
Regjisori i njohur, Eno Milkani, ka qenë ditë më parë i ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ku foli për babain e tij të ndjerë, Piro Milkani, i cili u nda nga jeta më datë 24 maj, në moshën 86-vjeçare.
Eno tregoi se përballja me sëmundjen e Piros ishte përpara 20 viteve, ku për një gabim të mjekëve në Çeki, regjisori i ndjerë u detyrua që të rrinte në spital 8 muaj.
Ai rrëfen se 4 muaj Piro ka qëndruar në koma dhe 4 muajt e tjerë gjendja e tij shëndetësore nisi që të përmirësohej.
Pjesë nga intervista:
Cila është ndjesia jote, brenda familjes përgjatë këtyre orëve?
-E gjej forcën se kështu më ka mësuar Piro, që përballë sfidave të jetës gjithmonë duhet të ecësh përpara dhe këtë gjë ma ka edukuar ndër vite. Sigurisht që përballja me sëmundjen në fillim erdhi jo këto ditë, po përpara 20 viteve, ku për një gabim të mjekëve gjatë kohës që ishte ambasador në Çeki u detyrua të rrinte në spital për 8 muaj. E gjatë atyre 8 muajve unë kam qenë prezent. Në këto sfida njeriu mëson shumë gjëra. Në 4 muajt e parë nuk komunikonim dot se ai ishte në një lloj gjendje kome. Pasi doli nga koma, 4 muajt e tjerë ne bënim biseda të gjata në spital, derisa doli nga aty. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua shumë dhe realizoi ëndrrën e tij. Pas 5 vitesh, në 2005 bëmë bashkë filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Pas filmit punuam për projekte të tjera së bashku, dokumentare.
Jam shumë krenar që duhet të ndaj kujtimet më të mira për të. Siç e kam thënë ka qenë një barrë e madhe ideja ‘lum si ti që je djali i Pirros’ sepse thellë-thellë do të tregosh se edhe ti di të bësh gjërat e tua, jo i mbështetur si një çun mami apo babi. Kuptoj shumë mirë sot vlerën dhe peshën e këtyre fjalëve.
Gjatë gjithë kohës i fortë, domethënë pavarësisht sëmundjes këtu e para shumë dekadave, prapë vazhdonte punën, po kësaj here çfarë ishte ajo që u tregua e pabesë?
-Vjen një moment për të gjithë ne që është faktori i moshës. Sigurisht që është shumë e dhimbshme për ata që largohen në moshë shumë të re, padrejtësisht, si njerëz që unë i kam njohur dhe i kam në zemër. Kurse te të tjerët që quhet mosha e tretë, kësaj i vjen një moment dhe nuk i shpëton dot, gjumit dhe vdekjes nuk i shpëtojmë dot. Ai ishte shumë mirë dhe madje kishim planifikuar prej 3 muajsh, sepse më 14 maj ne duhej të ishim në Madrid për të promovuar librin e Piros, “E pabesueshme, por e vërtetë”, përmbledhje tregimesh që ai ka shkruar në 80-vjetorin e tij. Do të bëhej promovimi në Madrid se filmi ishte përkthyer në spanjisht. Ishin prerë biletat, kishim gjetur shtëpinë ku do rrinim. Do shkonim një grup i madh për të bërë në festë të vogël. Por një ditë nga rutina e tij e përditshme që dilte e pinte një kafe me shokët e tij, u kthye pasdite dhe kishte një shqetësim, ndihej i pafuqishëm. Ishte një virozë e kohës që çoi në komplikacionet e organeve të tjera. Kësaj iu bashkëngjit edhe një ishemi cerebrale e dytë, sepse e kishte të parën, nuk e kuptonte, nuk e tregonte. Dorën e djathtë e kishte të pandjeshme por kjo nuk e pengoi për të vazhduar jetën normalisht. Ajo që e pengoi ishte se nuk shkruante dot më dhe nuk kurdiste orën e dorës, kështu që e la mënjanë.
Menduam që të bënim një video përshëndetëse për ata njerëzit që do të ishin në ceremoninë që kishim organizuar me botuesit spanjollë në një librari të vogël. Dha një intervistë 4 minutëshe, e xhirova dhe më uroi ‘rrugë të mbarë’. Të nesërmen në aeroport më mori vëllai dhe më tha që ‘nuk është mirë, nuk çohet nga krevati. Thotë dua të çohem, po fizikisht nuk çohet dot’. Kështu që grupin që ishte me mua i nisa për Madrid, po unë duhej të isha pranë vëllai, mamit dhe Piros.
Ishte kjo që e detyroi të shkonte në spital. Ajo që u kërkoja doktorëve dhe infermierëve ishte të mos vuante në momentet e fundit sepse ajo është gjëja më e fundit. Këtë garanci e mora nga stafi mjekësor. Edhe pse në ato ditë ai thoshte ‘do shërohem, do bëhem më mirë’. Ndërkohë ata u kthyen nga Spanja, sollën librin, e pa. Ishte një njeri që donte t’i shijonte të gjitha gjërat deri në fund. E paqësisht u nda në orën 8 pa 10 të datës 24 maj.
ObserverKult
Lexo edhe:
EDI RAMA: LAMTUMIRË I MIRI, REGJISORI YNË, MIK I SHTRENJTË, PIRO MILKANI!