Tre arkitektë-restauratorët Emin Riza, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo u vlerësuan nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë me titullin, “Mjeshtër të arkitekturës”. Kreu i Shoqatës së Arkitektëve Armand Vokshi bën apel se, përmes trashëgimisë kulturore është momenti të kthehet vëmendja tek ruajtja e identitetit tonë kombëtar
“Shqipëria ndodhet një moment drastik të fytyrës së saj. Faktikisht, ndoshta ka ardhur koha që ne të mendojmë ndryshe, të mendojmë siç kanë menduar këta specialistë në tërë këto vite, edhe nga sot ne t’u përkushtohemi vlerave të ruajtjes së identitetit, që kemi në vendin tonë”, shprehet kreu i Shoqatës së Arkitektëve Shqiptarë, Armand Vokshi.
Tre arkitektë-restauratorët e njohur, Emin Riza, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo u vlerësuan nga Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”. Kontributi 55-vjeçar që kanë dhënë në fushën e trashëgimisë kulturore përmes evidentimit, studimit, dokumentimit, mbrojtjes dhe restaurimit të trashëgimisë së Monumenteve të Arkitekturës në Shqipëri, por edhe publicizimit të kryeveprave shekullore prezentë në trojet shqipfolëse i bën këta tre specialistë modele për brezat që do të vijnë.
“Këtë herë mesazhi është shumë i qartë, prandaj edhe çmimi u shkon çmimi tre arkitektëve që janë marrë me restaurim hulumtime, evidentime edhe dokumentime. Faktikisht mesazhi në 2020-n është shumë i qartë që: Këto vepra kanë qenë modernitete dhe në kohën kur janë ndërtuar”, thotë Vokshi.
Ndonëse specialistë karriere në fushën e trashëgimisë, Emin Riza, Pirro Thomo edhe Aleksandër Meksi, përmes një letre që e lexoi i biri, shprehin mirënjohjen për këtë vlerësim
“Vlerësimi që po na bëhet ne të treve, që nuk kemi përzgjedh ndonjë meritë për t’u marrë me monumentet, por në kohën e bolshevizmit të skajshëm apo enverizmit, na përcaktonin vendet e punës pas kryerjes së shkollës së lartë. Ne të tre asokohe në Institutin e Kulturës Materiale, kemi qenë të parët kuadro të lartë, që nisëm të merreshim me vlerësimin e monumenteve”, shprehet profesor Riza.
“E kemi nis këtë punë në fushën e gjurmimit, vënies së mbrojtjes edhe restaurimit të trashëgimisë kulturore të tre në vitin 1962 edhe po vazhdojmë sa mundemi dhe kur na kërkohet që të merremi me këtë punë. Kontribuojmë edhe do vazhdojmë që të kontribuojmë sa të mundemi me botimet tona”, thotë përmes letrës së dërguar për të pranishmit, profesor Aleksandër Meksi.
“Të them të drejtën u gëzova shumë për këtë vlerësim, më shumë u sepse vjen nga brezi i ri. Kjo për mua është një garanci, jam optimist se puna jonë do shkojë mirë dhe më mirë në të ardhmen. Ky stafet kalon në një dorë të sigurtë të rinisë, që ka respekt për vendin e vet, me kushte dhe njohuri më të mëdha sesa tonat, që do ta çojnë para këtë mision dhe stafet të shenjtë që kanë marrë”, thotë profesor Thomo.
Ndërsa, profesor Emin Riza e ka me merak atë çka është bërë në fushën e trashëgimisë në këto 30 vite, prandaj ai ka një porosi edhe për pasardhësit për ruajtjen e vlerave historike e monumentale të trashëguara nga gjeneratat e shkuara, si pasuri e jashtëzakonshme e vendit tonë
“Tani jemi në demokraci edhe mund të flasim, pasi drejtori nuk i di gjithmonë të gjitha, duhet që institucionet që të jenë të përgatitura për të krijuar sa më shpejt brezin e dytë të punonjësve, që duhet të jetë më i madh në numër se treshja jonë, për të mbajtur në këmbë mbikëqyrjen kompetente të problematikave të shumëllojshme, që kanë mbartur monumentet, veçanërisht sepse pas viteve ‘90 ka një rënie të jashtëzakonshme të interesit nga shteti shqiptar”, përfundon Emin Riza.
Në Muzeun Historik Kombëtar u ekspozuan për dashamirësitë e trashëgimisë edhe projektet që kanë realizuar tre specialistët ndër vite, si arkitekt-restaurator në monumente dhe banesa popullore./shqiptarja.com