Nga Gjergj Jozef Kola
1.
Me shkru nji roman nuk do me thanë me ecë mbi gjurmët në ranishten e të tjerëve, porse me hapë ranishten me gjurmët tueja.
Me shkru roman nuk të duhet as standardi e as rotacismi i ranishtes me e u ba rërishte.
Me shkru roman të duhet thjesht e mirë: me pasë stil.
Mbi 90% e romaneve shqiptare nuk kanë stil e as frymë, kanë vetëm atë që gjuha standarde si artific u ka dhanë atyne në ndjekje të papagallit të famshëm të Markezit, që i then qafën mjekut Juvenal Urbino në romanin e famshëm „Dashunia në kohën e kolerës“, shpejt e shkurt, që në fillim e deri në fund.
Cilindo roman shqiptar me marrë në dorë e me lexu në të pa i dijtë autorin e kupton se ky asht stili i Kadaresë dhe këto janë gjurmët në rërishten tij, e kjo falë artificit që ai krijoi me standarden.
Porse si gjithku ka përjashtime prej rregullit dhe romani i Leon Lekajt i ka pshtu kurthit që standardi u pregatit stileve, si Papagali i Garsia Markezit e kjo falë paskajores gege që ai e përdorë ende me guxim, si ai polumbari që e shef se i ka mbaru oksigjeni e kërkon rezervat mistike.
Arsyet janë të thjeshta si vetë gjuha.
Leon Lekaj shkruen poezi të mirëfilltë, origjinale të cilën realsocialistat nuk e njofin, prandaj kjo e ka rujtë edhe stilin e tij pa ia prishe atë ujin e qetë që gjindet në thellësi….
Ai gëzon vështrimin fotografik, kështu që ngjarjen e jep të sakte, si pikturë, pa u zhytë e tretë në opiumin e stilit kadarejane të realsocializmit, ky fundosen sot mbi 90% të romanciereve shqip-standardoshkrueshkrues.
2.
Politika e romanit asht e tillë sot në Shqipni perku shumica e romancierëve botohen vetëm nga nji botues, i cili megjithse ka lindë mbi Shkumbin, mbështet vetëm nenshkumbinasit e realsocializmit, shkurt: standardasit.
Se si mund të drejtohet libri i nji kombit prej drejtuesash me komplekset e inferioritetit këte e paraqet ma së mirë realiteti i botimit. Madje, „gossipa-t“ thonë se edhe dhandrri i tij, nji mbishkumbinas asht detyru me shkru në standardin nënshkumbinas e madje për kët, nisë nga entuziazmi i madh edhe vetë ministresha e kulturës, nji nënshkumbinase, siç janë të gjitha ministret e kulturës së Ramës, (është vërsulur me vrullin e saj libovohit, nënshkumbinas duke e vlerësuar me çmimin e pare,) anipse romani në fjalë nuk ka asnji lidhje me romanin si vepër letrare.
E sikur të mos u mjaftonte kjo u turren edhe shkrimtarucet nënshkumbinas tu shkru „lajke e lulke“ për kët dhandrrin e mbishkumbinasit, simbas parullës „dhandri shkruan e vjehrri boton“.
Porse Shqipnia postdiktatoriale, e cila simbas shtypit të lirë italian, mban vendin e dytë në perëndim mbas Ndrangetës për mafia e korrupsion, në asgja nuk të habit tashma…Nga shiu në breshën, nga diktatura ma primitive gjakatare, në shtetin e abuzimit ma të madh, në shtetin që groposë përditë shtetin ligjor.
Nën kët kontekst historiko – politik, letërsia në pergjithtsi dhe romani në veçanti mbajnë nji peshë të jashtzakonshme mbi supe për emancipimin demokratik e intelektual të popullit shqiptar.
Romancieret b…lëpirës që nga 44 e sot i vardisen i lëpihen pushtetit e ata vetëm se vazhdojnë trullosjen e vetëdijes së shqiptarit që ende nuk e di se nga vjen e ku po shkon.
Prandaj nji kombit i duhen romancieret e mirë sado të rradhë që të jenë e nji nga keto asht edhe Poeti Romancier LEON LEKAJ
3.
Leon Lekaj asht nji nga njoftësit e sidomos nji nga virtuozet e Gegnishtes letrare, me rranjën e saj 7 shekullore, rranjë kjo që ashtu si edhe institucionet Hyjnore të besimit u ndalu për rreth 45 vjet…Porse ndërsa besimi fetar si nji e drejtë njerzore u kthy në Shqipni, dhe me cfarë kthimit, me TANA PORTAT E HAPUNA, gegnishtja vazhdoi me kenë e përjashtueme nga shteti demokratik siç kishte ba edhe ai diktatorial.
E çfarë shenje dojnë shqiptarët ma shumë se kjo me marrë vesht, se demokracia e vertetë ende nuk ka ardhë?
Pse Leon Lekaj vendos me e botu romanin pikërisht në standarde e me i vendosë zingjir pendës së tij të artë në gegnishte, asht nji pyetje që mundet me iu pergjigjë vetëm ai e unë vetëm sa guxova me i thirrë ndërgjegjes së tij me zanin e miqesisë , pa kerku me e prishë atë në asnji mënyrë.
Unë mik kam Platonin, porse mik du me pasë edhe Leonin.
Simbas Autorit, Leon Lekaj, dora qe ai u shtriu „miqëve“ në atdhe për korrekturë të romanit në Gegnishte që kishte shkru në origjinal nuk erdhi asnjiherë, dhe ai u detyru me e botu në standarden, për të cilën redaktorët gjuhësorë ishin gati dhe e pritën krahëhaptë.
Mesa duket romancieri poet, Leon Lekaj ka harru për nji çast, thanjen e poetit të kombit FISHTES:
„Pamvarësia e Shqipnisë asht vepër e frymë e Diasporës shqiptare në botë!“
Porse mbas kësaj sinteze gjuhësore të Leon Lekes, tash po kam deshirë me i ba nji radiografi romanit të sapobotuem dhe jehones pozitive që ka pasë.
4.
Romani Murana i ka të gjitha elementat që i duhen nji romani si ngrehinë: Ai ka fabulen e gjetun, ka dialogët e shpejtë, nji dashuni te fuqishme, pozicionimin realist të autorit që i lejon lexuesit me marrë pjesë në ngjarje pa u mbytë në të, siç ndodhë në shumicën e romaneve shqiptarë, prej të cileve njeriu hjek dorë se lexuemi, që në faqet e para…
Mbi 90% e romaneve standarshkrues shqiptarë nisin me akordin Kadarejan:
„ Ai po ecte në tisin e mjergullt të natës ndërsa qëlqi i acartë mbulohej nga dëbora qe shkrihej sapo ndeshej në të si mbi sytë e një vajze të brishtë, me sy të florijtë, si te Vajzës syartë të Balzakut….“
Tek Leoni fryma asht krejt ndryshe e kjo falë mendimit të tij në gegnishte që ia mbron stilin nga infeksioni kadarejan, realsocialist, fale hapësinës që i jep paskajorja, kjo dhuratë hyjnore e gjuhës shqipe e kurbanizueme nga diktatura komuniste.
Personazhet janë të gdhenduna me mjeshtri e ata e japin frymën e kohës për të cilën dishmojnë. Kush ka jetu në diktaturën shqiptare enveriste i njef të gjithë këto karaktere, i ka ndeshë së paku nji herë në jetë.
Kështu sigurimsi, Vigjilent Dhelpra, me emnin simbol të kafshë dinake, me akullsinë e neperkes e hjedh helmin e tij në trupin e viktimës, kërkon rekrutimin e spiunit të rradhës…
Jo rastësisht oficieret e sigurimit, sidomos ata nga zona e parë operative vranë me dhe pa gjyq mbi 90 & të klerit katolik shqiptar, atij kleri që kishte ruejtë edhe gjuhen arbnore, gegnishten letrare për 7 shekuj.
Autori Lekaj duket se i ka njofte mire në jetë këto tipa e ka ndje mbi lëkuren e tij helmin që kanë kërku me derdhë, prandaj këto personazhe janë edhe kaq klasike e të perjetshem në letrat shqipe.
Torturat me arkivol që i bahen franceskanit në roman, përbajne edhe nji nga metaforat ma të jashtzakonshme në përfaqsimin e nji populli e të nji kulture. Kështu edhe kombi shqiptar u varros sa herë për së gjalli e u ringjall.
Futja e armëve në kishe, nji rrealitet kriminal shtetnor, tregon edhe karakterin kriminal të shtetit të enverhoxhes e mehmet shehut, shtet ky, i cili me arritë qëllimin e tij diktatorial nuk len poshtërsi pa bá.
5.
Porse të kthehena te romani dhe fabula e tij:
Në qytetin MURANA kërkojnë me ndërtu nji kullë të naltë për me e mbrojtë vendin, prej anmiqve imagjinarë, në nji diktaturë absurde që sundon aty. Mirëpo sa ma shumë që e ndërtojnë ditën aq më shumë prishet natën, si në legjendat Ballkanike, si në legjendën e Rozafës ku u lind autori.
Kjo përplasje absurde asht e mbushun me lidhje dashunijet e Leon Lekaj, si pak autorë shqiptarë e përshkruen dashuninë e personazheve krejt të gjallë e real, tue iu shmange kiçit që i mbush këto romane e i mbyt në vend.
Rudolf Kshira, si nji alter ego e Autorit perjeton dy dashuni, nji tragjike që i le trashëgim nji djalë dhe nji të lumtun që i falë nji vajzë.
Dihet se çdo roman e ka nji çilës të tijin dhe ai Muranës përblidhet në nji rresht të plotë:
„Kulla rrëxohet sepse nën te rrjedh nji lum prej gjakut i martirëve të këtij qyteti dhe ai ia prishë themelet sadoqë të ndërtojmë.“
Ky asht edhe çilësi i mbarë kombit shqiptar:
Përderisa në trojet tona të vazhdojnë me ndërtu subkultura osmano-komuniste, asnji ndërtesë nuk kam e i qëndru kohës, sepse kjo subkulturë nuk lejon ndërtimin e shtetit ligjor.
Kaq e thjeshtë asht dera e kalimit të kombit shqiptar në librim:
Vetëm kur të nisi ndërtimi i demokracisë shqiptare, në themelin e së cilës ka me kenë drejtësija, vetëm atehere KULLA shqiptare ka me lëshu shtat mbi themelet e saj, nji shtat 7 shekullore, aq sa asht edhe gjuha e saj, gegnishtja e shkrueme.
Romani MURANA asht nji nga 10 romanet ma të bukur të realizmit magjik – fantastik në mbarë gadishullin ballkanik e Leoni nji lëvrues i denjë i tij.
Ardhja e pseudodemokracisë në roman asht nji paralelizëm i plotë me ardhen e saj në vendin tonë.
Vigjilent Dhelpra ka dalë nga hija e ka marrë pushtetin, tue konsolidu atë njashtu sic kanë ba edhe berishat, nanot, ramat që në strukrurat shtetnore lanë në pushtet të njëjtit persona që lyen duert me gjak, që dënuen njerez me vdekje, që torturuen shqiptarët e pafaj nëpër hetuesina, megjithse kjo de facto ishte e ndalueme.
Porse lexuesi shqiptar asht me fat, sepse Autori i romanit vetë asht realizu si njeri, prandaj edhe ky realizim reflekton kaq shume pozivitet e shprese ne ne ket veper letrare.
Fati asht gjithmonë në anën e njeriut të drejtë të morë e sado që të përpiqen pushtetaret, Dhelpra, prapseprase nuk kanë më ia dalë.
Vetë antiheroi i romanit, Dhelpra kalon në çmenduni, ndërsa heroi i romanit Rudolfi e mbyll jetën e vet në paqe e qetësi shpirtnore, të cilën njeriu e gjen vetëm në nji shoqni demokratike, siç janë shoqnitë perëndimore.
6.
Sot u shpallën prap 5 romanet nga ministria e kulturës për çmimin e vitit porse Romanciere si Leon Lekaj dhe romane si Murana nuk hyjnë në skemat e botim-vlerësimit të establishmentit. Shtepitë botuese të establishmentit osmano-komunist botojnë dhendurret e tyne në romanet pa stil, ku geget flasin toskërishte. Ata madje marrin edhe çmime nga ministria e kulturës, si me dashtë me kallxu se mafja shtetnore tashma asht shtri kudo me tentakulat e saja, në art, në botime e në kulturë….
Me shkru nji roman nuk ka randsi mosha, se mundesh me kenë 15 apo edhe 75, e me botu romanin e parë, randsi ka stili, se stili asht gjithçka në jetën e artistit e në egzistencën e artit.
7.
Lufta për gjuhën asht luftë politike, asht lufta për kombin.
Edhe nji fëmijë shkolle e di mirë, se askush nuk mundet me shperba nji gjuhë të konsolidueme, siç asht gegnishtja letrare e shkrueme 7 shekullore, e me u zëvendesu me nji dialekt që ka 100 vjet shkrim, siç asht toskënishtja letrare apo 50 vjet siç quhet sot derivati i toskënishtes, STANDARDI i Kostallarit.
PISA në studimin e saj i ra kumbonës së Requiemit të kombit shqiptar, ajo kallxoi se komunistat e zonës së parë operative po e vazhdojne shprishjen e kombit, sepse shprishja e nji kombi nisë nga gjuha.
Zonat mbi Shkumbinore të Shqipnisë deri në majë të Mitrovicës e kallxuen se janë në vend të fundit në Ballkan, me gjuhë e lexim e si rrjellojë japin shenjin e plotë, së procesi i shperbamjes ka nisë.
Apartheidi kundra Gegnishtes vazhdon: Kqyrni se nga 40 çmim-propozimet e ministrisë së kulturës simjet, asnji nuk asht në Gegnishte, megjith epërsinë që ka Gegnishtja ndaj standardes për vete pasunine e sidomos për motorrin e Paskajores.
„E çka na duhet nji komb i përbashket, nji Republikë mbareshqiptare, kur ¾ e tij janë drejt shkatërrimit të plotë njerzor, gjuhësor e kulturor?“, lind pyetja Fishtjane. „A i keni pa e ndi GEGET se si flasin standarden toske tue u shtrembnu si në „paralisa faciale“! Si u kanë qorru sytë e shurdhu veshet e nuk iu ban përshtypje? Po prezantueset e TV, bijat e Gegnisë se si e flasin standarden toske me sy mbyllë e pa emocion, si nji gjuhë të huej?“
Sodomi e Gomorra nisen me u vetshkatërrue pikërisht se njerzit po shkojshin kundra natyrës njerzore dhe në SYTE E HYJIT nuk ka krim ma të madh se sa me ia shprishë gjuhën nji popullit, gjuhën qe Ai i Lumi u fali njerzeve si peshqeshin ma të shtrejtë, sepse në fillim ishte fjala, thotë shkrimi i shejtë.
Nominimi i 5 romaneve në standarden toske të zones së parë operative kallxon edhe nji herë se apartheidi e vazhdon pa kompromis luftën e tij në dënimin kapital të kultures arbnore-shqiptare.
Aleanca osmano-bizantine, në menyrë perfide e ka marrë standarden toske të parranjë shekullore letrare, në kulturen arbnore-shqiptare dhe po e përdorë gjithandej si lufte politike me qëllim shkatërrimin e kombit shqiptar.
Të vetmit që e kanë ruejtë ende si bastion i fundit i Arbnisë janë disa meshtare katolikë që vazhdojnë në institucionet fetare me prediku e me lexu shkrimin e shejtë në gegnishten e shkrueme 7 shekullore të Pal Engjullit, Buzukut, Bardhit, Budit, Bogdanit, prelatëve katolikë arbnorë…
A nuk ishin meshtaret katolike gjatë diktatures sllavo-komuniste ata që u salvuen deri në 90% në nji Holokaust të pashembullt?
Kush kujton se ky persekutim ka mbaru, gabohet randë, ai ka ndrru vetëm lëkuren si gjarpni ose asht përshtatë si kameleoni, porse gjuhën e urrejtjes, helmin vrasës e ka ma të fortë se kurrë.
Prandaj nji komb asht me fat që ka romanicer e poetë të tillë si Leon Lekaj për të cilin vlen edhe shpehja e madhe biblikë:
Asnji Poet/Profet nuk njifet në vendin e tij, në vendin e marrë peng nga diktatura, kisha me guxu me plotësu.
Urime romancierit poet Leon Lekaj për kët vepër të lavdishme që i ka dhuru kombit të tij, kombit tonë, Arbnor-shqiptar.
Vjenë, dhetor 2023
Lexo edhe: