshme t’ua kushtojë snobëve veprën e tij më të njohur, Panairi i sedërtarëve. Vrojtësi pak si më i kujdesshëm i  marrëdhënjeve, sjelljeve dhe gjesteve të njerëzve tanë mund ta ketë fare të qartë se edhe shkrimtarët e sotëm kosovarë kanë gjasa të mjafta të frymëzohen prej dukurive të snobizmit modern dhe prej snobëve. Në këtë kohë kur konteksti social dhe shoqëror, që i favorizon individët e ndryshëm të bëjnë gara të vërteta olimpike për t’u shquar, për t’u dalluar, për të shkëlqyer në mjedisin e vet në pikëpamje të standardit, e frymëzon snobizmin po aq sa e frymëzojnë edhe snobët njeriun tjetër për t’u bërë snob. Në rrugë, në kafene, në teatër, në pritjen e vitit të ri, në pushimin vjetor, në ndeja private, në mbledhje të ndryshme — kudo dhe kurdo — shkrimtari i sotëm mund të vërejë sjellje dhe gjeste që cilësojnë snobin.
Është, vërtetë, çudi e madhe pse shkrimtarët tanë akoma nuk kanë filluar të mirren me trajtimin e kësaj dukurie dhe pse nuk kanë krijuar tipin e snobit si personazh tipik të këtyre kushteve tipike në mjedisin tonë. Edhe pse dukuria e snobizmit është fare e qartë, kurse numri i snobëve gjithnjë e më i madh mund të supozohet se shkrimtarët nuk janë marrë dhe nuk mirren me trajtimin e kësaj dukurie për shkak se tek ne akoma bëhet identifikimi i snobëve ose me filistinjtë ose me mikroborgjezët, ose me poltronët, ose me demagogët ose, më në fund, me të gjithë ata njëkohësisht — çka snobi nuk është, por edhe çka mund të jetë në momente dhe situate të ndryshme të jetës së vet.

Snobin, megjithatë, duhet ta dallojmë prej të gjitha tipeve të tjera negative të njerëzve, pavarësisht pse ai mund të jetë i pajisur edhe me cilësitë, veset dhe virtytet e tjera të rëndomta të njerëzve të rëndomtë. Ai nuk është ekzemplar plotësisht i pastër, unik, ndonëse në kuadrin e cilësive të tij psikologjike dhe sociale snobizmi është cilësia dominuese. Ai është snob për arësye se është edhe diçka tjetër, por është snob më parë se të jetë, për shembëll, filistin, poltron, demagog, mikroborgjez, apo tjetër çka.

Cili është snob?

Definicioni klasik i snobit do të ishte përafërsisht ky: snob është njeriu që është çka s’është, që ka çka nuk i duhet, që bën çka do të mund mos ta bënte, që don me çdo kusht ta reklamojë atë që e ka, që e don apo që e ëndërron atë që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë. E thënë me fjalorin e Karl Gustav Jungut, snob është njeriu që në vend se unin e vërtetë, ua prezenton të tjerëve personën e vet.
Snob është njeriu që sillet në një mënyrë, e cila nuk është mënyrë e sjelljeve të të gjithëve, që shprehet me fjalët dhe frazat, të cilat nuk janë pjesë e leksikut të tij të përditshëm dhe të rëndomtë, që gjendet në situatat, të cilat e shquajnë personën e tij, që jeton në mënyrën, e cila i bën të mundshme të dallohet prej të tjerëve, që lektiset pas gradave dhe diplomave, të cilat nuk shprehin aftësinë e tij të vërtetë, që ulet në vendet, të cilat nuk i përgjigjen aftësisë së tij.

Snob, pra, është njeriu që gjithmonë, në çdo situatë dhe në çdo kohë, është i veshur në rrobat që nuk i rrinë për shtati, dhe korba të tillë, të stolisur me pendlat e shqiponjave, nuk kemi pasur kurrë më shumë.

Snobi mund të jetë i shkolluar dhe i pashkolluar, I mençëm dhe taravol, i pashëm dhe i shëmtuar, i ri dhe i vjetër, i shëndoshë dhe i sëmurë, i çmuar dhe i përbuzur, i dashuruar dhe i paduruar, i lindur në qytet dhe i lindur në fshat, i gjinisë mashkullore dhe i gjinisë femrore, e të tjera.

Snob mund të jetë njeriu që trumbeton idetë më përparimtare, por edhe idetë më konservatore; njeriu që nuk e heq Marksin prej goje dhe njeriu që temjanoset me të vërtetat e Ungjillit apo të Kur’hanit; njeriu që vallëzon vetëm sipas muzikës moderne dhe njeriu që vallëzon vetëm sipas valcerit të Danubit; njeriu që vishet sipas modës së shekujve të shkuar dhe njeriu që vishet sipas modës më të re; njeriu që ruan si relike ndonjë gjygym të kohës së sulltan pekmezit dhe njeriu që ruan si relike ndonjë valltare moderne prej kristali.
 Në pikëpamje të cilësive me të cilat është i pajisur dhe të formave në të cilat shfaqet snobi është si peshku: ashtu sikundër nuk mund ta mbash peshkun në duar për shkak se rrëshqet, po ashtu nuk mund ta portretizosh mirë snobin për shkak se fytyra e tij ka ngjyra të ndryshme.

Janë disa gjeste e sjellje që bën dhe disa situata karakteristike, në të cilat ekspozohet secili snob.

Snobin e heq zemra të paraqitet i një origjine më fisnike se ç’është në realitet. Të gjithë snobët e të gjitha kohëve, të gjithë snobët e të të gjitha mjediseve dhe të gjithë snobët e të gjithë popujve dëshirojnë t’u krijojnë të tjerëve iluzionin se kanë një origjinë shumë më të vjetër, më të shtrenjtë dhe më fisnike se ç’e kanë në të vërtetë. Kështu, fjala vjen, snobi anglez është në gjendje të bëjë çnuk e çmos vetëm e vetëm që ta tregojë origjinën e tij ndonjë shekull më të lashtë se që e ka dhe për këtë qëllim ai nuk kursen kurrfarë shpenzimesh.
 Ai është i gatshëm të angazhojë, madje, edhe ekspertët e arkivave dhe të bibliotekave që të shpupurisin nëpër këto institucione të dokumentave dhe të veprave të vjetra dhe të reja pale mos do të zbulojnë farë shenjash mbi origjinën e tij të lashtë.
Një gatishmëri të këtillë e ka treguar viteve të fundit edhe humoristi i shquar amerikan me origjinë angleze, Bob Houp, por gatishmëria e tij është treguar boshe, kurse shpenzimet të kota: Bob Houp nuk na ka dalë bir fisnikësh.
Këtë privilegjë të snobit anglez nuk e kanë edhe gjithë snobët e të gjitha vendeve dhe të gjithë popujve të tjerë. Kështu, bie fjala, snobi shqiptar, që do të donte të provonte lashtësinë e origjinës së mbiemrit të tij do të shtrëngohej të paguante turkologët ose mediavelislët, që të shkonin në bibliotekat e Turqisë apo të Romës dhe të gjurmonin në mos pushtuesit turkë apo misionarët latinë kanë lënë farë shënimesh për të parët e tij të famshëm. Duke mos qenë në gjendje t’i durojë shpenzimet e këtilla, ky snob kënaqet me fjalë dhe reklamë verbale me të cilat ua rrit emrin dhe famën dhe meritat të parëve të tij të njohur dhe të panjohur, të ndershëm apo të pandershëm, të pasur apo të varfër.
Ky lloj snobi, zakonisht, flet se si të parët e tij ishin të pasur, kishin shumë dyqane, shumë shtëpi, shumë çipçinj, shumë shërbëtorë dhe shumë shërbëtore. Në qoftë se për pohimet e këtilla nuk ka kurrfarë mbështetje pak si më të bindshme, atëherë rëndomë pohon se si të parët e tij ishin të shquar qoftë si qatipa të administratës turke, qoftë si haxhinj apo hoxhollarë.
 Snobi që ka pasur fatin e keq të lindet në fshat vetëvetiu është I shtrënguar të kërkojë argumente të tjera për të dëshmuar origjinën e tij të shtrenjtë. Herat më të shpeshta ky snob bashkëkohor të flet se si të parët e tij janë shquar në luftërat kundër pushtuesve turq dhe armiqve të tjerë të shqiptarëve, se si prej shtëpisë së tij kanë dalë burra të njohur, trima të mëdhenj, se si dikush prej të parëve të tij ishte bashkëpunëtor ose i Abdyl Frashërit, ose i Abdullah Drenit, ose  i Bajram Currit ose, më në fund, i Ahmet Zogut. Në qoftë se të parët e tij janë dalluar në hajni, cubni, hakmarrje dhe krime të tjera atëherë snobi të thotë se të gjitha këto ata i kanë bërë për qëllime më të larta kombëtare apo fisnore.

Snobi që në asnjë mënyrë nuk mund të jetë „fisnik” në linjën e babajt, kujdeset të jetë fisnik në linjën e mamasë, prandaj edhe krejt meritat e të parëve të të jatit i qet në adresën e të parëve të nënës. E në qoftë se nuk mund të jetë „fisnik” as përkah baba, as përkah nëna, atëherë snobi kujdeset të jetë „fisnik” përkah bashkëshortja e tij.
Në gjuhën e snobit kjo do të thotë se së paku pasardhësit e tij do të kenë së paku një damar nëpër të cilin do të rrjedhë gjaku i çmuar i fisnikërisë. Nuk është çudi, prandaj, pse snobi flet shpesh për fëmijët e vet, pse fëmijët e vet i tregon të jashtëzakonshëm në të gjitha pikëpamjet dhe me të gjitha cilësitë. Në ndonjë rast, jo edhe të rrallë, mund të takohet ndonjë snob që të thotë: djali im është i hatashëm, është i fortë si çelik, është i mençëm si t’i kishte njëzet vjet, është vunderkind i vërtetë. Me pamjen dhe karakterin i përngjet gjyshit të vet, të ndjerë, filan fistekut, i cili kishte dhjetë dyqane, ose ndante pleqërinë e nëntë fshatrave.

Në rastin tjetër ndonjë snob të thotë: çupa ime është një hanëme e vërtetë, me pamjen dhe qëndrimin i përngjet gjyshes së vet të ndjerë, rrin dhe sillet si zonjë, ka mësuar anglishten dhe turqishten e, në kohë të fundit, po bën edhe balet. Kushedi, do të jetë balerinë ose këngëtare e operas.

Për secilin snob pasardhësit e vegjël janë eksponate të mrekullueshme, xhevahirë të shtrenjtë, me të cilët del në panairin e snobizmit.

Me kujdes dhe sukses të veçantë snobi ekspozohet në vendet dhe lokalet, në të cilat në raste dhe momente të ndryshme tubohen shumë njerëz. Snobi mendon disa muaj përpara se si do ta kalojë dhe tek do ta kalojë, fjala vjen, vitin e ri. Muaj të tërë përpara, ai kujdeset të sigurojë veshje dhe stolisje të veçantë, të zgjedhë lokalin, tryezën, ngjyrën e mbulojës së tryezës, cilësinë e gotave me të cilat do të pijë dhe të pirunjve me të cilët do të hajë. Ai interesohet se kush krejt do të shkojë në atë lokal, se sa do ta ketë larg muzikën, se cili kamarier do ta shërbejë. Më së  shumti interesohet se cila tryezë do të jetë skaj tryezës së tij dhe shfrytëzon të gjitha mënyrat e mundshme që ai dikush, afër të cilit do ta ketë tryezën, të jetë një person sa më i njohur dhe, sipas mundësive, të jetë ndonjë funksionar i lartë.

Snobi nuk do të ishte snob sikur mos të lektisej që të jetë afër autoriteteve sa më të mëdha aktuale politike, shoqërore dhe tradicionale, do të thotë gjenealogjike. Pozitën e vet shoqërore snobi e reklamon posaçërisht mirë edhe me rastin e premierave të rralla, shumë të rralla, të teatrove tona. Snobi shkon solemnisht në secilën premierë dhe shkon më tepër për t’i parë shikuesit e tjerë se sa për të parë shfaqjen. Paradhomat e teatrit janë arena të vërteta të snobizmit. Snobi, zakonisht, takohet aty me snobët e tjerë, u jep dhe merr përshëndetje në stilin tradicional, i merr nëpër gojë të tjerët dhe i studjon sjelljet, qëndrimet dhe veshjet e snobëve apo qytetarëve të tjerë.

Në ambientet e këtilla snobi nuk pushon të ulë dhe të ngritë kokën, të thejë belin dhe të marrë qëndrim gatitu, thuase është i stisur me frak dhe kollaro të ngritur. Çdo snob e di se qeshja e zëshme dhe sharmante është grepi më i mirë në të cilin kapet interesimi i të tjerëve, prandaj të gjithë snobët kujdesen të qeshin sa më të madhe, sa më bukur dhe sa më shpesh. Në rastet e këtilla, të rralla dhe solemne, posaçërisht interesante është snobesha e snobit. Ajo është e veshur dhe e ngjeshur ose sipas modës së shekujve të shkuar, ose sipas modës më të re dhe është e stolisur me gushore, hallhalle, unaza dhe rekuizita të tjera prej ari, në raste më të shpeshta të importuara prej Amerikës, Greqisë, Italisë apo Francës. Snobesha nuk stoliset me mallin e vendeve të Lindjes për shkak se këtë mall e nënçmon si mall të lirë.

Snobi reklamohet me sukses të posaçëm edhe në rrugë, me anën e veturës, që është rekuizit i domosdoshëm i snobizmit bashkëkohor. Për snobin vetura nuk është një mjet komunikacioni me të cilin i kryen më shpejt disa prej punëve të përditshme, prandaj kujdeset të blejë një veturë sa më të shtrenjtë, sa më të gjatë, sa më të bukur, sa më ekspresive. Dhe snobi nuk shihet shpesh në veturë, por kur shihet atëherë shihet vërtet solemnisht: me krejt garniturën e familjes plus ndonjë prej ilakave që pandeh se është posaçërisht i respektuar.

I motorizuar për mrekulli snobi është njëkohësisht edhe turist i pasionuar. Njeriu nuk mund të jetë snob në qoftë se nuk ka parë shumë vende, në qoftë se nuk ka vizituar galeritë më të njohura, në qoftë se nuk ka hyrë në disa shtëpi të mëdha të mallrave në metropolat evropiane, në qoftë se nuk i ka parë kuriozitetet antike dhe mesjetare.

Snobi nuk mund të jetë snob në qoftë se pas këtyre shëtitjeve internacionale nuk është ndalur ndonjë javë në bregdet, për të rreshkur lëkurën në diellin mediteran dhe në qoftë se nuk është kthyer ndonjë javë tjetër në bjeshkë për t’i flladitur mushkëritë me ajrin e freskët malor.

Snobi shpesh e shfaq snobizmin e vet edhe përmes ambicjesh shkencore. Megjithëse nuk është i interesuar, për shkak se nuk ka kohë, që t’i japë farë kontributi veprimtarisë shkencore në mjedisin e tij, snobi në disa raste bën përpjekje të mëdha të sigurojë farë diplome shkencore, të gjendet në farë vendi prej të cilit drejtohet aktiviteti shkencor ose, më në fund, të diskutojë për shkencën dhe punëtorët shkencorë. Ndonjëri prej snobëve të këtillë, në disa raste, edhe provon t’i japë kontributin e tij veprimtarisë shkencore, por duke punuar vetëm në shtëpi, dhe duke pushuar verës në teracën e saj të pajisur me dushin e instaluar kastile që të flladitet pas lodhjes shkencore.

Situatat në të cilat shfaqet dhe format të cilat i merr snobizmi janë vërtet, të shumta dhe të ndryshme, ashtu sikundër janë të llojeve të ndryshme edhe vetë snobët.

Snob, për shembëll, është ai që thotë: dje kam patur një bisedë telefonike me këtë e këtë udhëheqës apo mbrëmë kam luajtur një parti poker me shokun kryetar, ose sekretar, ose drejtor; snob është ai që në çdo mbledhje kujdeset të ulet në vendin e parë pavarësisht se a i takon sipas moshës, funksionit apo autoritetit; snob është ai që shkruan manifeste letrare kur nuk mirret me letërsinë; snob është ai që mbi tepihun e shtrenjtë të dhomës së pritjes vë najlon që të mos ja përlyjnë, e të tjera.

 Format e këtilla të snobizmit janë banale, prandaj këtu u bë fjalë vetëm për format „e larta” të snobizmit bashkëkohor. Është e qartë se snobi sot është modernizuar dhe adaptuar varësisht prej kushteve specifike të mjedisit specifik, në të cilin jeton.

Snobizmi është një dukuri shoqërore dhe sociale, të cilën një pjesë e njerëzve e urrejnë, kurse pjesa tjetër e tolerojnë. Po snobi, gjithsesi, aq sa e meriton urrejtjen dhe përbuzjen, po aq mund ta meritojë edhe mëshirën njerëzore:

ai është ose njeri që vuan prej megalomanisë — dhe në rastin e këtillë duhet ta urrejmë dhe përbuzim, ose njeri që vuan prej inferioritetit — dhe në rastin e këtillë duhet ta përbuzim dhe mëshirojmë. Si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë, snobi është individ tragjik dhe qesharak apo qesharak dhe tragjik njëkohësisht për shkak se nuk është në gjendje të kuptojë një të vërtetë e kjo është e vërteta e konstatuar prej romakëve të mençur: Majmuni është majmun qoftë edhe kur stoliset me ari.

Snobizmi — si dukuri që po përhapet, dhe snobët — si bartës të snobizmit, janë një materie shumë interesante për shkrimtarët, e veçanërisht për humoristët dhe satirikët.

Urdhëroni, prandaj, shokë shkrimtarë, veshuni me kujdes që të mos u plagosin adhuruesit apo kundërshtarët dhe lëshojuni në galeritë e shumta të kësaj miniere të pasur të jetës sonë bashkëkohore. Urdhëroni dhe shkruani për snobët edhe në qoftë se ndonjeri prej jush është vetë snob.

Mund t’ju përkujtoj se Marsel Prusti, megjithëse snob dhe dendy edhe vetë, është marrë shpesh me trajtimin e kësaj dukurie dhe, sikundër e thotë biografi i tij, Andre Moroa, „bëhej më i ashpër posa e prekte këtë temë të veten të dashur”.
Urdhëroni dhe shkruani për snobët, kurse snobët, sigurisht, do t’ju shpërblejnë me duartroktije frenetike.

1971

*Marrë nga Rexhep Qosja: Panteoni i rralluar, Rilindja, Prishtinë, 1973

ObserverKult

=============================

Lexo edhe:

A MUNDET NJERIU TË URREJË TË VËRTETËN? JA ÇFARË THOTË AKUINI…