Kajher’ qyteti kapërdin
dalldi festash të tërthorta,
destinue për dashni koketash.
Tradhtitë zhyten ndër mimoza fatpreme:
pengje tregtarësh ambulantë,
krejt të pazojat me rrokë dimnin.
N’uren e premtimeve të laguna,
varen drynj të ftoftë
me iniciale shpirtnash shtegtarë,
që përkunden prej zanit të tellallit
teksa lajmëron oraret e puthjeve.
Kajher’ netët shkoklohen
nga pasthirma perverse
që trazojnë dremitjen e Lanës…
A e din, malli jem, se na i përkasim
ditve të pashenjueme të kalendarit?