Ribotohet “Në Klubin e të shëmtuarve”, romani që estetizon shëmtinë

Dhjetë vjet pas botimit të parë, “Botime Artini” risjell për lexuesit romanin e parë të Gëzim Aliut “Në Klubin e të shëmtuarve” .

Vepra “Në Klubin e të shëmtuarve” (2009) është ndër krijimet e para letrare në Kosovë që shpërfillë totalisht ideologjinë nacionale që e shquan përgjithësisht prozën shqipe. Shkrimtari Gëzim Aliu me romanin e tij të parë tregoi se pseudo-patriotizmi nuk është streha e tij, shkruan recenzentja e librit, Donika Dabishevci.

“Alegoria si dominantë figurative ndërton paradigmën krijuese që estetizon shëmtinë e botës sonë të vogël, përballë së cilës kategoritë e tjera estetike, sidomos e bukura, ngufaten, luftohen. 

Përmes dinamikës së veçantë narrative, më saktësisht lojës së fortë me kohën dhe, edhe rrëfimit “pa dorëza” të personazhit kryesor, që njëkohësisht është edhe narrator i historisë së vet, shpërfaqet individi i tëhuajsuar në shëmtinë e një bote thuajse pa shpëtim; shoqëria e dehumanizuar, kriza kulturore e vlerore, zhdukja e normave morale, mosnjohja e asnjë lloj detyrimi a përgjegjësie individuale a shoqërore, rrëmujë që përmes parimeve e ligjësive të tjera nxjerr në pah synimet e një grupi shoqëror, “të shëmtuarve” që nuk zgjedhin mjete për të shtrirë dominimin dhe pushtetin. Ribotimi i romanit që vjen tashmë pas 10 vjetësh, na e ofron pra edhe një paralelizëm mes realitetit fiksional dhe atij faktik-jetësor të atdheut të autorit!

Por, përtej shtresëzimeve semantike, që janë të shumta dhe mund të lundrosh në interpretimet që mund t’u bëhen atyre, varësisht qasjes ndaj tekstit, “Në Klubin e të shëmtuarve”, mund të shijohet edhe si një roman i shkruar me elegancë artistike, nga një autor që njeh mirë teknikat e shkrimit dhe rrëfimit dhe që ka vetëdije të lartë estetike”, thotë tutje Dabishevci.

Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist; doktor i shkencave në letërsi. Është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer në disa gjuha të huaja.

Deri më tash ka botuar:
Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë (studim, 2007),
Në Klubin e të shëmtuarve (roman, 2009, fitues i Çmimit Vjetor Kombëtar)
Libri i fundit (tregime, 2012)
Katedralja pa kryq (roman, 2014)
Romanet e Ismail Kadaresë, 1963-1990, retorika e tekstit dhe narracioni, (monografi, 2016, fitues i Çmimit Vjetor Kombëtar)
Gostí në natën e parë të vjeshtës (roman, 2017, fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi”për letërsi 2018; ribotuar më 2019)

ObserverKult