Rezultatet e ADN-së/ Në Kosovë 80 %, në Shqipëri 75 % prejardhje ilire

Nga Daut Dauti

Disa rezultate të ADN-së kanë krijuar një entuziazëm që i ka kapluar disa njerëz (shqiptarë). Në Kosovë del që prejardhja ilire është 80 përqind kurse në Shqipëri 75 përqind.

Një habi, e përzier me gëzim, se shqiptarët nuk kanë aspak prejardhje ‘turke’ e fare pak ‘romake’. Interpretimi i gabuar i historisë bënë që disa të krenohen me këto ‘fakte’.

E vërtetë që shqiptarët nuk kanë prejardhje turke dhe romake për shkak se kjo nuk është e mundur praktikisht. Romakët kanë qenë grup i vogël i njerëzve kurse turqit, duke qenë fis, edhe më i vogël. Prejardhja bizantine nuk ekziston fare.

Në fakt, termi bizantin është invencion që ka filluar të përdoret pas rënies së Perandorisë Bizantine.

Në aspektin gjenetik shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me romakët, bizantinët dhe otomanët. Perandoritë nuk shpërndajnë prejardhje gjenetike, por kulturë.

Prandaj, shqiptari sot është ‘prodhim’ romako-bizantino-otoman. Nuk duhet të injorohet edhe kultura pansllave që te shqiptarët ka ardhur përmes komunizmit e në të cilin sistem në Shqipëri kanë jetuar më gjatë se gjysmë shekulli – kurse në Kosovë një shekull.

ADN-ja është me rëndësi për shkak se e tregon prejardhjen biologjike, por kjo gjë nuk është esenciale në formimin e ndërdijes kombëtare.

Nacionalizmi, nga i cili doli kombi, është ideologji, sikur edhe religjioni. Njerëzit kanë hyrë në bashkësi kombëtare me dëshirë, por në shumë raste edhe për shkak se nuk kishin rrugë tjetër.

Popujt kanë qenë të detyruar të hyjnë në njërin apo tjetrin komb ashtu siç e kishin paraparë ideologët e nacionalizmit. Pra, kombi është krijesë artificiale kulturore e jo zhvillim natyral i bashkësisë me prejardhje të njëjtë biologjike.

Para disa ditësh u bë lajm kur një shqiptar e vizitoi një serb në një fshat të Gjilanit. Shqiptari tha se e kishte kushëri serbin. E vërtetë. Por, në këtë rast edhe pse që të dy kanë prejardhje të përbashkët ose ADN të njëjtë, njëri është shqiptar e tjetri serb. Spiro dhe Anastas Bocariq, kanë qenë dy piktorë shumë të njohur serbë. Që të dy ishin nipa të Marko Boçarit të famshëm dhe me ADN të njëjtë me Ali Pashë Tepelenën.

Por, pasardhësit e Marko Boçarit përfunduan si grekë dhe serbë. Pra, ky është shembull se individët dhe shoqëria gjatë etapave historike janë zhvilluar në drejtime të ndryshme kulturore dhe kanë përfunduar në bashkësi po ashtu të ndryshme kombëtare.

Sipas ADN-së, një pjesë e madhe e banorëve të Bosnjës dhe Kroacisë bregdetare dalin ilirë, por nuk janë shqiptarë. Rast i kundërt është bota arabe që shtrihet nga Mauritania e deri te kufijt e Iranit.

Tërë ky rajon flet arabisht (si gjuhë të parë) dhe kanë religjion (islam) të përbashkët. Por, prejardhja e tyre është tërësisht e ndryshme në aspektin biologjik (ADN).

Ta zëmë, në Egjipti rreth 75 përqind janë egjiptas sikur edhe në Siri që janë me prejardhje asiriane, por kulturalisht janë arabë.

Sipas ADN-së, kush do të ishte francez në Francë, anglez në Angli apo amerikanë në Amerikë? Gati askush. Prandaj, ADN-ja në formimin dhe zhvillimin e kombit është e parëndësishme.

ObserverKult


Lexo edhe:

YEVGENY YEVTUSHENKO: DIKUR KAM QENË I SJELLSHËM… NUK ZGJATI SHUMË

Thënie të zgjedhura nga Yevgeny Yevtushenko:

– Jeta është një ylber që përfshin edhe të zezën.

– Ku nuk është më mirë, do të jetë më keq, por nga e keqja në të mirë nuk është përsëri larg.

– Kur e vërteta zëvendësohet nga heshtja, atëherë heshtja është gënjeshtër.

– Autobiografia e një poeti është poezia e tij. Çdo gjë tjetër është vetëm një fusnotë.

– Bëhu i barabartë me talentin tënd, jo me moshën. Le të jetë i turpshëm ndonjëherë hendeku mes tyre.

– Në çdo njeri që vdes, me të vdes, bora e tij e parë dhe puthja dhe lufta. Nuk vdesin njerëzit, por vdes bota në ta.

-Ai që është ngjizur në kafaz, ka mall për kafazin.

-Më thonë duke tundur kokën:
“Duhet të jesh më i sjellshëm. Ti je disi i tërbuar”.
“Dikur kam qenë i sjellshëm. Nuk zgjati shumë.”

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult