Rikthimi në identitet

Vështrim rreth romanit të Jusuf Buxhovi “Jeniçeri i fundit”

Shkruan: Nexhat Rexha

Angazhimet në proceset jetësore krijojnë faqe nga më të ndryshmet si në përvijimin e të ndodhurave, të cilat më shumë kanë krijuar absurdin në zbardhjen e pamjeve kohore. Nëpër këto faqe komplekse me intuitën prej njeriut të përvojës e hulumtimit vjen edhe romani i Jusuf Buxhovit “Jeniçeri i fundit”. Trajtimi i temës historike në roman shpalos rrënjë të dridhjeve të mëdha nëpër periudha nga më të ndryshmet. Enigmat e gjakut dhe ngjyra e tij për fatin e njeriut tonë kanë kaluar nëpër shtylla të lëkundura, gjatë proceseve historike, këto lëkundje e dridhje kanë edhe anët e errëta të tyre.

Këtë eklips të rrugëtimit nëpër shekuj autori e ka transmetuar nëpër faqet e këtij romani në kërkim të zbardhjes së karaktereve vrojtuese për të ngritur ndërdijën e etnisë. Këto bredhje i kanë edhe tiparet e veçantitë e botës shpirtërore të karakterit ëndërrues nëpër diktatet e kohëve.

Në këto pika sa identifikuese, po aq edhe domethënëse janë ruajtur tiparet dalluese me elemente tradicionale të botës shpirtërore. Nëpër këtë rrugëtim lodhjet kanë krijuar terrenin hermetik, sepse rendet e reja sunduese te popujt e njohur,që kishin luajtur rol në periudha të hershme janë mbikëqyrur me dioptrinë e karremit. Këtyre ndryshimeve prej njërit besim në tjetrin, për një gjysmë shekulli e me tepër kanë krijuar kthime në frymëzim për rende të reja shoqërore. Duke komunikuar në këto përballje protagonistët e këtij romani vijnë me diskursin e komunikimit gjenealogjik, si zëvendësim i fjalës me doktrinë të ndryshueshme, por edhe si ruajtës të traditës burimore.

Kontinuiteti në etimologji ka brumosje të kapshme,sepse në të është ruajtur porosia e Amës, Atit edhe tek jeniçeri për vite të tëra, si.:(Gur-Guri,Guri i Nanës, dhe Guri i Dheut),kurse Gjarpri i Shtëpisë dhe Gjarpri Pemës , ose Gjarpi i Qiellit janë testamente , relikte mitologjike që kanë lidhje të hershme në kulturën tonë. Lëkura e gjarprit të shtëpisë dhe të ndodhurat në jetën tonë janë elemente të ndishme të personifikimit në gojëdhënat tona gjatë shekujve, të cilat kanë arritur të ruajnë fshehtësinë brenda shtëpisë sonë.

Luftërat gjatë shekujve kanë krijuar Rendin e Ri Ushtarak,e këto rende pastaj kanë depërtuar në mënyra të ndryshme tek popujt që janë pushtuar. Në këto situata kohore janë zgjedhur format e veprimit për të vendosur e depërtuar edhe besime e bestytni të reja, sepse në periudhat e ndërrimit të dijeve, janë ndërruar edhe pikëpamjet e besimeve, sepse planet djallëzore kanë krijuar situata në prishjen e përgjithshme të një realiteti ekzistues në realitetin afirmativë,vetëm nga ikja e një sunduesi tek tjetri.

Konceptimi në fijet e këputura ka shtrirje të gjëra në shtjellimin e problematikës së shtruar, ato vijnë si rezultat e njohjeve të thella të autorit nga fusha të ndryshme të së kaluarës. Parashtrimi në ngjarje ngërthen në vete pjesë nga shumë ide e orientime për të orientuar lexuesin se disa pika informuese ato nuk japin vetëm informacione, por ato kanë pikëqëndrim kanalizues për të rikthyer mendjen dhe dijen në procese si diktate dhe si rrjedhojë e platformave politike, të cilat kanë qenë busull e drejtimeve në qëllime të caktuara.

Në këto kode të kohërave nuk kanë mundur të depërtojnë shumë popuj të botës, e këtë fat jo të mirë e ka përjetuar edhe populli ynë,sepse shumë procese janë lidhur me orientime të huazuara, që kanë bartur me vete edhe misionar nga vende të largëta: ” Dyshohet se ata nuk flisnin as gjuhën tonë,por një të ngjashme me atë të vendeve të moskovit!

“Po na ngatërrohen hesapet nga brenda….”
Ato që thanë Sheh Dyli dhe Sheh Alia m`u lidhën si gur për qafe, ngaqë edhe Baba Bektashi i ndritur kishte zënë ngojë mundësinë e futjes në radhët tona të moskovitëve me anën e disa klerikëve të dyshimtë, që vinin nga popuj të Kaukazit dhe të Krimesë (tatarë,çerkezë,kozakë,ullukë e të tjerë,… të kenë dorë edhe disa shërbime të fshehta të Perandorisë, të njohura për bashkëpunimin me Sinodin e shenjtë,…” fq.134,
Si pjesëmarrja në luftërat turke dhe bërja e radhitjes së jeniçerëve në këto procese, të cilat në shumë raste kanë lejuar avancime brenda rrethit te tyre. Ndërkaq, programi finalizues është dirigjuar dhe realizuar në mënyrë shumë profesionale. Këto diktate kanë ndodhur në shumë procese historike, mirëpo Jusuf Buxhovi në këtë vepër dhe në disa të tjera ka depërtuar në deshifrimin e këtyre kodeve të veçanta për shqiptarët.
ë këtë vorbull të kohëve vijnë edhe kombinimet e dijeve të Vjetra dhe Dijeve të Reja. Në letërsinë tonë në përgjithësi njohja e Bektashizmit është njohur vetëm në pika të shkurta. Në roman autori mjaft bukur ka shfaqur e ndriçuar ardhjen e kësaj doktrine fetare në trevat tona,por në këtë vepër ajo ka topografinë e vet të lokalizuar, e cila ka shtrirje në një trevë ku autori ka jetuar edhe me këto elemente të zhvillimit të saj. Lindja e teqeve në këtë trevë ka edhe misionarët e vetë, të cilët në shumë raste kanë dhënë shfaqje të dukshme në orientimin e popullatës. Mirëpo, fatkeqësitë kanë ardhur në momentet e ndërlikuara ,duke asgjësuar njeriun e dijes për një mision vendor. Këto misione në të dy rastet kanë protagonistë vendor,sepse shpata e të huajit ka depërtuar në dorën e njeriut tonë deri në thellësi . Kështu ,edhe misteret nuk janë qartësuar,apo nuk kanë mundur të qartësohen ,duke krijuar edhe bestytni në shumë raste, duke dhënë edhe parafytyrimin e misterit, se ndoshta fuqia ka ardhur nga perëndia qiellore.
Në romanin “Jeniçeri i fundit” protagonisti Jeniçeri shqiptar tani pas një përvoje të gjatë nëpër luftërat turke, kthehet në atdhe dhe ai kudo që ishte, në jetë e ka mbajtur të gjallë kujtesën dhe fjalët e prindërve. Këto kujtime dhe shumë të tjera nga treva nga ishte ai si: Dukagjini e Bjeshkët e Nemuna janë jo vetëm pika mbështetëse të tij për vendlindjen, por njëherit janë edhe pika referuese të autorit sa i përket vendosjes së ngjarjeve në trollin e Kosovës. Pikat referuese të protagonistëve të romanit janë të shpërndara në dukje të parë,mirëpo ato në pikëpamje filozofike harmonizojnë idenë e shtjellimit të ngjarjeve fabulare dhe në një trajtë tjetër japin ndriçim,sepse ato reflektojnë nëpër udhëkryqet e njerëzimit . Pra edhe kjo periudhë historike i ka lënë pasojat e veta gjatë këtij sundimi shekullor. E sa vështirë dilet nga kjo situatë e sundimit. Lexuesi mund të kuptojë vetëm përmes kryeprotagonistit të romanit “ Jeniçeri i fundit” , e cili është kryeprotagonisti i këtij romani, lexuesi prapë duhet të pyes veten, se pse ai është kudo pse më shumë duket hija e tij dhe bota e brendshme që ka dy porosi nga prindërit, e kjo ka rrjedhën nga faqja e parë e deri tek faqja e fundit,duke aluduar në ruajtjen mitike të Konstantinit se besa është duke bashkëjetuar në Jeniçerin e fundit.

Prekja apo shënjimi i disa ngjarjeve në të kaluarën si nga kultura e luftërat tona dhe ato të përbotshme janë hallka që ndërlidhin ngjarjet në roman dhe i japin shenjat sinjalizuese për lexuesin e vëmendshëm se këto procese i kanë rrënjët shumë më të thella se në dukje të parë. Këto depërtime vrojtuese nuk janë dhënë vetëm për të kaluarën e ndodhur, por mesazhi i tyre vjen e dikton të djeshmen e afërt, të sotmen dhe të ardhmen tonë që vazhdimisht është duke trokitur jo në derën tonë po më shumë në dritaren e atdheut tonë.

Romani “Jeniçeri i fundit” i Jusuf Buxhovit kërkon njohje më të thella të shënjimit të disa ngjarjeve sa mitike e sa reale , për të kuptuar mezashin dhe veprimet e të ndodhurave nëpër rrjedhat historike të etnikumit tonë. Sepse: Dijet e Vjetra,Dijet e Reja, Vargjet e Rumit, Pellazgjia, Perandoria Dardane, profetet hazreti Musai,hazreti Ibrahimi ,Jezusi apo hazreti Isai, Biblioteka e Aleksandrisë. Pastaj luftërat dhe lëvizjet e Ali Pashë Tepelenes, Kara Bushatit e tj.si : Kështjella e Damastionit, Kështjella e Hijes, Kështjella e Drilonit, Kështjella e Pasqyrave, numri shtatë ,pastaj, vdekja e piktorit Gropan Muzaka si dhe Juria e Hijeve, nuk janë vetëm identifikim, por më shumë saktësojnë realen e të ndodhurave jetësore.

Rikthimi në identitet ka për qëllim rikthimin, por a e kemi identitetin gjeografik dhe atë kulturor, që duhet ta kemi, apo nuk jemi në rrugën e gjetjes, apo ndoshta duhet të ruajmë këtë që e kemi sot. Këto dhe parashtrime e të tjera karakterizojnë tërësinë e këtij romani historik,me përsiatje sa filozofike, po aq edhe angazhuese për letërsinë moderne shqiptare. Romani në shtjellimin e brendshëm ka formësimin unikat, sepse funksionalizimi dhe dimensionalteti i dhënë kanë qartësinë e komunikimit për lexuesin e vëmendshëm. Në galerinë e dukshme dhe të pa dukshme Jusuf Buxhovi e shpalosë të djeshmen ,për të ruajtur dhe kultivuar pasurinë mendore që ekziston brenda atdheut tonë të shkapërderdhur në ide e koncepte, që në shumë raste e damkosin etninë tonë, kurse vijat në hartën botërore ku atdheu ynë duket se nuk e ka shkëlqimin që duhet ta ketë nëpër proceset e rendit botëror.

Pra, romani “ Jeniçeri i fundit” i Jusuf Buxhovit, konsideroj se radhitet ndër romanet më të konsoliduara në letërsinë e sotme shqiptare, si në aspektin leksikor e në fjalëformimin gjuhësor dhe në tërësinë e tij krijon faqe konsolidimi në identitetin tonë kombëtar e artistik.