Poezi nga Riza Braholli
Sonte dua të jem vetëm me ty
vetëm me erëmimin tënd,
me frymën që e ke vetëm ti
dhe që më bën mua të jem yt bir.
Në udhë jam;
arratia pas një reje është udha ime
me fije të hollë flokësh
gjithmonë të bardhë.
Por, të gjitha retë
të çojnë te vjeshta, te dimri
e unë jam dheu i braktisur
i beharit që lakmon shira.
Ah qielli i atij motit
me prush qershori…!
Tashti të gjitha netët kanë një yll që digjet
e zemra ime është një pëllëmbë
që mbledh hirin
e asaj dite.
Dua të vij tek ti átë,
veç, atë shtegun e vjetër,
ma përmbyti loti i mallit;
dhe si ta gjej përmidis gjithë atyre
shtigjeve pafund e të ftohta të ballit?
ObserverKult
Lexo edhe:
RIZA BRAHOLLI: MOS EJA TË LUTEM, MOS EJA
Mos eja të lutem, mos eja;
jam shembur e jam një rrënojë,
i shtrydhur, i tymtë si reja,
që era e hedh ku të dojë.
Ç’do gjesh më tek unë; në vatër
nuk ndrin e nuk ndizet më zjarr,
çatia e shembur dhe trarët
vithisur si pllazhdat në varr.
E ndjej si gërhet er’ e vjetër
dhe dimrin në eshtra e ndiej
trishtim e funebër në veshë
kambanë pa gjuhë që hesht.
Po ç’erdhe; me puthjen e ëmbël,
të valat buzë ç’m’i ngjit?
Më kot, s’më shqitet një nëmë;
s’ma shtie dot diellin në shpirt.
Ç’e nget atë lotin e gjorë,
që shkon e të falet në gushë;
në sy dhe i lagët, i ftohtë
më mbin dhe me akull më mbush.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult