Rita Petro: Kur puthesh, nuk mund t’i mbash sytë hapur e t’i rrotullosh andej-këtej…

rita petro

Nga Rita Petro

LINDUR SË PRAPTHI

(fragment)

Nga poezia e parë “Puthmë i dashur”, ai lexoi vetëm vargun e fundit:
– Nëse vonon, filli këputet.
– Ja po të puth, – tha dhe ngjiti buzët te buzët e mia. Ngriva se nuk e prisja.
Puthja e tij zgjati disa sekonda. Kur u shkëput tha:
– Kur puthesh, nuk mund t’i mbash sytë hapur e t’i rrotullosh andej-këtej.
– Po shihja këto fotot tuaja me Udhëheqësin e Madh. Lum si ju që e keni takuar.
– Kur mbyll sytë, – vazhdoi ai, – do të thotë se ndien shumë.
Kishte të drejtë. M’u kujtua Fredi, kur pothuaj gjatë gjithë kohës që përqafoheshim e putheshim, unë i mbaja sytë mbyllur.

Ai pastaj shfletoi faqet e bllokut dhe lexonte tek-tuk vargje. Papritmas qëndroi te një fletë.
– “Vetëm ne, ne njerëzit, i vëmë pranga njëri-tjetrit.”
Bukur si ide. E ke bërë krahasimin me natyrën. Po mund të keqkuptohet.
Pastaj ma dha mua ta lexoja poezinë “Çlirim nga ankthi”:

…Ti ke nevojë të ulërish,
Ti duhet të ulërish,
Ti ulërit!…

– Pse ke dashur të ulërish?
– E shkrova një mëngjes, pasi kisha kaluar një natë të keqe. Doja të hidhesha nga ballkoni.
– Çfarë? Pse?
– Isha mbushur me zemërim me të gjithë dhe në fund e mbylla me mamin.
– Kuptoj. Po këto poezi ia tregon mësueses së letërsisë.
– Joooooo. Ajo shtriga e letërsisë më urren. Po punë e madhe.
– Prit pak, – dhe ai filloi të lexonte: “Guximi i moshës së rinisë”:

Dola lakuriq në rrugë,
Dhe njerëzit e vegjël
Të kërrusur nga thesi i thashethemeve
Ngritën gishtin e thanë:
Ajo është! Ajo është fajtorja!
Kapeni! Dënojeni! Ne s’kemi faj!

Njerëzit e mirë, të mençur
Njerëzit e dashuruar
Më pëshpëritën në vesh:
Ti mirë ke bërë, por mbase është shpejt.

Fëmijët e mrekulluar
Hapën krahët e vegjël dhe thirrën:
Sa e bukur qenka
Ajo na përket ne!

– Ju pëlqen? – e pyeta kur mbaroi së lexuari.
– Dola lakuriq në rrugë, ah, – nënqeshi. – Je e çuditshme.
– S’ju pëlqeu? Ju jeni aq i madh, sa sigurisht s’mund t’ju pëlqejë poema ime e vogël.
– Si të shkoi në mendje të shkruaje këtë poezi? Ndryshe fare nga poezitë që shkruhen dhe botohen sot.
– Nuk më shkoi mendja. Pashë ëndërr sikur dola lakuriq në rrugë. Të gjithë më tregonin me gisht.
– Dhe ti çfarë bëre?
– U mbështolla me krahët e mi.
– Askush nuk të ndihmoi?
– Jo…
– Po për t’u zhveshur? Zhvishesh vetë apo të ndihmon dikush.
Më pa drejt në sy. Dhe unë atë.
– Po ja, për shembull, nëse unë të them zhvishu, do të zhvisheshe?


Lexo edhe:

RITA PETRO: FUNDI I KËSAJ BOTE