Robert Radoja – zbuluesi i talenteve muzikore

                            

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë  Robert Radojës.

Kjo foto i takon qershorit 2005 në një ceremoni të organizuar për kremtimin e 85-vjetorit të lindjes së Profesorit të njohur të muzikës dhe etnomuzikologjisë, Ramadan Sokoli në një nga sallat e Ministrisë së Kulturës. Gjatë veprimtarisë, përveç të tjerash, u ekzekutuan nga artistë të ndryshëm disa pjesë të zgjedhuara vokale dhe instrumentale nga krijimtaria e prof. Sokolit. Të gjitha veprat muzikore të paraqitura u intepretuan me nivel të lartë e dashuri nga këngëtarë dhe instrumentistë të njohur dhe u pritën me kënaqësi të madhe nga të pranishmit. Ishte, në një farë mënyre një Koncert Recital me krijimet e kompozitorit.

Nga Qerim Vrioni

Ndër artistët ekzekutues ishte edhe Robert Radoja (Bolonja, 1938), i cili ka kryer studimet për piano në ILA në vitin 1966. Ai mbetet një nga mjeshtrit më elegantë të orkestrimeve të këngëve në Festivalin e RTSH-së, ku numëron mbi 40 sosh. Për një kohë të gjatë ka drejtuar sektorin e muzikës në Pallatin e Pionerëve të Tiranës. Nga duart e tij kanë dalë një numër i madh i këngëtarëve të njohur të vendit, si Inva Mula, Ema Qazimi, Liliana Kondakçi, Ermonela Jaho, Alqi Boshnjaku etj. Në këtë lëm Radoja mbetet i paarritshëm. Ai është edhe kompozitor i muzikës të disa filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Te ceremonia mbresëlënës për mua ishte sidomos ekzekutimi në piano i një pjese instrumentale të Sokolit nga muzikanti, mësuesi dhe zbuluesi i shumë talenteve muzikor (ndërkohë edhe pianist virtuoz), Robert Radoja. Ai ishte, gjithashtu edhe një mik i hershëm dhe i afërt i profesor Ramadanit.

Ramadan Sokoli dhe Robert Radoja rridhnin të dy prej një qyteti me histori e kulturë të lashtë, Shkodra, pra i lidhte sëpari vendorigjina e familjeve të tyre. Lidhja më e madhe midis tyre ishte magjia e muzikës. Ndoshta, prandaj Radoja, interpreton i përkulur shumë mbi piano, thellësisht i përqendruar, madje sikur po bisedon me profesorin nëpërmjet notave për të zbuluar shpirtin e tij të madh muzikor.

Nuk prita të më humbiste një rast i tillë dhe e fotografova.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KUR PIKTURON SKËNDER KAMBERI