Rrëfenjë kineze/ I varfëri që nuk bënte dot lajka

Rrëfenjë kineze

Na ishte një njeri shumë i pasur, kënaqësia e të cilit ishte ta lajkatonin të tjerët. Dhe shumë njerëz ishin të gatshëm t’i bënin qejfin dhe derdhnin lëvdata pafund ndaj tij. Por qëlloi një njeri i varfër që askujt, asnjëherë, nuk i bënte lajka. Dhe një ditë, i pasuri që i kishte qejf lajkat, takohet pikërisht me këtë të varfrin që i urrente lajkatarët.

Dhe ja çfarë i thotë i pasuri të varfrit:

– Nëse unë do të të jepja njëzet për qind të gjithë pasurisë që kam, a do të më bëje lajka? – e pyet i pasuri.

– Është shumë pak që të meritosh lajkat e mia, – përgjigjet i varfri.

– Po nëse do të të jepja gjysmën e pasurisë sime?

– Atëherë do të ishim të barabartë. Pse do të të lajkatoja?

– Po sikur të ta jepja gjithë pasurinë?

– Në këtë rast unë do të isha i pasur dhe nuk kisha fare nevojë të të bëja lajka.

*në shqip nga Bajram Karabolli

ObserverKult

lexo edhe:

Rrëfenjë kineze: Dera misterioze
Rrëfenjë kineze: Kur do më shumë paratë se jetën…
Thënie të urta kineze: Plaga që shkaktohet nga miku, asnjëherë nuk shërohet