Nga Gjergj Jozef Kola
1.
Nji fjalë e urtë thotë: Për me u lind dielli nadje herët, nuk kanë nevojë me u ulë malet, randsi ka që gjanat me ndjekë natyrën e tyne.
Unë kam shkrue e botue rreth 10 romane, në Austri me fondet e shpive botuese, në Shqipni me fondet e mijat. Asnji shpi botuese nuk më ka kontaktue ndonjihere në trojet tona megjithë referencat pozitive të romaneve.
Me shkrue nji roman asht njilloj si me hapë nji minjere me nji frymë e me i dalë malit direkt e në zemër, ku ndodhet minerali i cmuem. Romanit zakonisht themelet i hidhen për 3-4 ditë, ndërsa ndërtesa e plotë për 3-14 muej…
Unë lexoj shumë romane, zakonisht pdf-romane, i lexoj në metro, në orët e pushimit në punë, gjatë verës apo në fundjave, unë jam nji pus i pafund, që nuk ka ujë romanesh që e mbushë. Zakonisht me e pa cilësinë e ujit të romanit që hedh në pusin e vetëdijes, më mjaftojnë, njashtu si shumëkujt vetëm 4- 5 fletët e para e me i klasifikue në dy grupet e mëdha:
1. Romani autobigrafik, apo siç quhet në perëndim, romani autoterapi, ku autori megjithë vullnetin e mirë nuk ja del me kapërcye vedin e me shkrue për të gjithë e me u ba shkrimtar, porse rrëfehet aq sa mundet para lexuesit.
2. Romani i tavernës, ku autori si në nji tavernë para gotës së alkolit kallxon nji histori të ndigjueme apo edhe të jetueme e nuk ndalet as para rregullave të rrëfimit e as para formës, ngaqë vuen prej protogonizmit të panevojshëm.
Për të dyja vlen: MUNGESA E STILIT.
Pa stil porse, nuk ka roman, nuk ka vepër letrare, libri i tillë asht si nji erë që shkon e rreh në nji breg deti e nuk ndërton kurgja, as edhe nji kala prej rane, në të kundërtën e romanit të vërtetë, që ndërton kështjella prej shkambijsh në brigjet e detit.
Zakonisht romanet që shkruhen ndër shqiptarë e që botohen, prej atyne që mbahen si shkrimtare profesionistë, ju ndryshon stili disa herë gjatë romanit, sa ma i thellë të ketë qenë leximi i autorëve që ka pasë për zemër, sepse autori vete, i papërfunduem në stil nuk e ka pasë forcën me e çue deri në fund anijen e tij, porse asht ndalë disa herë dhe e ka zhgarravitë detin me rrugët e erës që ka frye sa andej e kendej.
Shembulli ma tipik këtu asht i E.Ramës, Kurbani i të ciliët në aq gjuhë sa asht përkthye aq herë e ndryshon stilin mrenda nji rrëfimi 200 faqesh.
Anipse libra të tillë shpallen nga establishmenti postkomunist ndoshta edhe libra të vitit, fitojnë çmime, porse me letërsinë nuk kanë asgja të përbashkët e kjo asht nji nga arësyet që në atdheun tonë kërkush nuk lexon, sepse promovohet tallavaja e kur kjo tallava pllenohet me korrupsionin, atëhere asnji pshtim nuk mbetet për letërsinë…
Me shkrue nji roman do me thanë, me kalue nji ditë të tanë në kërkim të nji metafore, të nji cilësi që hapë derën magjike dhe e len lumin me rrjedhë deri në detin e pafund.
Mbas romaneve patriotiko-emancipues të gjysës së parë të shekullit XX, të romancierit të parë shqiptar Ndoc Nikaj: SHKODRA E RRETHUEME, spikasin edhe romani PSE i Sterio Spases dhe romani SIKUR TE ISHA DJALE i Haki Stërmillit. Këto romane kanë në vedi tharmin e origjinalit shqiptar, i cili megjithse jo i përkryem në konceptim klasik mbarëbotënor, prapseprapë lexohet ende me ndjesi të kandshme edhe sot.
(Përpjekjet e shek 19 për romane me temë shqiptare në gjuhë të hueja, respektivisht Frashëri në turqisht e Vasa në frangisht, kanë interes historik porse jo letrar e aspak gjuhësor).
Dija e Haki Stermillit asht ende sot ma reale dhe prezantuese në betejën e zojës e zojushes shqiptare për emancipim, kundra ferexhesë së patriarkalizmit, se te tanë personazhet që kanë krijue romancierat post-socialrealistë shqiptarë.
Si Stermilli ashtu edhe Spase i mbijetuen diktaturës fizikisht, porse mjerisht jo artistikisht, përvec dy romane paradiktaturë që ju dhanë përjetsinë në letrat shqipe, ata shkruen letërsi të pavlerë realsocialiste, ndërsa romancieri i parë, shkodrani Ndoc Nika u arrestue nga komunistat enveristë në moshën 83 vjeçare dhe vdic në burg 88 vjeç tue shpallë rastin ma të jashtëzakonshëm antinjerzor në historinë e njerzimit përsa i përket nji romancieri.
Gjatë diktaturës, në vend të romaneve të masipërm, vitrinat u mbushën me romane realsocialiste të ideologjisë komuniste të gjysës së dytë të shekullit XX që nuk kishin aspak jetë, vetëm helmin ideologjik që mbysnin përditë njerëzit e marre peng.
Për me dalë në romanin e sotm, i cili njashtu si vetë shoqnija nuk asht as mish as peshk, as demokratik e as diktatorial, as realist e as postrealist. Romani shqiptar sot asht thjesht nji roman me dy TT e mëdha -terapi-taverne ku cdokushi kallxon historinë e vet, pa art e stil e kush asht ma i lexuem ja merr kostumin nji autori të profiluem ne stil.
Tragjikomikja e letrave shqipe qindron këtu, se shumë autorë që shkruejnë e botojnë romane, megjithse janë antidiktaturë, përdorin stilin e romanit të realsocializmit. Kështu ka mjaft romane të torturave të diktaturës që kallxohen me të njëjtin stil bosh të romaneve të vetë realizmit socialist. Asht njilloj si me kallxue vuejtjet e hebrejve në kampe me mjetet e propagandës naziste e megjithatë kritikës shqiptare nuk i bjen në sy kjo. Mjafton me pa autorët e krejt pa stil që ju rekomandohen studentave të Fakultetit të filologjisë dhe e kupton greminën ku asht shkapetë romani shqiptar sot.
Problemi i romanit dhe narracionit sot asht mungesa totale e poezisë dhe stilit.
Ja nji shembull i përhershëm i një skene të shkrueme nga autori amator dhe nga romancieri i realizuem.
Autori amator TT, vetëm përshkruen, sikur të ishim në nji rrëfim taverne:
„Ai i njiti shkallët një e nga një dhe kur arriti te dera nxori celësin që e kishte në xhepin e majtë dhe e hapi derën me dorën e djathtë, pastaj hyri brenda dhe shkoi ke krevati. Ajo po flinte për shtatë palë qejfe dhe ai bëri një çaj, u ulë afër saj dhe e piu me hurdha të vegjël. Pastaj ai u zhvesh e për të mos e shqetësuar zonjushen me leshra të gjate u shtri gjithë kujdes në krahun tjetër. Ajo u rrotullua dhe njeri krah u mbështet tek ai. Ai e largoi me kujdes dhe mbas pak castesh po gërhiste në qejfin e vet. Në dhomë gërhisin që të dy dhe nuk dëgjohej asgjë tjetër përvec kësaj gërhatje…“
Romancieri i vërtetë me stil e poezi e shef skenën e masipërme, krejt ndryshe:
Ai ju turr shkallëve dhe derën e hapi aq shpejt saqë çelësi nuk luejti asnji rol në kujtesë. Ajri i njoftun i dhomës mbushë me parfumin e saj e mbushi me magjinë e ndjenjës së plotë. Ajo ishte shtri si nji orkide anash dritares, mbulue me të bardhën e lehtë të pëlhurës dhe gishtat e kambës përjashta kallxojshin nji detaj arti kubik. Ngadalë, në majë të gishtave si nji Rudolf Nurejev i dashunuem ai shkoi dhe zjeu çajin, e tanë frikë ja hidhte sytë se mos ajo kishte me u zgjue e me dalë prej asaj tabloje të mahnitshe. U ulë afër saj dhe e la avullin e çajit me u përzie me frymën e saj të vogtë, që përhapej nëpër dhomë. Mandej u shtri afër saj e pati nevojën me e ndalë me dorë zemrën që po rrihte si e marrë. Ajo në nji lëvizje prej andrret e shtriu krahun mbi krahnorin e tij dhe ndjeu të rrahunat e zemrës. Ai mendoi se ky ishte ai çasti kur jeta, vdekja dhe amshimi bashkohen të tre bashkë e krijojnë nji presion të jashtzakonshëm në krahnorin e njeriut. Mbylli sytë në mes të andrrës dhe reales…
Mike e miq, autorë të rij e të vjetër, mos botoni letërsi, romane sidomos, nëse nuk jeni poet e nuk keni shkrue kurrë poezi.
Romani shqiptar i demokracisë ka me kenë nji roman dashunijet sepse ai don të jetë nji roman dashunije. Këtu paskajorja që formon kohën e ardhme „ka me qene“ lidhet me dëshiroren „do të jetë“, meqë standarti nuk e ka paskajoren dhe ban lapsusin katastrofal e përdorë dëshiroren në vend të kohës së ardhme.
Miqëve të mi romancierë që shkruejnë standarte apo toskërisht ju lutem: Përdorni paskajoren për kohën e ardhshme, sepse dëshirorja nuk mund t´a realizojë kurrë atë e bahena qesharake në sytë e botës. Standarti duke qenë artific, pra gjuhë e ndërtueme në laborator e pa pasë asnji shkollë letërsije mbas vedit, asht i predestinuem me krijue letërsi artificiale e po ashtu edhe romani nuk i pshton atij. Çka ka pasë ky standart kundra paskajores, askush nuk mund ta shpjegojnë gjuhësisht siç duhet.
Shumë miq gjermanofolës që njofin shqipen standart më thonë se romanet shqiptare kanë ra në kurthën e gjuhës standart, e cila i ban ata të duken të gjithë njilloj, si ushtarët e terrakotës kineze. E meqe jena te kinezët, Ali Baba i platformës kineze të Amazon thotë se kopja asht ma e mirë e ma e lirë se origjinali i shtrejtë.
Romani i dashunisë asht edhe ma i vështiri nga të gjithë sepse këtu duhet mjeshtri dhe stil me dalë nga „romani terapeutik“ dhe nga „romani i tavernës“. Romanet e dashunisë shkruhen me nji frymë, si vetë dashunia e vërtetë, e madhe e bukur që jetohet me nji frymë…
Shkrimtari i diasporës shqiptare me banim në Salzburg të Austrisë, gjakovari Xhenc Bezhi shkruen mbi romanin në pdf „LULJA E BRISHTE E GJUHADOLIT“.
„Kam pritë me lexue një roman te zakonshëm, porse ky asht diçka ma shumë. Ne ket roman arrihet me u shtri e tane tragjedija jonë. Gjatë leximit kisha përshtypjen që po lexoj poezi. Kisha përshtypjen se po lexoj Shekspirin. Aty njehen e përmenden të gjitha retë e zeza; prej komunizmit, demokracisë së brishtë, mjekrroshave, armiqve te gegnishtës, dhe shpresës qe një ditë Shqipnia ka me u ba, tue tregue përmes luleve te larit qe artista e poeta te ri kane me lindë prapë.“
Romani në fjalë nuk asht pranue nga asnji nga shpitë botuese shqipfolese, të marra peng me kohë nga osmano-komunistët, të cilët mbështesin vetëm letërsi pa stil origjinal, vetëm atë realsocialist dhe shumica botojnë me sponsorizime e kjo kallxon se edhe në fushën e botimeve e keqja e tallavasë e korrupsionit plotëson tablonë shqiptare të postdemokracisë.
Romani „Lulja e brishtë e Gjuhadolit“, si të gjithë romanet e mi, janë letërsi dashunije të madhe, sepse vetëm ajo, dashunija, ka me e ndryshue realitetin e letrave shqipe, ku romani asht padyshim luani i këtyne letrave.
Tashma kapaku i randë i vorrit të realsocializmit ala-agollian asht thërmue me kohë dhe romani i dashunisë ka me ngadhenjye, në nji ringjallje thellësisht shqiptare.
Lum ata shkrimtarë që shkrujnë letërsi e romane të dashunisë së madhe se kanë me trashëgue letrat shqipe.
Në kapërcyell të mijëvjecarit kombi shqiptar si asnjiherë ma parë asht në kërkim të identitetit dhe romani shqiptar që duhej të mbante peshën ma të madhe as që e ka marrë përsipër atë peshë. Vetem romani i dashunise se madhe e zgjon shqiptarin nga letargjija qe shpesh po merr pamjen e identitetit ne koma, ky roman e libron ate nga impotenca artistike.
Kush ka jetue nën diktaturë e di mirë se cfarë etje e urije shpirtnore ka pësue, sidomos nga letrat e arti, të cilat e kishin ndrrue kahjen e natyrshme, e në vend që me i shërbye njerëzve e të bukurës, i shërbenin diktaturës dhe shtypnin njerzit me anë të së keqes e mashtrimit.
E njëjta gja vazhdon ende sot, me anë të korrupsionit e tallavasë ne art e sidomos në letërsine postrealsocialiste, prandaj shqiptarët nuk janë të lumtun, prandaj shpesh votojnë edhe diktaturën, sepse nuk kann asnji alternativë përpara syve.
Kombi shqiptar i ndodhun ne morsën e mungeses se shtetit ligjor dhe proselitizmit i ngjet kalit qe i kane vendose mbajteset e syve dhe ai shef vetëm përpara nga t´a cojnë këto dy frena. Nganjiherë ky kalë kalëron aq afër greminës së historisë, saqi u ngjanë atyne vashave shqiptare, shkodrane apo krutane gege, suliote apo himariote toske që hidhen në greminë mos me u dorëzue te anmiku i pabesë.
Sot po ndodhe nji paradoks i frikshëm: shqiptarët po i dorëzohen anmiqve shekullore, po i dorëzohen korrupsionit, drogës, tallavasë, proselitizmit, tue pranue si të natyrshme mungesën e ligjit dhe të panatyrshme të drejtën ligjore.
Të gjitha vendet europiane që kanë dalë nga diktaturat, komuniste apo fashiste e kanë gjetë vedin me anë të shtetit ligjor e vetëm shqiptarët vazhdojnë me kalërue anash greminës së historisë. Bota habitet se si vazhdojmë me e furnizue me të keqen e saj, se si prodhojmë ma shume të keqe, në raport me të mirën, të cilën edhe kur e krijojmë gjejmë çdo mënyrë me e shtypë.
Asnji roman shqiptar nuk kam ndeshe që i shkon deri në fund kësaj sëmundje të tmerrshme që po shkatërron kombin shqiptar me metastazat e saja të llahtarshme. Askush nuk jep karakteret që sundojnë sot 30 vjet në postdikaturën shqiptare, formimin dhe shndërrimin e tyne, në mënyrë që njerzit të bahen të vetëdijshëm se me ke kanë të bajnë. Natyrisht që na kena romancierë profesionistë, porse ata trajtojnë probleme për të cilat nuk i intereson askujt, e nuk merren me përshkrimin e karaktereve që po mbysin kombin shqiptar e po e çojne drejt shpërbamjes.
Askush si shqiptarët ne Europë nuk beson se nji lider, nji udheheqës partije duhet të jetë i përjetshëm e duhet me u kthye njiherësh ne kult, sepse atij askush nuk i vendos para syve pasqyrën e karaktereve njerzore, me art të fuqishëm.
Nëse shqiptarët ndeshin nji politikan apo oligark të korruptuem e shofin me adhurim simbas mentalitetit oriental, „sa i zoti ky“, ndërsa në perëndim e shofin me përçmim dhe plot dyshim i rrijnë lerg, prandaj Shqipnia asht e mbushun me oligarkë që nuk kanë punue kurrë në jetë, ndërsa Europa me njerëz të thjeshtë që kanë punue nji jetë me gjak e djersë e shtet ligjor.
Ne nji vend ku shumë njerez ja shitën shpirtin diktatures ateiste për 5 pare, tash që ka ardhë koha e demokracisë dhe oligarkët polito-fetare afrojnë shumëfishin e 5 pareve, padyshim qe numri i fanatikëve rritet. Këtu duhet romancieri i dashunive të mëdha me i kallëxue njerëzve pasunine e zemrës njerzore që del mbi cdo pasuni materjale.
Sa ma e pasun nji zemër aq ma e lehte pesha e jetës e aq ma fisnik bahet nji komb prej shumës së këtyne zemrave.
Na kena nevojë për nji Kastriot, porse kombi nuk po gjen forca me e lindë, sepse kërkush nuk po e pregatitë nji lindje të tillë.
Unë uroj që ky të jetë nji Kastriot që vjen nëpërmjet nji dashunije të madhe siç ishte edhe ajo e Gjergj Kastriotit – Skanderbeg, dashunija e madhe për atdheun, Arbninë.
Akti i Abdullah Hotit, Kryeministrit të Kosovës për hapjen e ambasadës në Jeruzalem, asht nji akt i naltë kombëtar prej Skanderbegu që jo vetëm kontribon në afrimin e popujve arabe dhe atij hebre, si askush tjetër, porse kallxon edhe aleancat e reja, jetëdhanëse të kombit mbarëshqiptar në Ballkan, për paqen në botë.
Asgja ma e mirë se romani, se letërsia e thellë e plotë e dashunisë së madhe nuk mundet me e zgjue vetëdijen e kombit shqiptar dhe me e vendosë në nji rresht me kombet e tjerë.
Vjenë, shtator 2020
ObserverKult