Një tryezë me 6 shandanë, dy tufa trëndafilash e tri karrige gati të padukshme sikur do të mbajnë shpirtra e jo trupa, presin aktorët… Tingujt e violonçelit ndjellin hapat e saj. E veshur në të zeza, Luiza Xhuvani ecën drejt skenës, me sharmin e pacenuar, ndez një qiri, sepse siç poeti i njohur Moëlana Jalaluddin Rumi thotë: “Edhe i vdekuri ngjallet nga dashuria”. Kësaj tryeze shpirtërore, siç janë vetë vargjet e poetit, i bashkohet aktori Ndriçim Xhepa me të riun Kristian Koroveshi, për t’i folur publikut, atij që ka veshë të dëgjojë: “Ç’është më e rëndësishme se dashuria?”. “Mbrëmë i pëshpërita një ylli”, që mban dhe titullin e një prej veprave më të njohura të Rumit, bën që aktori e regjisori i ri të prekë ëndrrën e të interpretojë së bashku me dy ikonat e filmit e të teatrit.
Zëri i Luizës pushton sallën, vargjet që duken gati të bëra për të, bien me kaq peshë, duke i ftuar të gjithë të dëgjojnë zërin e dashurisë tek rrëfen… “Kush është shpirti? Fëmija që është në djep, është fëmija ynë”. Vështirë që poezia të ketë trokitur kaq fort tjetër herë… “Kjo ishte si një bulëz poetike për të pasur një lloj hapjeje shpirtërore”, rrëfen Xhepa pas shfaqjes, pasi ai ia njeh mirë fuqitë e fshehta poezisë. Aktori gjatë interpretimit, krejtësisht i përfshirë nga vargjet e poetit, tregon përshtypjet nga leximi i parë i këtij autori. “Jam befasuar me vargun e tij, me strukturën që ka dhe mënyrën se si u drejtohet elementëve njerëzorë, jetës dhe dashurisë.
Të duket sikur është një poet modern, por kur mendon se na ndajnë shekuj prej tij, mbetesh i mahnitur. Me sa duket, jo më kot është poet i përbotshëm, që populli iranian e ka të vetin. Kjo treshe me në krye Kristianin ishte menduar në këtë formë, pa bërtitje, pa zhurmë, sepse thjesht mbështetet te bukuria e fjalës që ka shkruar autori”, thotë Xhepa, duke vënë në pah edhe angazhimin e aktorit të ri.
“Kristiani është prej dy-tri vitesh ideatori i këtyre mbrëmjeve poetike. Janë shumë aktorë që janë aktivizuar me poezi, si Roza Anagnosti, Timo Flloko, Yllka Mujo”, shton më tej. Xhepa është i vetëdijshëm për pritshmëritë e publikut, që i pushton me duartrokitje malli e kënaqësie. “Ne kemi shumë vite bashkë në skenë, ndoshta edhe spektatori pret që të jemi sërish në teatër apo në film bashkë”, thotë ai.
Kristian Koroveshi: I përulur para Luiza Xhuvanit
“Zgjodha Luizën, sepse ajo është LUIZA XHUVANI. Zgjodha Ndriçimin, sepse është një ndriçim i skenës. Mandej, tabloja plotësohet nga një poet si Rumi”. Aktori i ri, Kristian Koroveshi, i emocionuar e tregon kështu përuljen e dashamirësinë ndaj njerëzve, që i kanë dhënë skenës e njëherazi gjatë mbrëmjes poetike mundi të ishte në lartësinë e duhur, sepse i foli publikut me gjuhën e zëmrës. “Nuk mund të mendoj tjetër emërues të përbashkët të njerëzve, përveçse ndjesive universale. Rumi është i përbotshëm, i kahershëm, që edhe pse i përket shekullit XII, rrëfen një dashuri edhe më emocionale e romantike nga ç’dëgjojmë sot. Prandaj iu drejtova Rumit, për ta idealizuar aq sa unë kam mundësi, sepse besoj fort se çdokush që vjen në këtë botë, merr një dhuratë e këtë dhuratë duhet ta jetojë sa më mirë, duke njohur nocionet e dashurisë e të gëzimit. Askush nuk e ka jetën të mbushur vetëm me çaste lumturie, por edhe brenda dhimbjes së dashurisë mund të gjendet e bukura”, thotë Koroveshi.
Aktori tregon që gjatë këtyre ditëve Luiza Xhuvani është kapur pas poezisë, duke u përgatitur fort e duke i bërë të sajat ndjesitë e poetit (ose, ndoshta dhimbja e dashuria janë gjuhë, që koha s’ka mund t’i ndryshojë e poeti përshkuan ndjesi edhe të aktores). “Kjo shton përuljen time absolute ndaj Luiza Xhuvanit, mirënjohjen ekstreme dhe falënderimin e përjetshëm. Sot ndihem i qetë, i kënaqur, se s’mund të them i lumtur, që ia dola me ëndrrën time ta shikoja të realizuar”, shton ai. Koroveshi tregon se kjo mbrëmje poetike u ideua ndryshe, jo duke deklamuar poezitë në mënyrë të zakonshme.
“Unë u përpoqa bashkë me artistët e mëdhenj të ndërtonim një dramë poetike. Ndaj po e quaj ‘Natë e teatrit e poemës dramatike’. Ne u përpoqëm që të ishim tri personazhe që flasim me gjuhën e Rumit, të dashurisë. Tri personazhe, që kanë brenda dhimbjen dhe gëzimin, që kanë ëndrrën, por që kanë edhe zhgënjimin. Në fund fare, e rëndësishme është që shpirti fluturon prej të gjallëve, fiken dritat e qirinjve dhe jeta vazhdon, mbase në një formë tjetër. Unë jam i lumtur që kjo mbrëmje sot do të transformohet në një formë tjetër, në një formë të kujtesës, për jetën time personale, por edhe të njerëzve që e panë dhe iu la një mbresë. Asgjë të jashtëzakonshme. Një gjë të thjeshtë, por të vërtetë, emocionin…”
Koncepti për mbrëmjen poetike
Koroveshi tregon se me “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” është përpjekur të ruajë thjeshtësinë, sepse sipas tij, publiku shqiptar di ta kuptojë artin e madh. “Publiku edhe artistët janë njerëz. Çdo njeri, emocionet bazike di t’i përjetojë. S’ka njeri që të mos ketë ndierë emocionet e dashurisë, qoftë në dhimbjen e saj, qoftë në lumturinë e saj. Nuk ka njeri në botë që s’ka ndezur një qiri, qoftë edhe për t’u lutur, por edhe për të bërë dritë. Kjo dritë e dashurisë është një dritë për ta bërë njeriun më të mirë, që të kthehet te vetja edhe të thotë: ‘Ku jam, ku isha, ku do shkoj’… Unë sot pyes veten pas interpretimit të Rumit: Ku jam tani?”. Aktori ndalet edhe te mizanskena e krijuar. “Kam dashur ta konceptoj si një darkë mistike për dashurinë, ashtu sikundër Krishti edhe apostujt u ulën në një darkë për dashurinë njerëzore, ashtu siç është vet flijimi në dashurinë hyjnore, për të mirën, për jetën, për njeriun… Ashtu si për të thënë se çdo konflikt, çdo mosmarrëveshje ndahet brenda qetësisë, edhe pse mund të jetë një qetësi e dhunshme”, shton ai.
Një trëndafil blu për Luizën
“Shpirti fluturon nga trupat e të gjallëve”, Luiza Xhuvani fik qirinjtë, dritat bien krejtësisht, drama poetike uli siparin e misioni është arritur. Publiku është i emocionuar, drejt aktores shkon një djalë i vogël duke i dhuruar një trëndafil blu. E ndien dashurinë e publikut të saj, që e përqafon me duartrokitje e brohoritje malli, në të parin rikthim pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, regjisorit Gjergj Xhuvani. Kjo mbrëmje qe edhe për të…/(kohajone)