Rihapen muzetë e galeritë

Pas më shumë se dy muajsh muzetë dhe galeritë janë rihapur.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës vizitorët mund të shohin ekspozitat e hapura para pandemisë.

“Heshtja e rëndë” e artistit Burim Gashi dhe historitë që vijnë përmes fotografive të ekspozitës “World Press Photo” do të qëndrojnë të hapura në Galerinë Kombëtare deri në qershor.

Shkaku i pandemisë, institucioni që është rihapur të martën, ka vënë si rregull që vizitorët të jenë të pajisur me maska e dorëza. Por galeria nuk ofron madje as dezinfektues.

Drejtoresha e këtij institucioni, Arta Agani, tregon rregullat që duhet ndjekur, ndërsa për ekspozita të reja ende s’kanë vendosur.

Muzeu Kombëtar i Kosovës është hapur të hënën përkitazi me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Vizitorët mund të shoshin ekspozitën e përhershme që pasqyron historinë e vendit përmes eksponateve arkeologjike e historike.

Sa u përket masave mbrojtëse në sallat ekspozuese nuk ka as dezinfektues. Stafi nuk e ka ende të qartë se si do të veprohet.

Ndërsa të hënën dhe të martën nuk ka pasur asnjë vizitor.

Galeria e Ministrisë së Kulturës është i vetmi institucion që ofron dezinfektues për vizitorët e që është sjellë nga stafi.

Mbyllja e institucioneve të kulturës më 13 mars, kishte bërë që ekspozita e Argenita Fetahut të mos jetë e qasshme një javë pasi u vu në dispozicion të publikut. Deri në qershor pritet që pikturat e Fetahut të qëndrojnë aty.

Por hall në vete del të jetë realizimi i programit edhe shkaku i mbylljes së kufijve. Koordinatorja e Galerisë, Dhurata Ramosaj-Shala, thotë se ende nuk e dinë saktë se si do të veprohet.

Një pjesë e programit vjetor të të dyja galerive do të bartet për vitin e ardhshëm./koha