Një porosi e fundme e shkrimtarit, Kiço Blushi, ka shkuar në vend. Shkrimtari që u nda nga jeta dy vite më parë, pas një sëmundjeje të rëndë, rivjen para lexuesit me një prej veprave të tij më të njohura, romanin “Beni ecën vetë”. Vepra në riobotim përfshin mbi 110 vizatime me ngjyra të realizuara nga Zamir Mati, mik i vjetër i tij. Mati rrëfen në këtë intervistë bisedat me Kiço Blushin dhe porosinë që la para se të shuhej.
– Është ribotuar romani i shkrimtarit Kiço Blushi, “Beni ecën vetë”. Tashmë Kiço nuk jeton. A është ky botim një dëshirë e tij?
Në vitin 2008 Shtëpia Botuese e Librit Shkollor e Re, Tiranë duke lidhur e nënshkruar një kontratë me shkrimtarin Kiço Blushi vendosin të ribotojnë romanin “Beni ecën vetë”, libër i botuar për herë të parë nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, në vitin 1976 dhe me një tirazh 10000 kopje, tashmë realizuar në film nga regjisorja e shquar e filmit shqiptar për fëmijë, Xhanfize Keko, në vitin 1975. Nevoja e shkollave me programet e saj përfshin edhe librat jashtëshkollorë, e kështu bënte të domosdoshëm ribotimin sa më parë të romanit “Beni ecën vetë”, një nga romanet për fëmijë nga më të vlerësuarit në letërsinë shqiptare në vitet ‘70-‘80 dhe i njohur për trajtimin e dashurisë ndaj natyrës fshatit e njerëzve të tij.
I ndodhur në Shqipëri atë verë midis familjes, shokësh e miqsh, shkrimtari Kiço Blushi më propozon të realizoja kopertinën e librit “Beni ecën vetë”. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë propozimi i shkrimtarit dhe shokut tim. Përpara tavolinës së radhës të ditëve të shtuna midis shokësh si Agron Çobani, Albert Shala, Enver Muça, Artur Zonja, Melsi Çobani, Alfons Gurashi, Betim Muço, Limoz Dizdari, Nasi Lera dhe me ordinatorin tim përpara, së bashku pamë një numër punimesh të mia, të cilat mund të shërbenin si kopertinë dhe Kiço Blushi u ndal, pëlqeu dhe zgjodhi një peizazh me ngjyra vaji i bregut të liqenit të Pogradecit, me fshatin e bukur të Linit dhe për kopertinën e mbrapme, një pikturë të Pazarit të Korçës dhe një karvan me mushka të ngarkuara nga koleksioni im i punimeve të punuara në fshatit Dardhë, Korçë. Kështu unë i shtova si ide tashmë pothuaj të ndërtuar kopertinës figurën e Benit me shkopin në dorë, ku gdhenden ditët e qëndrimit në fshat, personazhit kryesor të librit.
Shkrimtari Kiço Blushi e pëlqeu idenë e kopertinës dhe kështu së bashku e kishim më të lehtë zgjidhjen përfundimtare të saj. Diskutimi për ribotimin e librit u ndal edhe në keqardhjen e një kohe të shkurtër dhe të pamjaftueshme për të pasur një ribotim me vizatime me ngjyra, një dëshirë e veçantë e shprehur nga shkrimtari me drojën e një kërkese, të cilën shoku im e kuptonte si të pamundur të realizohej për kohën e shkurtër të imponuar prej kontratës së botuesit me shtypshkronjën dhe fillimin e vitit shkollor.
Megjithatë, në botimin e vitit 2008 unë i propozova të vendosnim vizatime të vogla bardhezi si vinjete dhe në ribotimin më të parë i dhashë fjalën shkrimtarit Kiço Blushi dhe Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor e Re se unë do të realizoj vizatime me ngjyra për të tridhjetë krerët e librit, të cilat pa tjetër kërkonin edhe kohën e tyre të realizimit.
– A ka ndryshime nga botimi i parë?
Kam pasur fatin të njihja shkrimtarin Kiço Blushi jo vetëm prej veprave të tij “Pajtoni i fundit”, “Koka e prerë”, kushtuar ditëve të fundit të jetës së Ali Pashë Tepelenës në kështjellën e ishullit të liqenit të Janinës, për të cilin kam realizuar edhe një seri pikturash me ngjyra, të cilat mund të vendosen në një ribotim të tij në të ardhmen, “Gjuha e gjakut”, “Mos”, të cilit i kam realizuar edhe kopertinën etj.. Kjo njohje është edhe për romanin “Beni ecën vetë”, të cilin e plotësova me mbi 110 vizatime me ngjyra. Është për herë të parë që romani “Beni ecën vetë” botohet si i tillë dhe ky është ndryshim i rëndësishëm nga ai i botimit të parë i vitit 1976, i cili nuk ka ilustrime përveç kopertinës të punuar nga piktorja e talentuar Safo Marko, e cila për të gjithë piktorët e piktoret, të cilat merreshin me grafikën e librit dhe revistave ilustruese si “Fatosi”, “Yllka” dhe “Pionieri” ishte një mjeshtre, shkollë dhe libër ku reflektonin e mësonin për origjinalitetin, linjat estetike, kompozimin, dekorativitetin, harmoninë e ngjyrave nëpërmjet ilustrimeve të mrekullueshme të piktores Safo Marko. Piktorja Safo Marko zgjodhi për kopertinën e botimit të parë të vitit 1976 portretin e Benit të marrë nga filmi i saporealizuar dhe i stilizuar në stilin e veçantë të piktores. Një portret i qeshur, fëminor dhe me ngjyra harmonike. Ndërsa teksti i romanit është po ai dhe i pandryshuar, kjo edhe nga dëshira dhe kërkesa e prerë shkrimtarit, i cili nuk dëshironte të kishte asnjë ndryshim nga botimi i parë i romanit të vitit 1976, edhe pse kohët kanë ndryshuar. Kjo dëshirë dhe kërkesë e shkrimtarit është ndryshe nga shumë raste kur shkrimtarë në ribotimin e veprave të tyre të botuara vite më parë bëjnë edhe ndryshime, duke iu përshtatur kohëve dhe sistemeve që kanë ndryshuar. Kështu është kërkesa e vetë shkrimtarit që në ribotimin e vitit 2008 të mos ketë asnjë ndryshim, kërkesë e veçantë e tij bërë ndaj shtëpisë botuese. Duke rilexuar romanin bindesh për kërkesën e shkrimtarit, sepse romani nuk ka rutinën e librave skematikë, të cilët autorët e tyre ilustronin idetë e sloganet politike larg gjuhës letrare e artistike. E pikërisht romani “Beni ecën vetë” është një vepër, e cila do të vlerësohet në të gjitha kohët, sepse kjo vepër nuk është skematike, por një vepër e vërtetë letrare ku tema e dashurisë për natyrën, fshatin, njeriun, shokun apo shoqen, kafshët, punën është e natyrshme dhe njerëzore. Ky roman ka hyrë në fondin e artë të letërsisë kombëtare jo vetëm nga shtjellimi i temës së dashurisë për natyrën dhe atdheun, por edhe për gjuhën e thjeshtë e figurat letrare të gjetura. Megjithatë, çdo libër ka edhe redaktorin e tij letrar dhe në ribotimit e fundit, i cili është i treti, dallohet puna e kujdesshme e redaktorëve Oriana Osmani, Dolores Cipo dhe Teuta Mati, ashtu si edhe puna e formulueses grafike Besa Mati.
Një film me skenar të Kiço Blushit, mban të njëjtin emër, duke i dhënë tashmë imazh imagjinatës. Si u ndërtua filmi i Xhanfize Kekos?
Fillon e rinjihesh me veprën, e cila në rastin e këtij romani për fëmijë është edhe i realizuar si film prej regjisores së shquar të filmave për fëmijë Xhanfize Keko, me muzikë të kompozitorit Limoz Dizdari dhe ku luajnë me mjeshtëri një grup aktorësh e aktoresh dhe fëmijë aktorë, të cilët me lojën e tyre të natyrshme e kanë bërë këtë film nga më të pëlqyerit ashtu si shprehet “Artisti i Popullit”, Robert Ndrenika: “ Mendoj se ‘Beni ecën vetë’ është (në mos më i miri) nga filmat më të mirë të kinemasë Shqiptare”. Realizimi filmik e ka bërë filmin “Beni ecën vetë” të dashur për familjet dhe fëmijët, të cilët e shohin dhe rishohin atë.
E veçanta e filmit “Beni ecën vetë” është se ai u realizua me skenarin e shkruar prej Kiço Blushit dhe këtë veçanti e thekson me mendimin e tij të shprehur edhe regjisori i shquar Piro Milkani, që thotë se, “zakonisht nga një libër i mirë del një skenar filmi. ‘Beni’ është rast unikal. Fillimisht u bë skenar e pas suksesit Kiço Blushi e bëri libër. Me ilustrimet do ketë një vlerë të shtuar…”.
Por ndoshta realizimi në film mund ta ketë lehtësuar punën si piktor?
Pikërisht këtu fillon vështirësia, filmi ka ngulitur te shikuesit ndër vite dhe breza figurën e Benit të luajtur shumë bukur e natyrshëm nga Herion Mustafarai, ashtu si edhe figurën e xha Thomait të interpretuar me mjeshtëri nga “Artisti i Popullit”, Pandi Raidhi. Kështu, edhe me personazhet e tjerë. Vështirësia e konceptimit figurativ kërkonte një shkëputje prej imazheve të filmit e në këtë mënyrë të kenë origjinalitet, për këtë shkëputje konceptuale më ndihmoi “mendimi kritik” i nipit tim, Daniel, 6 vjeç, i cili sa herë që shihnim së bashku filmin “Beni ecën vetë”, me keqardhje shprehej: “O gjyshi, po pse është pa ngjyra filmi”?
Dhe janë ngjyrat, në të cilat unë mbështeta shpresën në realizimin e vizatimeve, të cilat do të shoqëronin faqet e librit në të tridhjetë krerët e tij. Çdo kre i romanit fillon me një shkronjë të vizatuar dhe zbukuruar me motivet, të cilat nxirren nga shtjellimi i ngjarjes për lexuesin e vogël. Kjo krijon një tërheqje për të ngulitur ngjarjet, të cilat janë të ndryshme në të tridhjetë krerët e librit. Ato sinjalizojnë pak sa për çfarë do të ndodhë dhe memorizojnë te lexuesi secilin kre të librit, ashtu si këtë rol më plotësisht e luan edhe vizatimi me ngjyra, ose vizatimet me ngjyra që shoqërojnë kreun e librit. Çdo kre i librit në fund ka një tjetër vizatim për mbylljen e tij e kështu në të tridhjetë krerët e tij. Shkronja e parë dhe vizatimi mbyllës i kreut krijon edhe lehtësinë dhe ritmin e leximit për lexuesin e vogël, duke pushuar dhe rifilluar kreun pasardhës. Kjo është ana kompozicionale, të cilës i shtohet puna e kujdesshme e formulueses grafike Besa Mati, e cila ka zgjedhur në harmoni madhësinë e germave, stilin e tyre, hapësirën në të cilat vendosen së bashku me mbi 110 vizatimet me ngjyra në të gjithë librin, i cili ka një format jo të zakontë dhe në formën e një albumi 21x21cm dhe ka 292 fletë. Formati i librit të ribotuar me vizatime me ngjyra do të jetë një libër i dallueshëm dhe prezantues midis librave të bibliotekës së fëmijëve.
Çfarë e pat nxitur autorin ta shkruante këtë vepër, ju e keni njohur për shumë kohë dhe bisedat me të kanë qenë të shpeshta. A kishte ai nxitje nga ngjarje e kontekste personale, apo ishte dëshira për të bërë një libër për fëmijë?
Së bashku me shkrimtarin dhe shokun tim të shtrenjtë, ne kemi udhëtuar nëpër Shqipëri.
Janë të paharrueshme vajtjet tona në Korçë. Gjatë bisedave dhe shoqërimit me Kiço Blushin janë të pashlyeshme për mua ndjenjat e tij dhe dashuria për vendlindjen. Gjatë bisedave, Kiço tregonte udhëtimet e tij nëpër Shqipëri me kamionin e të atit si përshtypjet e një fëmije në rrugët e qytetet e atdheut. Mënyra se si Kiço tregonte të ngjallnin dhe tregonin respekt për njeriun e punës, babain, shoferin punëtor, por edhe dashurinë për nënën, e cila priste e rriste motrën dhe vëllezërit më të vegjël në shtëpinë e vogël buzë rrugës, që lidhte Dardhën dhe Arrëzën në fshatin Sinicë me urën e vogël prej guri, atje poshtë mbi lumë.
Nuk e harroj gëzimin e nënë Natalisë kur u ndalëm buzë rrugës dhe përqafimin nënë e bir. Ashtu si imagjinoja të gjithë kthimet atë e bir në shtëpinë vogël të vetmuar buzë rrugës, rrethuar me stivën e drurëve të prerë e vendosur me kujdes rrëzë murit e nën strehëz.
Buzëqeshjen e saj dhe fjalët e ngrohta të mirëpritjes për ne shokët e djalit, me sytë e sajë të kaltër që shprehnin vetëm gëzim.
Është dashuria për nënën, babanë vëllezërit dhe motrën. Dashuria për shtëpizën e vogël buzë rrugës e pranë lumit me urën e vogël prej guri. Kujtimet e vegjëlisë. Qyteti i Korçës. Dëshira që këto kujtime e mbresa të edukojnë edhe fëmijët tanë për dashurinë ndaj natyrës, njerëzve, fshatit dhe punës së tyre. Dashuria ndaj atdheut e ka shtyrë shkrimtarin Kiço Blushi të ndërtonte romanin, aq më tepër kur shkrimtari ka edhe emocionet e jetuara me fëmijët e tij kur shkonin në shtëpinë e gjyshërve dhe duke kuptuar këtë dëshirë, edhe mua si piktor më ndihmonte të imagjinoja këtë peizazh dhe zonë, të cilën e kisha njohur jo vetëm me shokun e shkrimtarin Kiço Blushi, por edhe nga udhëtimet krijuese disa vjet rresht në Korçë dhe fshatin e bukur të Dardhës me piktorët Gjergji Marko, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Niko Progri, Kujtim Buza, Nexhat Majollari, ku kemi ekspozuar edhe punimet tona. Por, për Kiço Blushin ishte e veçantë edhe dashuria dhe respekti për shokët dhe miqtë. Ai ishte i kujdesshëm të ndiqte krijimtarinë dhe veprimtarinë e tyre. Janë të njohura dhe shembull shoqëria e pashkëputur me gazetarët Agron Çobani, Enver Muça Albert Shala, Artur Zonja, regjisorin, dramaturgun, shkrimtarin e humorit Leka Bungo, artistin e popullit Robert Ndrenika, regjisorin, shkrimtarin, skenaristin, artistin e merituar Rikard Ljarja, ing. Spiro Konduri, kompozitorin, artistin e merituar Limoz Dizdari, shkrimtari Nasi Lera, piktorin nga Kosova Eshref Qahili etj.. Ishte i kujdesshëm të ndihmonte edhe në situata të vështira dhe të rruante marrëdhëniet miqësore. Miqësia dhe shokët për të ishin të shenjta.
Ai ndahej mes shkrimtarit e skenaristit. Vitet e fundit dukej se la mënjanë këto dy zhanre, për t’u ndalur te publicistika, ku reagonte për çështje të ndjeshme në vend dhe krizat kulturore. Nga istikami i tij, i njeriut të letrave, ai tashmë i shihte dhe i shpinte këto kriza në një kahe debati kur prodhoheshin ide. Sa i vuante ai bjerrjet e kulturës?
Unë mendoj se kur flasim për shkrimtarin Kiço Blushi është e vështirë ta ndajmë krijimtarinë e tij, edhe pse ai zhvilloi zhanre të ndryshme si tregime, novela, romane, skenar filmash dhe publicistikë. Në të gjithë krijimtarinë, Kiço Blushi dallohet për tematikën, e cila është e lidhur me mjeshtëri artistike, me historinë e atdheut, përpjekjen e popullit shqiptar për liri e kulturë. Kiço Blushi i shpalos këto ide dhe i trajton si patriot i vërtetë në skenarët e filmave monumentalë historikë “Nëntori i dytë”, “Udha e shkronjave”, “Koncert në vitin 1936”, etj.. Por, krijimtaria e Kiço Blushit është e pandarë nga problemet e njerëzve, marrëdhëniet midis tyre e kjo veçanti e karakteristikë dhe forca e shembujve, argumenteve, ngjarjeve konkrete për t’u dhënë zgjidhje problemeve shoqërore e politike e dalloi në vitet ‘70 – ‘80 me krijimtarinë letrare e publicistike në artikujt për respektin ndaj traditës, raportet e shtetit dhe politikës me fenë dhe toleranca e domosdoshme, e cila duhej të ishte ndaj saj. Është formimi si qytetar, karakteri i tij i ndjeshëm ndaj problemeve, kuptimi dhe shtjellimi i tyre me zgjuarsi, forcë dhe guxim qytetar, janë këto cilësi që në fund të viteve ‘80 Shoqata e Sociologjisë, e para shoqatë e pavarur nga shteti zgjodhi shkrimtarin dhe publicistin Kiço Blushi kryetar të saj si një personalitet i njohur dhe autoritet i mendimit qytetar. Ashtu si edhe në pluralizmin politik, partitë dëshironin ta kishin deputet të tyre, edhe pse Kiço Blushi ishte një personalitet i paangazhuar partiak dhe një personifikim i mendimit të lirë dhe i pavarur.
“Maison de l‘Albanie” në Paris ishte ajo që njoftonte për ribotimi e romanit “Beni ecën vetë”, ç‘mund të thoni për këtë?
Tashmë ka mbi dhjetë vite që “La Maison de l`Albanie”, Paris është një qendër e kulturës shqiptare në Francë. Edhe pse me një hapësirë jo të madhe, me vitrinën e saj, e gjendur në një nga sheshet kryesorë të Parisit, “26, place Denfert Rochereau”, ajo renditet së bashku me institute e qendra kulturore të 52 vendeve dhe të përfshira në FICEP, organizëm i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Francë dhe Bashkia e kryeqytetit francez. Në këtë hapësirë janë zhvilluar ekspozita, takime me shkrimtare e artistë, prezantime librash, etj.. Është pikërisht shkrimtari Kiço Blushi, kumbari i vendosjes së emrit “Shtëpia e Shqipërisë” kësaj qendre kur i ftuar nga “Kites, Blu, Skay” mori pjesë në takimin ndërkombëtar të balonave në qytetin Dieppe të Normandisë në shtator të vitit 2014, ku ngritëm së bashku balonat me ngjyrat kuq e zi dhe zhvilluam takimin e paharruar me Mirën dhe Kiçon, ku nuk mungoi edhe gazi e hareja e kënga e ëmbël korçare. Këto ditë në hapësirën e “La Maison de l`Albanie” edhe pse akoma jeta kulturore e artistike në Francë nuk është çliruar nga kufizimet mbrojtëse të COVID-19 janë vendosur të 110 vizatimet me ngjyra, të cilat shoqërojnë ribotimin e romanit “Beni ecën vetë” dhe kopjet e para të librit së bashku me veprat e tjera të shkrimtarit Kiço Blushi. Vizitat lejohen deri në grup prej 6 vetash, rregulla të zbatuara për mbrojtje nga virusi COVID-19, por rrjetet sociale në këtë kohë të vështirë pandemie i thyejnë kufijtë. Edhe pse lajmi në “FB” për ribotimin e romanit “Beni ecën vetë” shoqërohet me pak foto, urimet, përshëndetjet për vizatimet me ngjyra të librit janë shpërblimi më i bukur për mua dhe respekti e dashuria për veprën e pashlyeshme të Kiço Blushit, të cilën pata fatin të plotësoja me vizatime me ngjyra, duke plotësuar dëshirën e shkrimtarit Kiço Blushi disa kohë më parë, të cilën ma kujtonte edhe miku i ynë i përbashkët, gazetari Enver Muça./ Nga Fatmira Nikolli–Gazeta shqiptare