Mesnatën e 20 shkurtit të vitit 1951, në oborrin e shtëpisë së Kacelëve, kishte zbarkuar Sigurimi i Shtetit. Mes britmash e kërcënimesh, thyen portat e shtëpisë sepse kërkonin Jonuz Kacelin, tregtarin e famshëm të Tiranës, të cilin e kishin caktuar si një ndër fajtorët për bombën në ambasadën sovjetike, që kishte plasur pak ditë më herët.
Nga: Luljeta Progni
Mirvjeni, i biri i Jonuzit ishte asokohe vetëm gjashtë vjeç. Po flinte në dhomë bashkë me vëllain e motrat. Ishte zgjuar nga thirrjet e frikshme të oficerëve të Sigurimit të Shtetit. “Ashtu siç isha në përgjumje, dëgjova trokitje të forta në portën e jashtme. Kishte dhe shumë zëra para portës. Doli babai dhe hapi portën.
Disa zëra e pyetën kush është Jonuz Kaceli? Ishin dy oficer sigurimi dhe dy përfaqësues të lagjes që ngrinin supet. Unë jam, u përgjigj babai. Ata e shtyn mënjanë dhe filluan kontrollin. Unë isha te cepi i shkallës, i tmerruar shihja ata të huaj që bastisnin shtëpinë e kishin mbërthyer babain pas hekurave… Nëna ime, Merjemja rrinte si e hutuar dhe vetëm qante…”. Janë përjetimet e një fëmijë 6-vjeçar tek sheh babanë e tij të lidhej dhunshëm nga disa njerëz të panjohur… pa kuptuar se ç’faj kishte bërë… E kishte pyetur e ëma, Merjemja: çfarë ke bërë Jonuz?! “Asgjë s’kam bërë, mos u mërzit” i ishte përgjigjur Jonuzi.
Pasi kishin bastisur shtëpinë përmes ulurimash kafshërore para 7 fëmijëve, oficerët e sigurimit e kishin marrë Jonuz Kacelin, të lidhur me pranga për t’u larguar nëpër natë nga rrugica e Kacelëve drejt rrugës “Tefta Tashko”.
Amaneti
“Kujdes fëmijët! Amanet!” Ishte fjala e vetme dhe e fundit që la pas Jonuz Kaceli, atë natë të ftohtë shkurti duke marrë me vete imazhin e të shoqes Merjemes dhe të birit 6-vjeçar Mirvjenit, që e ndiqte i hutuar nëpër rrugën e errët. Gjashtë fëmijët e tjerë nuk kishin guxuar të dilnin nga dera e shtëpisë, të tmerruar prej britmave të oficerëve të sigurimit. Mirvjeni gjendej aty, ndoshta edhe se ishte më i vogël e nuk po e arrinte të kuptonte dot as frikën, ndoshta edhe se kishte qenë kaq shumë i lidhur me të atin… Guxoi ta ndiqte nëpër natë babanë e prangosur, të rrethuar nga njerëzit e panjohur, që e shtynin dhunshëm të ecte drejt fundit të rrugës, atje ku i priste një makinë.
“E pashë kur e shtynë dhe e plasën brenda asaj makine, pastaj u nis me shpejtësi. Qëndrova për disa minuta deri sa makina u zhduk nëpër errësirë. Ndenja aty duke qarë dhe kur nuk pashë njeri në rrugë, u ktheva. Nënën e gjeta aty në prag të derës, e përkulur dhe e mbytur në lot… Ishte nata e fundit që e shihja babanë”.
Mirvjeni nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte në Shqipërinë komuniste sepse ishte shumë i vogël, por nuk i hiqet kurrë nga kujtesa ajo natë e frikshme, lotët papushim deri në mëngjes, sepse nuk do ta shihte kurrë më të atin, transmeton ‘kujto.al’.
“Kështu e gdhimë me lot deri në mëngjes, ku na gjetën komshinjtë, ishim të gjithë bashkë në atë dhomë me nënën, motrat e vëllain tim Osmanin. Komshi kishim një njeriun tonë që ishte martuar me një italiane. Ata morën nënën duke i dhënë kurajo që të mund të përballonte situatën për hir të fëmijëve. Na u gjendën shumë afër, sepse e mbaj mend mirë se na jepnin kurajo gjatë gjithë kohës. Ishin kohë të vështira”.
Pushkatimi
Mirvjeni nuk e kishte dëgjuar kurrë fjalën ekzekutim. Nuk e dinte çfarë do të thoshte. E dëgjoi për herë të parë mesnatën e 27 shkurtit, ku dy oficerë të sigurimit kishin mbetur në derën e shtëpisë për të dhënë lajmin se Jonuz Kaceli ishte ekzekutuar. Këtë fjalë nuk e kishte kuptuar as e ëma, Merjemja.
“Ju lutem mund të më thoni çfarë do të thotë ekzekutim, pyeti nëna oficerët, por ata nuk u përgjigjën dhe u larguan me shpejtësi nga dera. Ekzekutim! Na u duk si një fjalë e huaj shumë e pakuptueshme. Nëna shkoi menjëherë tek familja e Hamdiut që ishim komshinj, edhe ne fëmijët e ndoqëm pas. Sa na pa në oborr Hamdiu, na doli para.
Hë Merjeme, si është puna?!, e pyeti nënën i shqetësuar. Nëna i tha që më thanë e kanë ekzekutuar, por se di çdo të thotë kjo fjalë. Ai uli kokën. Ndenji si i hutuar. Për disa çaste nuk foli. Ne e shikonim në dritë të syve. Përgjigja e tij do na jepte forcë nëse do ishte pozitive. Eh tha ai, dmth e kanë pushkatuar… Ne shtangëm. Nëna lëshoi bërtima e tmerruar”, rrëfen Mirvjen Kaceli.
Pas pushkatimit të Jonuz Kacelit, do të ishte shumë e vështirë jeta për shtatë fëmijët e tij dhe bashkëshorten Merjeme. I priste internimi dhe përndjekja gati 40 vjet, deri në fundin e vitit 1990, kur u rrëzua sistemi komunist. Në gusht të vitit 1991, pak muaj pas rrëzimit të diktaturës, eshtrat e Jonuz Kacelit u gjendën bashkë me disa të tjerë të pushkatuar të ngjarjes së bombës në ambasadën sovjetike.
“I gjetëm eshtrat e babait në gusht të vitit 1991. I gjetëm në bazë të dëshmive të fshatarëve që ishin aty rrotull në atë pushkatim. Madje, ishin shumë vetë që e dinin pak a shumë vendin. Pikërisht në këtë vit, me një vendim të veçantë, babai jonë u shpall i pafajshëm. Kur gjetëm kufomat, pamë se kafka e babait tonë, ishte ndryshe nga e të tjerëve.
Ajo kishte një të çarë në mes të ballit. Kjo e çarë është ashtu si më kanë thënë ata që kanë parë torturat e babait. Pra, atë e ka bërë Mehmet Shehu me qytën e revoles, para se të shkonte drejt pushkatimit, ai kishte vdekur nga torturat. Këtë e kanë rrëfyer dy punonjës të ministisë së Brendshme pas vitit 1991.
Kur Mehmet Shehu kishte parë babanë në korridor të Ministrisë kishte thënë: Ja, Jonuz, erdhi dita të jemi përballë. Më zgjidh dhe të flasim si burrat… Por nuk kishte pritur asnjë çast më shumë dhe e kishte qëlluar babanë me qytën e revoles në ballë. Ndaj kafka e babait tonë ndryshonte nga të tjerat… atë ditë kur iu gjetën eshtrat”.
*Rrëfimi i Mirvjen Kacelit, është marrë nga një intervistë që ai ka dhënë për gazetarin Albert Zholi, për gazetën Telegraf, pak vite më parë…
————————–
LEXO EDHE:
Mizoritë e komunizmit: Takim me gruan në kampin e Bedenit: “Foze, nuk po më njeh?!”
ObserverKult