Ridvan Dibra, nesër promovon librin e fundit në Prishtinë

Nesër në Librarinë Dukagjini në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00, promovohet libri “Për romanin dhe romanet” i autorit Ridvan Dibra , botuar nga Bard Books.

Në librin eseistik Për romanin dhe romanet, Ridvan Dibra flet për romanin si zhanër dhe për 17 romanet e tij.
Në hyrje të librit, autori shkruan: “Për romanin është folur dhe flitet shumë. Ndoshta më shumë se për çdo lloj tjetër letrar. Tjerrën teori e traktate. Përpunohen parashikime e pandehma. Prej atyre kobzeza, që paralajmërojnë “vdekjen e romanit”, deri tek ato më optimistet, të cilat shenjtërojnë mbretërimin e tij. Si përherë, e vërteta rri diku në mes. Ndërsa romani veçse stërpiket paksa prej gjithë këtij rrebeshi teorik dhe estetik, duke vazhduar të jetë, si përherë, njëri prej miqve më të mëdhenj e më besnikë të qenies njerëzore. Tashti, pas më shumë se tridhjetë vjet krijimtari, kur kthej kryet mbrapa dhe shoh që emrin tim e mbajnë jo pak, por plot shtatëmbëdhjetë romane, them se kam të drejtë edhe unë të shpreh, me modesti, ndoca përshtypje e konsiderata për këtë Mik të Madh, i cili ka shënjuar jo vetëm krijimtarinë, po krejt jetën time. Do ta bëj sipas mënyrës sime. Pa tjerrë teori e traktate. Duke u mbështetur, para së gjithash, te përvojat e mia me secilin roman. Por edhe duke i kërkuar ndihmë kujtimeve dhe shënimeve, që kam mbajtur herë pas here”.

ObserverKult