Rozafa Shpuza: Romancë në hotelin me tre yje

Silueta e bujtësit t’nji nate ma parë
asht aty,
anipse pastruesja ka shprazë pa dhimë
spruce detergjentesh antikujtesë…
Krejt si n’ritualet pagane
ripërtërij prajshëm hapat ikacakë
e gjithçka nis spari
n’at odë hotelit me nji numër t’përsëritun tri herë
si kodi i drynit fatal
vjerrë n’parmakun e urës pa lum.
Sfilitë nga hamendje t’pagjumësh,
pasqyra ma dridhulatë portretin
njajtë me mirazhet e gushtit
destinue me u zhba saora,
teksa ndjesia e tebeshirtë e çarçafëve
m’rrokë me pasionin e udhëtarit anonim
që mirëfilli pret në ndonji stacion periferie
pa e ditë
se fatet tona po mëkatojnë
n’kët shtrat hoteli me tre yje
n’kapërcyellin e agsholit anemik…

ObserverKult