Riza Braholli: Ata hapa, ato taka

Riza Braholli


Ata hapa, ato taka!
U bubu shpirti ç’m’u vraka!
Dhe në gjumë i dëgjoj
bëhem lëmsh e zë lëngoj
dhe degdisem qoj më qoj.

Ajo gjurmë, ajo këmbë
po ma sjell shpirtin ndër dhëmbë
më thërret e më bën zë
s’di sesi e s’di për kë
e për çfarë të më shëmbë.

Kujt i shkon a kujt i ik,
kë bën hasmë, kë bën mik
ajo takë aq serbes
që çel ditë e sjell mëngjes
edhe mbrëmjen time fik.

Kish kaq hir, por hir mbi hir
sall një ëndërr ju përhir;
jo në sy, se nuk e pashë
në qe grua në qe vashë.
Hap më hap frynte zefir.

Zgjonte jugë, zgjonte veri,
ndërsa unë i mjeri i ri
zija radhë ta kundroj
veç harlisjen t’i dëgjoj
si shpon gjokse, bën magji.

Me kaq jetë e kaq rini
ma çoj mendjen n’arrati
në ca lojëra pulpë e taka,
ca finesa ku lind flaka
dhe jep et për dashuri.

Porse koha që ka shkuar
një mësim më dha, të çmuar
se një ëndërr nëse tretet
taka baltrave do mbetet
dhe do t’hidhet e harruar.

ObserverKult