Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Riza Braholli:
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
-E mbaj mend mirë, ka qenë libri i Naim Frashërit, një përmbledhje për fëmijë, “Për të vegjlit”, apo “Të vegjlit” më duket se quhej. U zgjua te unë një mrekulli. Një botë e përëndërrt u hap para meje. E panjohur, por e magjishme, si në përralla: fabula poezi, muzikë vargjesh. Të ndizej fantazia vetë…
Kur ratë në ‘grackën” e saj?
-Më herët se të lexoja. Para se të njihesha me letërsinë e shkruar. Kanë qenë disa fotografi me ngjyra të theksuara me partizanë, që na i tregonte edukatorja e kopshtit, ato që më kanë goditur apo trokitur në pavetëdijen time poetike, artistike. Asnjë lloj arti nuk mund të vijë e të trokasë i vetëm. Është një botë e tërë e ndërthurur me të gjitha llojet e shprehjes poetike.
Atë kohë nuk e dija ç’ishte lufta, partizanët, por ngjyrat dhe figurat në lëvizje më rrëmbyen dhe më dhanë një ndjesi mrekullie, magjie… të njëjtën ndjesi që më jepnin rrëfimet e përrallave nga xhaxhai im i vogël, që e kam dashur shumë, gjithë jetën, edhe për këtë arsye.
Qe një rrëfimtar i jashtëzakonshëm. Kishte aftësinë që t’i sajonte e risajonte, t’i deformonte përrallat, pa i treguar dy herë njësoj. I sillte në kohën dhe hapësirën ku jetonim. Bëhej vetë personazh apo më bënte mua personazh. Herë isha qerosi, herë më i vogli i vëllezërve, – dhe unë isha vërtet më i vogli në shtëpi – herë bënte qentë apo kuajt e mëhallës, shtëpitë e kalldrëmet tona sikur ishin ato personazhet dhe arena e ngjarjeve…
Eh Abeu im i dashur (kështu e thërrisnim ne të vegjlit atë, Abe; dhe vetëm tashti vonë e kam mësuar që është turqisht dhe quhet vëllai) ti s’dije ç’ishte arti letërsia, por ta dish ç’lumturira e në ç’magjepsje më ke shtënë me artin tënd!
Arsimimi i tij qe sipas sistemit 7 vjeçar, por ai i kishte mësuar të gjitha baladat shqiptare që kishin librat e këndimit të asaj kohe. Nuk e di sa të përndritura e moderne janë metodat e sotme të mësimdhënies e të mësuarit – unë jam vetë mësues – por i falënderoj ata mësues, ata programues të asaj kohe që ua kishin shtënë në gjak artin e madh me mësimin përmendësh… Kostandinin e Doruntinën unë i kam njohur prej tij.
E mbaj mend edhe tashti kur e mbyllte rrëfimin: “një në prag e një në derë/plasën si plloskat me verë”. Dhe mua më vinte të qaja dhe i thosha pse këtë e pse atë, por ai e kishte përgjigjen: “kështu janë përrallat, o xhani i Abekes”.
Por mua nuk mund të më blinte libra atëherë, as prindërit e askush. Në atë kohë ne sapo ishim ndarë nga xhaxhallarët e tjerë dhe kishim vetëm një dhomë ku hanim, pinim e flinim 5 vetë: prindërit e mi dhe ne tre fëmijët, dy vëllezër dhe motra, në një gjendje ekonomike që linte për të dëshiruar.
Dhe megjithatë, fati s’i lë as të pamundurit pa gjë. Mborja, kooperativa jonë, kishte një vatër kulture, e cila kishte një bibliotekë dhe vëllai im më i madh merrte libra për t’i lexuar. Zihesha me të se ia merrja fshehur për t’i lexuar. Nuk m’i linte, por unë e gjeja kohën dhe kështu m’u hapën njëmijë e një dritaret e njëmijë e një netët e bukura që t’i jep vetëm libri, letërsia.
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-Vonë, relativisht vonë, pasi botova librin e tretë me poezi “Prekja e dritës”. Në fillim nuk kam besuar shumë te vetja. Rritja ime në kushte modeste, më kishte bërë të tërhequr në jetë, pa shumë vetëbesim, edhe pse intuitivisht e ndjeja që kisha diçka ndryshe nga shokët kur vinte fjala për librat e artin.
Vetëm pas atij libri u ndjeva i realizuar, sepse kisha fituar njëfarë vetëdijeje poetike; atë kohë mbarova dhe studimet e mia të vonuara dhe po aspiroja edhe për të mbrojtur titullin e doktoraturës mbi Refuzimin estetik në poezinë shqipe. Ndërkohë mora mjaft vlerësime nga njerëz e personalitete të rëndësishme të afirmuara të letërsisë sonë, të asaj kohe.
Por rrugëtimi im kishte filluar herët. Sapo kisha mbaruar klasën e pestë apo të gjashtë dhe ishim në pushimet e verës. Pasi kisha skuqur nja dy vezë që i kisha marrë në tavanin e dhomës tonë, ku pulat kishin bërë furrikët, nuk e di si m’u kujtua motra. Kishte dy muaj që kishte ikur në aksion, në hekurudhë. (Në Pishkash më duket, sepse sa herë kalojmë asaj rruge e kujton.) Më kishte marrë malli e isha gati të qaja. S’e mbaj mend si m’u ndodh fletorja e stilolapsi në dorë. E pra shkrova poezinë e parë për motrën aksioniste. Më pas rrodhën edhe poezi të tjera e pata përçapje edhe për t’i botuar; disa herë i dërgoja në një emision të mëngjesit në radio për fëmijët…
Të shtunave, në orën 7.30, prisja me padurim të lexohej ndonjë poezi apo tregim imi, me ëndrrën për t’u bërë shkrimtar, poet. Asnjëherë nuk e mendoja dot veten ndryshe. Ishte ëndrra më e madhe e jetës. Dhe, tashti që jam pjekur, edhe si njeri edhe si shkrimtar, e di që, për veten apo sytë e të tjerëve, kënaqësinë, nuk ta jep të qenit poet, shkrimtar, por marrëdhënia me krijimin, me përjetimin estetik e poetik…, të shijosh lojën, fshehtësinë e thellësinë e fjalës, ndjenjës, mendimit, imagjinatës… E tëra është bota paralele që ne ngremë nga hiçi i realitetit…
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
-Jo nuk e kam pyetur asnjëherë. Të shkruarit më duket gjëja më normale, më e padiskutueshme, më e pashmangshme që duhej të bëj. Nëse të shkruarit nuk është qëllim në vetvete, por mënyrë të jetuari, të perceptuari të botës, atëherë s’ka sesi. Unë dua të them fjalën time për ato që ndjej e jetoj, që mendoj, që ëndërroj, që përjetoj, imagjinoj…. Qenia në vetvete është një krijim i pandarë nga vepra e një njeriu që i është kushtuar artit.
Të gjithë e bëjnë këtë në mënyrën e vet. Një arkitekt, një urbanist, një kompozitor, një aktor, një piktor, kineast apo fotograf. Unë e bëj në mënyrën time. Sipas asaj që di të bëj më mirë. Gjithë ngarkesat e mia ndjesore, mentale, kulturore që vijnë e akumulohen brenda meje, duhet të dalin një ditë, përveç që vetëdijësimi intelektual dhe artistik të ngarkon dhe me detyra të tjera në planin shoqëror e kombëtar.
Pra shkruaj, sepse është gjëja që di të bëj më mirë, shkruaj se e dua lojën e artit, se më mrekullon e më mbush me magji, shkruaj sepse kështu zë vendin tim më legjitim, më të natyrshëm në mjedisin shoqëror e natyror.
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
-Këtë duhet ta thotë lexuesi: i zakonshëm apo elitar qoftë. Veçanësia mendoj se është paksa e lindur dhe pastaj edhe e kultivuar nga rrethanat, nga mjedisi letrar, kontaktet autorë të ndryshëm, me letërsinë e pastaj me interesat dhe realitetin në të cilin jeton, të cilit i detyrohesh shprehjen poetike, etj.
Pra, në një farë mënyre, një shkrimtar është produkt i rrethanave. E, që të lexosh veten, është e vështirë, por shpesh të duhet ta lexosh, për të parë edhe ku ke arritur e në ç’raport je me bashkëkohësinë. Veçanësia në këto raste shfaqet në planin tipologjik: sa në atë tematik aq dhe në atë të mjeshtërisë poetike apo të këndvështrimeve filozofike dhe estetike që shfaq.
Them se poezia ime priret nga muzikaliteti dhe ndjeshmëria e thellë, shpesh e ndërthurur me përgjithësime filozofike. Për sa i përket motiveve, mendoj se motivi kryesor është ai erotik, parë në këndvështrimin klasik romantik, duke e parë gruan si objekt të idealizuar, por edhe në këndvështrimin modern, parë në kompleksitetin e saj (gruas) bashkëkohor në marrëdhëniet e reja të feminilitetit, seksualitetit, për sa i përket fatit dhe marrëdhënieve të saj në shoqëri, në marrëdhëniet e saj me veten por dhe të raporteve të saj me jetën e të vërtetat që i thotë vetëm arti.
Poeti Fatos Fidani më ka shkruar se proza ime priret nga poezia, lirizmi dhe poezia fiton nga rrëfimi.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Kam thënë shumë gjëra, por të gjitha të thëna më parë. Në këtë botë janë thënë të gjitha. Ne shkrimtarët vazhdojmë të themi në mënyra, forma të ndryshme ato që janë thënë nga të tjerët dhe kjo përbën thelbin e letërsisë.
E thashë më sipër: shkruaj për dashurinë si proces kompleks filozofik e hyjnor që prihet nga e vërteta. Kam shkruar për jetën e njerëzve të thjeshtë, për gruan, lirinë dashurinë. Dashuria për nënën, për babain, gruan fëmijët, të dashurit, vendlindjen, atdheun, njerëzoren, lirinë si koncept i gjerë individual dhe shoqëror, shqetësimet e individit, të unit përballë natyrës, fatit, shoqërisë dhe realitetit.
Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Shumë, shumë… Ne jemi dëshmitarë dhe detyra e një dëshmitari është të rrëfejë të vërtetat. Një ditë im bir që ka lindur në 1992 më tha: “Pse nuk shkruan për atë kohën tënde. Jam shumë kureshtar”
Ka të drejtë më duhet të shkruaj një roman për atë kohë, për ne, për këta që janë pas nesh e ata që do të vijnë. Në planin tematik e ideor e kemi detyrë, në planin e artit duhet të shfaq tërë mundësitë e mia të shprehjes për ta përjetësuar sa më mirë. Të vërtetat të çojnë te arti. Arti të çon te e vërteta.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
-U besoj të dyjave. Më ka ndodhur shpesh që për 5 minuta të kem hedhur në letër një poezi që s’i luaj dot presjen, por shpesh, më është dashur që për një poezi të më duhen edhe muaj të tërë dhe në fund është realizuar po aq mirë sa e para.
E rëndësishme është që poezia apo çdo lloj krijimi të vijë nga përjetimi dhe të jetë shprehje e tërë asaj ngjizjeje dhe përlindjeje që ndodh brenda një qenieje, caktuar nga fati për të krijuar. Pra, duhet përvujtni, punë e pareshtur, ngulmim e përkushtim, deri dhe në vetëmohim të vetes dhe të lirive e kënaqësive të tua. Shpesh, sidomos te poezia me varg të rregullt, të duan muaj e javë vetëm për një fjalë apo për një varg.
Dhe kjo, sa i përket poezisë, por për të shkruar një roman, thuhet midis nesh, përveç këtyre, të duhen të ndenjura të forta. E rëndësishme, sipas meje, është që të pranosh mallkimin e artit mbi veten me përulësinë më të dëshiruar, duke e përjetuar si liri.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
-Jo dhe aq, edhe pse shkruaj çdo ditë. Të jesh sistematik do të thotë të kesh prerje, vullnet shkencëtari që është e vështirë ta ketë një poet. Shkrimtarin e sidomos poetin e kushtëzon çasti, frymëzimi, gjendja poetike, që s’mund të jenë kurrë njëlloj. Mund të ulesh për të shkruar dhe s’shkruan dot asgjë dhe mbush koshat me letra, faqe të grisura. Mund të mos jesh në vendi e kohën e duhur dhe të shkruash apo të krijosh me mend. Është e pamundur ta detyrosh veten, se do fillosh të stërzosh.
Kur e shikoj që s’kam gjë për të thënë ulem e lexoj. Leximi të sjell në gjendjen e duhur, në atë çastin, kur shkëputesh nga realiteti i zakonshëm dhe endesh në një realitet tjetër paralel apo qiellor; je si në ajër e jeton një realitet të dytë. Ndonjëherë, për të arritur këtë stad eterik e abstrakt më duhet të lexoj diçka edhe nga poezia apo proza ime. Sistematik mund të jetë një studiues, por më pak një shkrimtar dhe pamundur them unë një poet.
Sikur të fillonit nga e para, do të bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
-Asnjëherë s’më ka shkuar ndër mend se mund të bëja gjë tjetër në këtë botë, edhe pse mund të numëroja dhjetë profesione të ushtruara nga unë. Të jem i sinqertë, e di që mendoj se si bëjnë këta njerëz pa art, pa poezi! E dinë këta se ç’kanë humbur nga kjo jetë?! Mbase e teproj dhe po t’ia thosha këtë ndonjërit prej këtyre njerëzve do më qeshnin në fytyrë, por ja që unë kështu e mendoj vërtet. Fundja, pas Zotit, si Zoti janë poetët, shkrimtarët; dhe kush nuk do të donte të ishte Ai?!
ObserverKult
Lexo edhe: