Rikard Ljarja: Nuk dua të marr “ilaçe”, nuk dua të bëj…

rikard ljarja
Rikard Ljarja

Nga: Rikard Ljarja

Fjalë, fjalë, fjalë… që ngatërrohen me njëra tjetrën dhe që krijojnë… me njëra tjetrën dhe që krijojnë… çfarë s’krijojnë: dashuri, hidhërim, dituri, urrejtje, pranverë, lakmi, intrigë, kënaqësi, poshtërim, makutëri…
Emërtojnë sende…

Dhe njerëzit kanë mijëra vjet që kanë mësuar të shkruajnë. Në fillim kanë firmosur me pëllëmbën e dorës vizatimet e “shkruara” në mure shpellash, më vonë në pllaka balte… ca me kuneifere, me hieroglife ca popuj të tjerë.
Dhe…

S’kam ç’them. Është histori e gjatë, dhe nuk jam specialist i kësaj fushe. Por desha të them se të shkruarit letërsi nuk ka asnjë shpjegim të saktë sipas meje.
Është një mister. Është një çudi.

Çfarë nuk kanë thënë shkrimtarët dhe specialistët e fushave të ndryshme për këtë fenomen. Gjithfarësoj formulash. Më një pjesë të tyre edhe unë jam dakord. Po, sipas meje, (ndoshta ia fus kot), më duket se të shkruarit letërsi është një “sëmundje”.

Dhe libri, çfarëdo lloj teme të ketë, ka në themel “simptomat e të sëmurit” dhe “epidemitë” që kanë rënë gjatë kohës kur ka jetuar shkruesi, sigurisht për atë që di të “lexojë”.
Vdesin për bukë e megjithatë vazhdojnë të shkruajnë.

Unë nuk jam shkrimtar.
Se të pohosh se je shkrimtar… Hë!
Por shkruaj njësoj si miliona njerëz në këtë botë, që kanë shkruar dje, shkruajnë sot, e edhe nesër do të vazhdojnë të shkruajnë.

Nuk dua të marr “ilaçe”, nuk dua të bëj, e nuk dua të më bëjnë “kirurgji plastike”.
Me që thashë “sëmundje”, dua të jem ashtu siç jam, i vërtetë. Me të tëra gabimet. Pa më zbukuruar, korrigjuar, redaktuar, korrektuar e ku e di unë se çfarë…
Dua të jem UNË.

ObserverKult

Lexo edhe:

RIKARD LJARJA, AKTORI DHE REGJISORI QË I MUNGON SKENËS SHQIPTARE