“Ti do ikësh një ditë prej meje”, Leka Sefla lexon poezinë e Riza Brahollit

Poezi nga Riza Braholli

Ti do ikësh një ditë prej meje.
S’e di pse,
s’e di qysh, por do të ikësh.

Gjërat e vërteta vetëm i ndjejmë;
s’i mendojmë dot dhe mua
një gjë më dridhet në gjoks,
një si fërfërimë flete
kur i vjen çasti të bjerë.

Nuk di si ta them ndryshe, ndodh
si ditën e një feste: mbaron
e shtëpia mbetet bosh
në duart e zbrazura të pjatave,
të një tryeze në heshtje.

Po, një ditë do ikësh,
e kam bindje.
Po pse unë përpiqem, i them vetes: jo
s’do të ndodhë, ajo më do;
më do si zjarrin e dimrit,
si muzgun fëshfëritës,
si freskun e verës më do…” megjithëse,
së thelli
një buzëqeshje nxjerr kokën,
i jep një mbledhje buzësh rrekjes sime.

Një ditë po, kam frikë, pse ta fsheh,
do të më mbeten në sy vetëm shpina,
flokët që do të hidhen supeve
duke luajtur me erën…

O Zot, më lër të shpresoj; ajo
akoma më thërret
në lojëra e çudira që i pjell veç një mendje,
një imagjinatë zemre
dashuruar si tingulli me kitarën
e më thërret të dëfrejmë.

O Zot, mos më lër ta besoj;
do të vdisja dy herë.

*Titulli i origjinalit: “Një ditë”

ObserverKult


Lexo edhe:

RIZA BRAHOLLI: LETËR PËR T’U DJEGUR

ObserverKult