Nga Rexhep Qosja
Ju flas nga përvoja: kush lëron rrezikun dhe mbjell fatkeqësinë, atë dhe do ta korrë. Ndër shumë kallëzimet, që kishte ndëgjuar në fëmijëni, më së shumti iu kishte ngulitur në kujtesë një si legjendë, që flet për një ngjarje, që moti, ndoshta kur janë vënë gurët e parë në themele, kishte ndodhur në qytetin tonë, Vajazan. Sa herë ia tregonte babai i tij, ndjesë pastë, i thoshte: Xhezair, tani, hapi veshët! Dhe ai e kishte ndëgjuar me veshë e me mend.
Në atë kohë, të lashtë, përmes Vajazanit kalonte një lum i vogël, gati përrockë, të cilit vajazanasit i thoshin Lumi i Mullenjave, sigurisht, për arësye se në verrishtën, që ia kishte pushtuar brigjet, kishte shumë mullenja, të cilat ata i mbanin të shenjta. Lumi i Mullenjave, rëndon, shterronte në zhegun e gushtit , diku në gjysmën e parë, po atëherë fshatarët, që jetonin afër qytetit, e kishin kryer edhe ujitjen e bereqetit dhe s’tuteshin se do të mbetnin pa drithin e dimrit, pa zarzavate, pa ushqim për gjënë e tyre të gjallë, as as se do të shpërnguleshin mullenjat e tyre tëshenjta që i ruanin si sytë e ballit. E vajazanasit, sa herë nuk i shihnin mullenjat e fshehura në verrishtë, ia kthenin sytë Bjeshkës së Pashës, që gjendej në atë anën ku lindi dielli dhe është e njohur me gurishtat dhe shpellat më të bukura dhe më të pahulumtuara në këtë anë.
Prej shumë shpellave të Bjeshkës së Pashës më së shpeshti përmendej e ashtuquajtura Shpella e Harapit së cilës, thuhet, banorët e Vajazanit ia kanë parë shumë herë sherrin, dikur, në ato motet e shkuara. Është folë gjithnjë se në këtë shpellë gjendet një thesar i çmueshëm, me të cilin, po të nxirrej disi prej andej, do të pasuroheshin të gjithë ata dhe, bile, do t’ua lehtësonin jetën edhe fshatarëve të fshatrave përreth. Në prak të mbrëmjes, kur mullenjat tuliten, dielli i afrohet perëndimit dhe rrezet e tij i kthehen pingul Shpellës së Harapit, prej saj shkëlqente njëfarë drite ngjyrash të ndryshme, si edhe ngjyrat e ylberit. Dhe atëherë, vajzanasit dilnin prej shtëpive të tyre: qatipat i lenin zyrat, pleqtë e sëmurë çoheshin prej shtretërve të dergjës, gratë i braktisnin vekët dhe furkat, vashat e djemt i ndërprenin përqafimet, fëmijët i harronin lodrat dhe ia ngulnin sytë shpellës, thuajse atje gjendej shkëlqimi dhe lumturia e jetës së tyre të ardhshme. Burrat mendonin se, sikur ta nxirrnin thesarin prej shpellës, do të blenin kuaj të shalës e do të bënin çdo muaj gara vrapimesh; pleqtë mendonin se do të mund të blenin ilaçe të shtrenjta, t’i shëronin sëmundjet e tyre të rënda dhe ta zgjatnin jetën edhe për disa vjet; djemtë e pamartuar mendonin se do të mund të visheshin aq mirë sa t’i mernnin nuset më të bukura në gjithë nahinë e tyre; vashat e nuset mendonin se do të mund të blenin sende të shtrenjta dhe t’i stolisnin gushët e duart e tyre, ashtu siç nuk i kishin stolisur kurrë nuset dhe vashat e ndonjë qyteti tjetër; fëmijët mendonin se prej atij thesari do t’u takonte edhe atyre ndonjë hise e vogël dhe prindërit do t’u blenin lodra të shtrenjta, pas të cilave do t’i çakërisnin sytë e pafajshëm fëmijët e të gjitha qyteteve të tjera.
Dhe, moti, verave të thata. kur Lumi i Mullenjave mëdyshej të shterronte, ndërsa qytetarëve dhe fshatarëve u hynte frika se do të mbetnin pa bukën e gojës, djemt më të shëndoshë , më të shkathët dhe më të guximshëm të Vajazanit kërkonin leje prej gjyshërve dhe prindërve t’ia mësynin Shpellës së Harapit. Flitet se shumë herë kishin provuar vajazanasit e rinj të ngjiteshin në shpellë dhe kishin provuar me lejen e gjyshërve dhe të prindërve që, gjithmonë, kur niseshin, i uronin dhe luteshin për ta. Dhe, sa herë kishin provuar, ose ishin kthyer të dëshpëruar, se nuk kishin mundur t’i afroheshin, ose ishin kthyer të plagosur , se ishin rrëzuar në gjysmë të përpjetës, ose i kishin kthyer të vdekur , se ishin rrëzuar në trepashë njeriu afër grykës së saj. Ashtu kishte ngjarë disa vera. Dhe, të gjithë ata që kishin lënë kokën në përpjekjet që të ngjiteshin në Shpellën e Harapit, i kishin varrosur njërin skaj tjetrit, në një lëndinë, në jug të qytezës, lark verrishtes së Lumit të Mullenjave.
Ato varre edhe sot e gjithë ditën i quajnë Varret e Thesarit.
Mbas do kohe pleqt iu kishin thënë vajzanasve se Shpella e Harapit ishte e mallkuar dhe se nuk do të duhej as t’ia lëshonin sytë, se do t’ia shihnin sherrin për jetë. Po ata, gjithnjë e shikonin me zili -për thesarin , që ishte fshehur në terrin e saj; dhe gjithnjë e shikonin me mëni-për viktimat, që u kishte shkaktuar.
Po të gjithë vajazanasit nuk mendonin njësoj: se kishte ndër ta ndonjëri që nuk donte të besonte se në Shpellën e Harapit s’kishte shkelur kush kurrë; se kishte ndër ta ndonjëri që nuk donte të besonte se thesari i Shpellës së Harapit nuk mund të nxirrej. Kur lodheshin prej llafit dhe u nxehej koka me mendime rreth thesarir, atëherë bënin pyetjet, aq shpeshë të përsëritura: kush ka pasur hesap të fsheh far thesari atje? Dhe kush ka mundur ta qesë thesarin aq lart? Në qoftë se nuk pajtoheshin mes veti-çka ngjante më së shpeshti-i thirrnin, rëndom, tre pleqt më të moshuar dhe më të mençur, që i pajtonin gjaqet , dhe heshtnin armët, t’ua zgjidhnin lëmshin. Ata, gjithnjë, njësoj u përgjigjeshin të gjitha pyetjeve të vajazanasve:
-Dikur, moti, në kohën e babëgjyshit tim, kur luftonin me kulshedrat, drangojt krahëshpejtë e kishin fshehur thesarin e nuseve të qytetit në Shpellën e Harapit-thoshte plaku i parë.
-Dikur, moti, në kohën e babëgjyshit tim, kur kishte shumë zotërinj të pasur, një Harap i zi ia kishte vjedhur thesarin gruas së zotërisë dhe e kishte fshehur në atë shpellë-thoshte plaku i dytë.
-Dikur, moti, në kohën e babëgjysht tim, ushtria pushtuese gjatë tërheqjes, me haletet e saj të çuditshme e kishte qitur thesarin e plaçkitur në shpellë , e bindur se njeri i gjallë nuk do të mund të ngjitej atje-thoshte plaku i tretë.
Duke mos u besuar fjalëve të pleqve, që edhe vetë ia lëshonin shpesh sytë Shpellës së Harapit, vajazanasit i pyetnin rishtazi: pse asnjëri prej djemve të tyre të shëndoshë, të shkathët e të guximshëm nuk kishte mundur të ngjitet në shpellë, siç ishte ngjitur Harapi i zi, ose ushtari i pushtuesit? Po çdonjëri, që kishte provuar, ose kishte thyer qafën dhe kishte mbetur i gjymtuar për jetë, ose kishte mbetur vdekur në vend.
-Shpellën e Harapit e ruan zana e malit; thesari i duhet për të bijat dhe të mbesat e saj dhe çdonjërin që provon të ngjitet atje e shiton-thonte plaku i parë.
-Shpellën e Harapit e ruan një plak mjekërbardhë; thesari i duhet për të bijt dhe nipërit e tij dhe çdonjërin që provon të ngjitet atje do ta çmend-thoshte plaku i dytë.
-Shpellën e Harapit e ruan një kulshedër e madhe; thesari ia freskon lëkurën e djegur dhe çdonjërin që provon të ngjitet atje e helmon-thoshte plaku i tretë.
Mbas këtyre fjalëve vajazanasit aq më pak u besonin fjalëve të pleqve.
Dhe, një vit, ishte çuar Salajdini i Selmanit, më i pasuri, më i shëndoshi, më i guximshmi i Vajazanit, që kishte shumë shtëpi, shumë avllia, shumë rrogtarë e rrogtaresha, shumë kuaj e shumë pela dhe kishte thënë para të gjithëve se pleqt po rrenin, se ishin frigacak se e kishin njërën këmbë në varr dhe për nevojat e pasardhësve s’donin ta lodhnin veten. Kishte folë gjatë Salajdini, kishte folë me zjarr, kishte folë me mend, kishte folë me fjalët e Kur’anit, kishte folë me fjalët e zotit dhe, në fund , kishte shtuar:
-Është thatësirë e madhe, si kurrë s’mbahet mend, toka po çahet prej zhegut, arat e livadhet po digjen, gjëja e gjallë po cofin prej etjes, do të bëhemi shkrumb, do të bëhemi rrapitoll me tokë. Unë e kam veshjen dhe e kam ujin për nëntë vjet. Ju do të shuheni. Ta pushtojmë shpellën se Lumi i Mullenjave është tharë në korrik dhe mullenjat janë shpërngulur. Mallkimi është hequr prej thesarit.
Kur besonte ashtu Salajdini, që i kishte të gjitha, që nëntë fshatra i kishte të vetat, vajazanasit e tjerë s’kishin arësye mos të besonin dhe, për më shumë, s’kishin arësye mos të besonin në zhegun e asaj vere.
Në nesre, heret, ia kishin filluar pushtimit të Shpellës së Harapit dhe ia kishin filluar me bindjen e Salajdinit se Shpella e Harapit mund të pushtohej prej njërit e jo prej shumicës. Në fillim secili prej tyre frikësohej mos do të ishte ai i pari që do t’i thuhej të ngjitej në shpellë dhe prej kësaj frike i kishte çliruar Salajdini kur kishte thënë se do të qesin short dhe se shortin do ta qesë një plak dhe do të ngjitet ai që do ta marrë shortin më të vogël. Një plak, i lodhur , kishte qitur short me do kuja dhe të parit i kishte rënë shorti një hamalli katrasyll, të trashë, po të fortë dhe të shkathët. Hamalli ia kishte mësyrë shpellës prej së poshtmi dhe ia kishte mësyrë me një krenari të papërmbajtur, që ia shtonin sytë që e përcillnin prej përfundi.
Duke u kitruar me këmbët e me duart nëpë birat e shkëmbit iu kishte afruar shpellës në tre pashë njeriu, dhe kur iu kishte afruar në tre pashë njeriu, papandehur ishte shkoqur, si samar i kalbur dhe kishte rënë poshtë, mes vajazanasve.
E kishin qajtur një ditë e një natë dhe e kishin varrosur në Varret e Thesarit.
Plaku i lodhur kishte qitur short për herë të dytë dhe shorti i dytë i kishte rënë një marangozi të gjatë, të hjeshëm dhe ai kishte vendosur ta pushtonte shpellën prej anës së majtë dhe kishte vendosur ta pushtonte prej asaj ane, sepse andej ishte një dhiare e hollë, nëpër të cilën, thoshin pleqt, kalojnë dragonjt, kulshedrat, zanat dhe dhitë e egra, kur hyjnë në shpellë.Ishte nisur ai si kitrra drejt shpellës dhe kur iu kishte afruar në tre pashë njeriu, papandehur ishte shkoqur si arkë e kalbur dhe kishte rënë i vdekur skaj vajazanasve.
E kishin qajtur dy ditë e dy net dhe e kishin varrosur në Varret e Thesarit.
Plaku i lodhur kishte qitur short për herë të tretë dhe shorti i tretë i kishte rënë një qytetari që farkonte paret dhe e quanin kallajxhii, dhe ia kishte vendosur ta pushtonte shpellën prej anës së djathtë, sepse në anën e djathtë kishte disa shkurre, nëpër të cilat mendonte të mbahej. Kur iu kishte afruar shpellës në tre pashë njeriu, kallajxhiu kishte rrëshqitur, si thes me para, dhe kishte rënë poshtë, skaj grave të vajazanasve.
E kishin qajtur edhe atë një ditë e një natë dhe e kishin varrosur në varret e Thesarit.
Plaku i lodhur kishte qitur short për herë të katërt dhe shorti i katërt i kishte rënë një fshatari vizdrak, të hollë e të lidhur dhe të gjithë kishin menduar se lidhaku do të bënte atë që nuk kishin mundur ta bënin paraardhësite tij. Dhe ai kishte vendosur ta pushtonte shpellën prej anës së epërme, sepse prej tri anëve të tjera nuk kishin pasur sukses. Kur iu kishte afruar shpellës në tre pashë njeriu kishte rrëshqitur edhe ai, si zog pa krahë dhe kishte rënë në mesin e turmës, tamam para këmbëve të babait të tij.
E kishin qajtur tri ditë e tri netë dhe e kishin varrosur në Varret e Thesarit.
Mandej ishin mbledhur të gjithë vajazanasit, të gjithë fshatarët e fshatrave përreth dhe në këtë mbledhje i kishin thirrur edhe gratë e tyre dhe kishin filluar ta pleqëronin punën fill e për pe dhe të kërkonin mënyrën se si do ta pushtonin shpellën dhe se si do të mund ta nxirrnin prej andej thesarin. Kur njëri prej atyre tre pleqve kishte thënë se do të duhej të hiqnin dorë prej thesarit të mallkuar e mos të humben njerëz kot, Salajdini i Selmanit kishte kërcyer si zora në prush dhe e kishte përkujtuar: ose do ta pushtojmë sivjet shpellën, ose do t’ju shndërroj të gjthëve në rrogtarë dhe do t’ua bëj të gjithëve gratë rrogtaresha.
Prishaqefas njerëzit ishin pajtuar. Mbasi, prapë, e ishin pleqëruar punën, ishin marrë vesh se Shpella e Harapit nuk mund të pushtohej as prej anës së majtë, as prej anës së djathtë dhe as prej anës së poshtme dhe as prej anës së sipërme, si deri tani, sepse pushtuesve do t’u mirren mendët dhe do të bien poshtë. Ishin pajtuar, prapë, në dyshim se Shpella e Harapit mund të pushtohej vetëm prej anës së poshtme dhe mund të pushtohej jo prej një njeriu veç, po prej disave tok. Po, si të pushtohej prej anës së poshtme? Do të ngjiteshin disa vetë njeri mbi krahët e tjetrit derisa t’i afrohen shpellës? Mirë, po kur të zbresin , ata më të të epërmit mund të thejnë qafën: të gjymtohen ose të mbesin planc në vend . Do të ngjiten me anën e shkallëve. Mirë, po ku do t’i marrin një palë shkallë ashtu të gjata! Edhe në qoftë se i përvjelin llërat dhe i bëjnë një palë shkallë aq të gjata, nuk është e sigurtë se shkallët do të mund të qëndrojnë thikë përpjetë pa u kthyer pas me të githë ata që do të ngjiten në to. Dikur kishin hequr dorë edhe prej mendimit që ta pushtojnë Shpellën e Harapit vetëm prej anës së poshtme me anën e shkallëve, dhe ishin pajtuar se më së lehti do ta pushtonin prej anës së poshtme dhe prej anës së epërme me një konop sikur ta kishin. Mirë, po ku ta mirrnin një konop aq të gjatë dhe aq të trashë, dhe aq të fortë!
Disa prej tyre thoshin se një konop ashtu i gjatë , e i trashë, e i fortë s’mund të gjëndej kund në botë. Atëherë një nuse, më e bukura prej të gjitha nuseve, që atë ditë kishin hequr peçjet dhe kishin dalë rrëzë Bjeshkës së Pashës vetëm që t’i shohin burrat se si do ta pushkatojnë Shpellën e Harapit kishte brofur si zanë dhe kishte thënë:
-Me shtatë nuset më të bukura , më të shpejta, dhe më të squara për shtatë ditë do të mund ta bëjmë në një vek një shok burri, që do të jetë aq e gjerë, që do të jetë aq e fortë, që do të jetë aq e gjatë, sa do të mbërrijë jo vetëm deri në shpellë e poshtë po edhe tri herë më lark.
Dhe mbas shtatë ditësh, zana me shtatë nuset e kishin bërë shokën, të gjatë, të gjerë, të fortë, të kuqe, dhe kur e kishin parë, të gjithë burrat kishin besuar se shpella tani ishte e pushtuar. Shumica prej tyre kishin çfaqur qejfin të lidheshin vetë me atë shokë, të lëshoheshin vetë në Shpellën e Harapit, ta nxirrnin vetë në dritë thesarin e saj dhe, pastaj, t’u përmendet emri, vjet për vjet dhe brez pas brezi. Salajdini, më i pasuri, më i shëndoshi, më i mençuri dhe më i forti i Vajazanit, kishte dalë në log të burrave dhe kishte thënë:
-Vetë e nisa këtë punë dhe vetë do t’ia vej kapakun.
Vajazanasit, të varfër e të pasur, të liq e të fortë, kishin heshtur dhe heshtjen e tyre Salajdini e kishte kuptuar si pajtim që ai të hypte vetë në Shpellën e Harapit.
Atëherë shtatë burrat më të fortë i kishin rënë rrugës rrotull, kishin dalë në shkëmbin mbi shpellë, ishin ulur njëri mbas tjetrit, ua kishin ngulur këmbët shkëmbinjve përpara, e kishin shtrënguar shokën me duart e tyre të forta dhe, ngadalë, e kishin lëshuar deri te turma poshtë. Salajdini, më i pasuri, më i shëndoshi, më i forti, më i mençmi i të gjithëve, ishte lidhur me rë rreth belit dhe ata kishin filluar ta tërhiqnin përpjetë. Sa më lart ngjitej Salajdini, aq më tepër ndeheshin muskujt e të dhjetëve, aq më shumë u qitnin xixa sytë, aq më i trashë u bëhej vrushkulli i djersëve. Dhe krye një çerek ore Salajdini kishte shkelur në grykën e Shpellës së Harapit, kurse turma ishte tundur prej gëzimit.
Mbas këtij gëzimi, aq të dëshiruar, aq të pritur, kishte pllakosur një heshtje: turma e vajazanasve ndërgjonte çapitjet e Salajdinit nëpër Shpellën e Harapit dhe shikonte lakuriqët e natës kur fluturonin përjashta. Të padurueshëm pritnin Salajdinin kur do të dalë në grykën e Shpellës me thesarin në duar, që do të ndriçojë si yjt në qiell, që do t’i ngrohë si rrezeT e diellit. Duke pritur, ashtu, të gjithë, pleq e plaka, burra e nuse, djem e vasha, fëmijë e të sëmurë luteshin për Salajdinin, mbrothësinë dhe urtësinë e tij.
Ashtu të shurdhër kishin pritur një çerek ore; ashtu të verbër kishin pritur dy çerek ore; ashtu të shtangur kishin pritur tre çerekë ore; po Salajdini nuk lajmërohej. Mandej kishin zënë të shqetësoheshin: mos ishte tretur nëpër labirinthet e shpellës; mos e kishte shituar zana; mos e kishte helmuar kulshedra; mos e kishte tranuar plaku mjekërbardhë!
Kishin pritur ashtu të mëdyshur dhe tre çerekë ore të tjerë. Mandej, ai plak, më plaku, u kishte thënë shtatë burrave që mbanin shokën, ta tërhiqnin ngadalë dhe ata e kishin ndëgjuar plakun dhe kishin filluarta tërhiqnin, kur ngadalë dhe kur shpejt. Përnjëherë në grykë të shpellës ishte dukur një arkë prej drurit të arrës , e madhe sa s’do të mund ta përmblidhte me duar një njeri, bile as Salajdini me duart e tij të gjata e të forta. Turma kishte brohoritur: Thesari! Thesari!Thesari! Me kujdes dhe me djersë currjel , shtatë vajazanasit e kishin lëshuar arkën teposhtë, ndërsa ata përfundi ishin stisur që ta pritnin në duar qoftë se do të këputej litari. Kur arka kishte prekur lëndinën, për një çast, kishin rënë në hall a ta çilnin apo të pritnin Salajdinin, që s’po dukej në grykë të shpellës.E kishin pritur edhe tre çerekë ore të tjerë, po ai kurrësesi të shihej.
Atëherë kishin menduar mos është edhe ai me thesarin dhe, plaku i pleqve, me lejën e turmës, e kishte çelur arkën, që s’kishte qenë as e gozhduar, as e kyçur. Kishin parë, të çmerituar , kur përmbi anët e saj ishte zvarrisur një gjarpër i zi me pulla të bardha rreth rruazave të syve, që e kishte puthur Salajdinin në shpellë.
Ishin kthyer kokulur në Vajazan dhe e kishin qajtur Salajdinin e Selmanit shtatë ditë e shtatë net.
*Titulli i origjinalit: “Legjenda”
(Shkëputur nga libri ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ të Rexhep Qosjes)
Përgatiti: ObserverKult
REVOLTOHET REXHEP QOSJA: NËSE ZHDUKIM FILMAT E KOMUNIZMIT, ÇFARË I MBETET SHQIPËRISË O BUDALLENJ?