Mitologjitë e aktualizuara të modernitetit-Optika e Roland Barthes është ajo e dyshimit total dekartian, pra e problematikës, duke iu larguar me alergji trajtimeve tradicionale. Krijmtaria e tij zotërohet nga dy elemetet e rëndësishme, por dhe në drejtime relativisht të ndryshme: ekzistencialja dhe konceptualja
“Mitologjitë moderne” nga Roland Barthes është një përmbledhje esesh, me një përkthim elegant nga Persida Asllani. Ky libër përmban një sërë esesh, ku koha nuk ekziston, periudhat historike kanë fituar akohësinë, duke u përplasur mes tyre. Mitet: personazhe, objekte, ligjërime zhveshin tiparet e tyre mitike, madhështinë, gjenialitetin, sublimimin që i përcjell në publik, atë antik, klasicist, modern, postmodern, duke iu nënshtruar kështu me gjithsej ligjit të jetës.
Barthes na përcjell një pasqyrim të ri të realiteteve, teksa i njihnim thuajse ndryshe, pasi optika jonë na e shpërfaqte të turbullt qasjen tonë ndaj mitologjisë, asaj të modernizuar. Pa lexuar Barthesin, ndoshta naivisht mendja do të na shkonte tek vepra “Uliksi” i Xhejms Xhojs. Pyetja që do të shtronim mbase do të ishte: Pse duhet të kishim një Odise-Uliks, ku mund të ishte vetëm Odisea i Homerit, nën petkun e heroit, pa të meta thelbësore dhe devotshmërisht i rikthyer në gjirin e familjes, pas aventurave të panumërta me Kalipsonë.
Nuk kemi të bëjmë aspak me një çmitizim, apo rënie mitesh, por me një aktualizim të mitit, një rimodelim, për të sjellë një botëvështrim të ri të epokës moderne, ku Xhojsi jetoi. Penelopa-Molli, jo më besnike ndaj bashkëshortit, por krejt ndryshe, e çlirët, e paqëndrueshme, e çoroditur, ekstravagante dhe me të drejtën për të qënë kudo dhe me këdo.
Pikërisht Barthes shprehet se: “Mitologjia është një pajtim me botën, jo ashtu siç është, por ashtu siç dëshiron të bëhet.” Ky libër depërton intimisht në gjendjen e ngarkuar, kaotike të një jete moderne, siç e thekson edhe përkthyesja e kësaj përmbledhjeje esesh se: shoqëritë moderne, kryesisht shoqëria franceze në gjysmën e dytë të shekullit XX, një shoqëri e masës dhe e konsumit, e cila teksa braktis me nxitim mitet e trashëguara, tradicionale, rreket të krijojë ato të vetat, më të thjeshta, e më të sigurta, të prekshme, të zotërueshme e thuajse të pamunidmshme, të zhveshura nga heroizmi dhe epikja për t’u mbrujtur me iluzionin e së natyrshmes së përhershme e të pandryshueshme. Barthes nuk përqendrohet vetëm tek mitet letrare, sigurisht kemi të bëjmë me një sërë çështjesh të tjera mitike si psh: bota ku luajmë keç, ekspozita e dhimbjes, qëllimi i fundëm i ndeshjes, lidhja, ngjashmëria me teatrin e antikitetit, djersitja në veprim, debati me veten, turma e ngazëllyer apo mbretërit që luajnë njerëzish, tjetërsimi në fytyrën e mitit, në fizionominë e molisur, të pispillosur, të engjëllizuar etj, larguar nga tiparet e përditshmërisë apo romakët në kinema, që fillimisht ky titull shfaqet si një paradoks, duke imagjinuar disa romakë të ulur në kinema, kur në fakt kemi të bëjmë me një çështje shumë më të thellë dhe të detajuar, që tek truku romak, “balukja romake”, ku romakët janë romakë falë shenjës së krejt të lexueshme, flokët mbi ballë, si edhe një sërë kënvështrimesh tipike franceze kundrejt kulturave të ndryshme.
Shkrimtari me pushime, raporti i shkrimtarit me njeriun, ekzistenca e tij njerëzore si: familja, shtëpia e vjetër në fshat, gjithashtu edhe bërja publike e disa fakteve jetësore, duke e bërë kështu të pakapshme figurën e tij. Detajet e përditshme e largojnë njeriun, duke shpalosur më tepër karakteristikat e tij mitike, të frymëzimit dhe gjendjeve të caktuara shpirtërore.
Një mbinjeri që vesh pizhama, që shijon një pjatë tradicionale, që pëlqen disa lloje djathërash, shëtit dhe shkruan qetësisht në tavolinën modeste të kafenesë. Miti që ne ngremë shpeshherë për personat e arrirë, në fusha të ndryshme të jetës.
Miti i nxitur në fëmijëri tek figura e paarritshme. Duhet të dëgjosh me vemendje mësuesin/en, të bësh si thotë ai/ajo. Kush do ta besonte që edhe mësuesja ushqehej në orën e pushimit të madh. Kjo “qenie mitologjike” në sytë e një fëmije zbret me këmbë në tokë dhe sa më tepër afrohet aq edhe largohet mistershëm nën vorbullën e jetës së një njeriu që jeton dhe nuk jeton normalisht, por që ka dhënë tashmë një shenjë jete.
Mitizimet e publiciteteve si: detergjentët- ikja e frikësuar e mikrobeve, kremi- largimi i menjëhershëm i rrudhave, shampoja e flokëve- volum i papaparshikueshëm, pasta e dhëmbëve- bardhësi verbuese. Mediatizimi që çoroditi dhe lëkundi të vërtetën, duke sjellë një variant të ri, një tjetër stil jetese moderne, risi, që theu kornizat e dikurshme të një epoke tjetër gjithashtu një tjetër shije e së bukurës, vera si qëllim shijimin dhe jo dehjen. Teknologjia, dhe kriza e librit sot do të përmendja unë, pasi Barthes e përkap edhe në kontekste të tjera, si lodrat e një fëmije, mentaliteti francez i universalizuar i lodrave të fëmijëve, tashmë një lëndë e lëmuar kimike dhe dikur e drunjtë, pra druri që nuk lëndon, nuk prishet, nuk thyhet, përdoret, reziston gjatë duke diktuar një sinestezi të përdorimit, jo të kënaqësisë apo plastika, si objekt apo si plastikë e grimasës, plastikë në mimikë, gjestikulacion që përcjell një mesazh të përpunuar në çast.
Optika e Roland Barthes është ajo e dyshimit total dekartian, pra e problematikës, duke iu larguar me alergji trajtimeve tradicionale. Krijmtaria e tij zotërohet nga dy elementet e rëndësishme, por dhe në drejtime relativisht të ndryshme: ekzistencialja dhe konceptualja. Një konceptim i tillë me përplasje idesh e rafinon stilin e Barthes-it, në një ironi të vazhdueshme dhe gati të papërballueshme. Stili ironik është gati absolut tek libri “Mitologjitë”. Në këtë libër, ai futet në vallen e të gjithë mallrave të konsumit të gjerë, duke nënvizuar se edhe idetë bëhen të barabarta me keto mallra, duke hyrë në qarkullim, pra, bëhen pjesë e një sistemi stimulues substancial tregtar.
Një mendimtari të madh,hulumtues i paduruar si Barthes, i intereson çdo gjë që ka të bëjë me kuptimin. Ai merret me semiologjinë e komunikimit , por si semiologji e domethënies.
Ai kërkon ta pastrojë ligjërimin nga llojet e ndryshme të ideologjizmave, duke theksuar me mprehtësi se studimi i fenomeneve dhe objekteve, ka natyrë thelbësore semiologjike.
Prandaj Barthes spikat si një polemist i jashtëzakonshëm, por dhe tepër i rafinuar , shpesh gati hermetik. Vështirësia e përkthimit të Roland Barthes është ajo e stilit më të lartë dhe duke qënë një stilist, me fëngjishten e tij elitare, ai përbën një sfidë gati të pashembullt, për çdo përkthyes në botë. Roland Barthes është i pari dhe (ekselent) përbrënda profilit të tij.
Në këtë pikëpamje, të përkthesh Barthes duket, gati e pamundur dhe kjo është pamundësia tejet e vështirë, me te cilën është ndeshur përkthyesja Persida Asllani. Ndonjë përkthyes tjetër do të hutohej dhe nuk do ta përballonte dot provën, ku shpesh përkthimi i termave ishte i pamundur, por Persida Asllani ia ka dalë për mrekulli. Kultura gjuhësore e përkthyeses është e admirueshme edhe ia vlen të përgëzohet, pasi e ka kthyer këtë libër në një akt lakmues letrar, nëpërmjet një shqipeje të kulluar, autentike dhe dinjitoze. Dy librat e tij “Le myth” (Mitologjitë moderne), “Mort del’auteur” (Vdekja e autorit) kanë ngjallur ndikime të mëdha në morfologjinë tonë linguistike dhe letrare. “Mitologjitë moderne” përbën një strukturë, me një përmbledhje esesh, që bazohen në një strukuturalizëm tipik filozofik, letrar dhe tejet konceptual.