Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Rrahman Dedaj.
E diela
Kjo është ajo e diela që ka fjetur në krahun tënd
E diela që ia kemi veshur lëkurën
Dhe e kemi thirrur si pëllumbat
E diela që ma soll fyellin tim pa duar
Gjuhën e malit dhe këngën si deti
E diela që ia kemi veshur rrobat e blerta
Në mëngjes ia kemi kënduar këngën
Dhe ia kemi falur sytë e gjakimit
E në drekë e kemi qethur prej të gjitha hipokrizive
Dhe ia kemi pirë tamblin
Ia kemi lidhur plagën e kafshuar
E në mbrëmje
E kemi puthur si gruan e dëshiruar
Duart e saj
Mbrëmë e kam ëndërruar rrugën e gjatë
Se jeta ime
Flaka e duarve të saj më ka prerë si shpatë
E prerë jam në kujtime
Mbrëmë në shtegun e ballit tënd kam mbërri
Në zemër ta ndez një fener
Dhe si më i urti fëmijë
Erdha e t’u vara në derë.
Bukuria u zgjua prej luleve bari
E nën lëkurën time gjakun
Si verën ma kanë pirë dallëndyshet flatrari
Me një grusht ëndrra si nur
Për dasmën time të gjeta duke u lutur
Emrin tim e shkrueshe në do gur
Me fjalë prej mishit duke i këputur
Mbrëmë duart e bardha i kam ëndërruar
Ka rënë shi
Mbrëmë duart e nënës një bukë e kanë gatuar
Jam bërë më i urti fëmijë.
Mund të më mashtrojë kënga
Sonte mund të më lësh vetëm e t’ikësh
Atje ku s’mund të arrij
Me krahët e zogut të verdhë
Mund të më lësh krejt vetëm
Si këtë rrugë
Që numëron kalimtarët e vet të ikur
Si këtë lumë
Që i afrohet detit të vet pa brigje
E s’mund ta arrij me këtë fjalë
As me këtë valë
Që gjakun verë ma bën ngadalë
Ti je mësuar të luash me mua
Mund të ikësh e të më lësh
Vetëm me emrin tim
E çmendinë e vargut që po e lind
Me gjërat që po e harrojnë
Trajtën e vetës së parë
Mund të më lësh krejt sonte
Si atë fëmijën
Pranë vitrinës së vjedhur
Ti je mësuar të luash me mua
Ku fillon sonte rruga
Nata e natës ku mbaron
Etja me etje po fillon.
Ke mundur ndryshe
Tëra udhëtimet ke mundur t’i bësh ndryshe
Ke mundur o s’ke mundur ta bartish kokën
Nëpër rrugët që të njohin
Ke mundur të flasësh si fëmijët që u plakën
E thanë të varrosen si zemra e Shopenit
Ndryshimi është shumë i madh
Që të bëhen krahasime
Me të vërtetën dhe ëndrrën e trilluar
Ka mundur të bëhet krejt ndryshe
Të mbesin tëra unazat në kurriz
E të ruhet drejtpeshimi në ecje
Se ka Lëvizje të njëtrajtshme që Anshtajnët
S’i shohin në Teorinë e relativitetit.
Vetëm në gjërat që s’preken
Vetëm në gjërat që s’preken
Mund të flasë ajo që humba
Në një libër të vjetër
Fjalët e kafshojnë njëra tjetrën
Dhe duan të ikin
Nga e pavërteta e jetës së tyre
Sepse çdogjë që kishte pas filluar
Në kohën e pakryer
Gabimisht kishte pas hyrë
Në librin e shenjtë të gabimeve
E gabuar më doli llogaria e asaj që doja
Gabimisht mund të vdes një ditës
Gabimisht do të më harrojnë
Prapë ajo grua
Grua që preu ylberin e vet
Si gërshetën e lagur
Tani tjerr vetminë
Në pe të hollë
Thurr pikëllimin
Në nyje e lidhë
Nga nyjet e zgjidhë
Në kafaz zogu i frikës
Çelësi i padukshëm në zemër
E fshehtësitë i pëshpërisin vetes
Rrugës së çalë
Po ecë me kukëza
Erosi i saj i nëmur
Dashuria
Toka kthen fytyrën e vet kah lulet
Zemrat i marrin erë bukës së gatuar prej trëndafilëve
Ose prej hirit që aq bukur
Ka folur gjuhën e njeriut
Të zogut
E të detit
Të fle në zemrën e diellit
Mundet vetëm dashuria
E dashuria është i vetmi Zot
Ku njerëzit bëjnë lutjen e fundit
Duke i trembur dallëndyshet e baladave të veta
Që krahët i këpusin
Në malet e shkurtuara të kohës
Dhembje
Kurrë s’do të jesh aqë e fuqishme
Sa të vdesësh
Me emrin tim
___________________________
Rexhep Qosja: “Rrahman Dedaj është poet i cili krijon lidhjen e natyrshme, kreative, ndërmjet traditës kulturore të popullit dhe të shprehjes poetike moderne. Në poezinë e tij paraprakisht sintetizohen miti, legjenda, balada, simboli popullor dhe sensibiliteti modern. Në këtë mënyrë, në poezinë e tij krijohet sinteza e natyrshme, spontane kreative, poetikisht kuptimplota dhe cilësore ndërmjet imagjinatës moderne poetike. Ato këtu lajmërohen të sintetizuara cilësisht edhe si fakturë, edhe si teksturë, edhe si simbolikë: me një fjalë, ato këtu lajmërohen si strukturë e re.
Duke krijuar poezinë moderne mbi folklorin, mbi magjinë, mbi mitin dhe mbi simbolin e traditës popullore, që bartin përvoja shekullore, Rrahman Dedaj, ndërkaq, jo vetëm se ka krijuar një sërë vjershash antologjike, por edhe i ka hapur rrugën një tendence të re në poezinë tonë që do të vijë duke u zgjeruar gjithnjë e më dukshëm në mënyrë që të bëhet sot thuajse rrjedhë në kuadrin e së cilës krijon një numër i dukshëm poetësh.
Në këtë mënyrë kontinuiteti në krijimtarinë e Rrahman Dedajt është treguar nxitës dhe inspirativ edhe për poezinë tonë përgjithësisht.”
Biografia
Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penuhë, afër Podujevës, Kosovë dhe vdiq më 21 gusht 2005 në Londër.
Shkollën fillore e kreu në Podujevë, shkollën normale dhe fakultetin filozofik në Prishtinë.
Me letërsi filloi të merret qysh në bankat e shkollës. Ka botuar këto vepra: “Zogu dhe Kulla”, “Me sy këngë”, “Simfonia e fjalës”, “Balada fshehur”, “Etje”, “Fatkeqësia e urtisë”, “Kryqëzim hijesh”, (poezi për të rritur).
Pastaj përmbledhje të tregimeve “Fshehtësia” dhe “Medaljoni” si dhe përmbledhjen e vjershave për fëmijë “Dy liqej”. /
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
ARTAN GJYZEL HASANI: TË PASHË NË ËNDËRR…
*