Rozafa Shpuza ka lindur në qytetin e Shkodrës, ku më 1856 Pjetër Marubi hapi studion e parë fotografike shqiptare dhe ballkanike, ndaj ajo beson me shpirt se është e bekuar qysh në ngjizje me artin e bukur të fotografisë.
Pasi përfundon, me rezultate të shkëlqyera, studimet e larta për Gjuhë- Letërsi shkon në Tiranë, ku aktualisht punon si redaktore në sektorin e botimeve të parlamentit shqiptar.
Lidhjet e saj me fotografinë janë të hershme dhe mund të pohojmë pa droje se kanë ardhur vit pas viti duke u bërë më të ndjeshme dhe intensive.
Rozafa ka hapur disa ekspozita personale fotografie, si dhe ka marrë pjesë denjësisht në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare kushtuar fotografisë. Fotografitë e saj kanë udhëtuar kudo në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të saj, si në Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Greqi.
E veçanta e fotografive të Rozafës është se ato kanë një lidhje të pashmangshme me poezitë që ajo krijon. Së shpejti, tre librave të saj do t’i shtohet edhe një vëllim i ri poetik, që është gati për botim.
Për ObserverKult ajo sjell një miniekspozitë me portrete artistësh kosovarë, të fiksuara krejt spontanisht gjatë vizitave të saj në Kosovë.