Pas një pauze trevjeçare për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, manifestimi letrar “Takimet Ndërkombëtare Letrare ‘Azem Shkreli’” do të rikthehet këtë vit me edicionin e tij jubilar të 20-të.
Rikthimi i këtij festivalit pritet të fillojë në fillim të shtatorit, por përgatitjet kanë filluar qysh tani.
Në lidhje me këtë për Telegrafin njëra ndër organizatoret e këtij manifestimi, Shengyl Kelmendi Gashi, ka thënë se ky edicion i 20-të i këtij manifestimi do të sjellë pjesëmarrës nga vende të ndryshme ndërkombëtare.
“Edhe në këtë edicion kanë shprehur interes krijues ndërkombëtarë si nga Irani, Zvicra, Turqia, Italia, Amerika, Irlanda, Monako dhe Genova”, është shprehur Kelmendi-Gashi.
Sipas saj kjo pjesëmarrje e gjerë ndërkombëtare dëshmon për rëndësinë dhe ndikimin global të këtij manifestimi, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor dhe promovimin e poezisë shqipe.
“Gjithashtu, si çdo edicion, ka për qëllim nxitjen për krijimtarinë e vlerave më të mira poetike si edhe promovimin e vlerave në të gjitha lëmit që ka komuna e Pejës dhe njohja e mysafirëve të shumtë nga vendet e huaja për këto vlera që Peja i bartë, pastaj për fuqizimin e rolit të skenës së pavarur kulturore në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimin dhe mbështetjen e talentëve të rinj, aktivizimin e të rinjve në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, ka përfunduar Kelmendi-Gashi.
Shoqata “Festivali Ndërkombëtar i Poezisë” në Pejë, së bashku me bashkëpunëtorët e këshillit organizativ të TNL Azem Shkreli, kanë bërë përpjekje të mëdha për të rikthyer këtë manifestim të rëndësishëmm pas tre vitesh mungesë.
Me rikthimin e “Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli”, Peja do të vazhdojë të jetë një qendër e rëndësishme kulturore, duke mbledhur rreth vetes poetët më të mirë shqipshkrues dhe mysafirë të tjerë që kanë interes për gjuhën dhe poezinë shqipe. /Telegrafi
ObserverKult
Lexo edhe: