Rrëfimi i ndjerë i Ylber Merdanit për kalvarin e familjes së tij, nga pushkatimet, burgjet e internimet e të afërmve, më pas internimi dhe burgosja e tij
Nënën e kisha parë të qante shpesh, por ajo sa herë që më vinte re që unë po hyja në dhomë, fshinte lotët dhe përpiqej të dukej e gëzuar. Unë atë herë isha vetëm 5 vjeç, nis të tregojë poeti, Ylber Merdani nga Korça, fatin e fisit të tij. Kur nënën time, Fatimenë e gjeja ashtu, në atë gjendje, filloja të ndihesha keq. “Nënë, përse qan”, e pyesja, por ajo nuk më tregonte kurrë. “Jo, më përgjigjej, nuk po qaj, vetëm se më dhemb pak koka”. Pasi më kthente si gjithnjë të njëjtën përgjigje, bënte të gjitha përpjekjet që të dukej e gëzuar. Unë nuk kisha si ta besoja, por nuk arrija të kuptoja përse qante aq shpesh nëna ime…
“Një mëngjes, ajo nuk mundi ta fshihte dot më trishtimin e saj, vazhdon të tregojë Merdani. Për herë të parë, nuk u mundua të fshinte lotët, edhe kur unë hyra në dhomë. Nuk bëri asnjë përpjeke, as kur në dhomë kishte hyrë babai. Lotët e saj nuk kishin të pushuar. “Mirë, – tha babai im, Fuat Merdani, merr djalin dhe shko”. Me sa duket prindërit e mi kishin biseduar gjithçka gjatë natës. “Shko” – tha babai dhe vura re se edhe ai kishte një pikë loti tek cepi i syrit. Nëna u ngrit, më mori për dore dhe dolëm jashtë. Unë qëndroja i heshtur. Nuk e dija se ku po më çonin, por nuk kisha as guxim të pyesja nënën, sepse ajo edhe në rrugë i kishte sytë të lotuar. Vura re se ishim ndalur para portës së burgut, aty ku sot është materniteti. Nëna diçka bisedoi me një polic dhe pas pak doli një burrë. E quanin Ajdin Kulla, ishte nga fashti Zëmblak i Korçës, nëna e kishte kushëri të parë. Ai kishte qenë kryetar balli. Shumë më vonë, do të merrja vesh se Ajdin Kulla ishte pushkatuar të nesërmen e takimit tonë. Nëna kishte shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, por mua nuk më kishte treguar asgjë. Me sa duket nuk donte të më trembte. Nëna vazhdonte të qante edhe përpara syve të policit. Hajdini e pyeste për të gjithë merdanët një nga një, i njihte të gjithë. Kur do të ndaheshim, ai më vuri dorën mbi flokë dhe më pyeti: “Po ti nipçe, çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” Unë ngrita sytë dhe jo pa krenari i thashë: “Unë do të bëhem komunist”. Mbaj mend që ai qeshi fort. Ndoshta nuk kishte qeshur aq shumë në gjithë jetën e tij. Nuk ndali së qeshuri, as kur më ngriti në krahë dhe më puthi. “Mirë, shumë mirë, ma ktheu, por vetëm daja e di se çfarë do të bëhesh ti kur të rritesh…” Ishte viti 1945. Që atëherë kanë kaluar 62 vjet, por gjithnjë i kujtoj fjalët e tij… vetëm daja e dinte se çfarë do të bëhesha unë…
Arrestimi i xhaxhait
Dukej sikur nënës time nuk do t’i ndaheshin lotët kurrë. Për këtë shkak, rrija dhe e përgjoja nëse vazhdonte të lotonte si më parë ose jo. Edhe për shumë ditë pas pushkatimit të Ajdin Kullës, nënën e pashë të dëshpëruar. Iu desh mjaft kohë që ta merrte veten, por kur vura re se ajo ishte më mirë, nisa të ndihem edhe unë më i qetë. Pata përshtypjen se nëns time do t’i kthehej buzëqeshja, por nuk vonoi shumë dhe ajo ra sërish në dëshpërim. Një mëngjes nëna ishte zgjuar me lotë në sy. Kishin arrestuar vëllanë e babait, Qemal Merdanin ose babain e këngëtarit të mirënjohur Sherf Merdani. Ishte viti 1951. Babai përpiqej të mbante veten, por dëshpërimi ishte i dukshëm. Unë nuk po kuptoja çfarë po ndodhte me fisin tonë. Ajdin Kullën e kishin pushkatuar 5 vjet më parë, kurse tani kishin marrë në burg edhe xhaxhain tim. Ne nuk kishim qënë komunistë. Kur shikoja nënën që qante, pyesja veten me mijëra herë, përse prindërit e mi nuk ishin bërë komunistë. Në atë kohë dëgjoja se po të ishe komunist, zije shtëpitë e bukura të të tjerëve, të atyre që internoheshin ose burgoseshin, ndërsa ata që nuk ishin komunistë, strehoheshen në shtëpi të vjetra, të cilat ishin gati për të rënë. Pse ndodhte kështu, nuk e dija. Në familjen tonë përsëri kishte rënë trishtimi. Kishin arrestuar bashkëshorten e Qemalit, Yleme Merdanin ose nënën e Sherif Merdanit. Ylimeja, veç Sherifit, kishte edhe një fëmijë dy-tre muajshe, Meleqin, por askush nuk pyeti për këtë gjë. Njerëzit e sigurimit e morën me vete duke ia hequr djalin nga gjiri. Kërkonin të dinin se në ç’vend e kishin fshehur floririn njerëzit e fisit Merdani. Sherif Merdani dhe vëllai i tij, Meleqi, mbetën jetim. Dy prindërit e tij ishin në burg. Vëllai i Sherifit, që ishte 2-3 muajsh, kishte nevojë për gji. Që nga arrestimi i nënës së tij, ai vetëm qante… Askush nuk ishte në gjendje ta pushonte. U mendua se çfarë mund të bëhej me këtë fëmijë dhe në mëngjes, nëna më tha mua dhe Sherifit, se duhej të merrnim fëmijën e vogël dhe ta çonim në burg, që Ylemeja t’i jepte për të pirë. Ashtu bëmë. Unë dhe Sherifi ishim të vegjël, një pjesë të rrugës e merrte ai, ndërsa më pas e merrja unë. Meleqin e çonim tre herë në ditë në burg, ku nëna e Sherifit i jepte gji fëmijës. Për shumë kohë, Meleqi u bë vizitor i rregullt i burgut, deri sa një ditë një doktor, Selaudin Bekteshi kishte thënë: “Ose lironi gruan, ose çoni dhe fëmijën në burg, sepse në të kundërt fëmija mund të vdesë”. Fatmirësisht Ylemeja u kthye në shtëpi, ndërsa vazhdonte të mbahej në burg i shoqi.
Nuk ishte e thënë që nëna ime të shihte një ditë të bardhë. Në vitin 1957 në shtëpinë tonë erdhën disa njerëz të qeverisë dhe na thanë se duhej të dilnim nga shtëpia. Partia na kishte gjetur një vendstrehim tjetër, ndërsa në shtëpinë tonë do të strehohej komandanti i burgut dhe komandantë të tjerë. Mbaj mend që nëna ime nuk donte të dilte, por njerëzit e sigurimit e zunë për krahu dhe e nxorën jashtë. Të njëjtën gjë bënë edhe me babain tim. Ndryshe nga nëna, babai kërkonte të ishte më rezistues, por pashë që ata e goditën . Njëri prej tyre e zuri për gryke. Unë mbeta i tronditur kur e pashë babain në atë gjendje. U hodha sipër policit për t’i ardhur në ndihmë babait, por ai më shtyu edhe mua. Kishim dalë në mes të katër rrugëve. Nëna ishte sërish e lotuar. Na çuan në një shtëpi të vjetër, e cila ishte një shkretëtirë e vërtetë. Ishte thjeshtë një gërrmadhe. Nëna bëri gjithçka mundi për ta rregulluar disi. Në faqet e mureve vendosi fotografi të familjes. U mundua të vendoste edhe diçka zbukuruese, por nuk arriti të gjente një vend të duhur. Një mbremje teksa të gjithë rrinin të heshtur pyeta se përse na kishin përzënë nga shtëpia. Babai tha se ata kërkonin që t’u jepnim floririn dhe gjithë pasurinë që kishim patur. “Jepjani, u thashë, përse nuk ua jepni”. Babai më hodhi një vështrim të lodhur dhe më tha: “Ua dhamë të gjitha bir, tani nuk na ka mbetur asgjë. Nuk kemi çfarë t’u japim më”. Babai ishte mjaft i lodhur. Ishte dobësuar shumë dhe kishte kohë që nuk e kisha parë të qeshte. “Po babain e Sherifit, e pyeta, përse e arrestuan”?. “Për të njëjtën gjë”, më tha babai. edhe ai nuk kishte çfarë t’u jepte më”. Pas përgjigjeve që më kishte dhënë im at, nisa të vrisja mendjen, se si ishte e mundur që komunistët të internonin dhe të futnin në burg, kur njerëzit nuk kishin çfarë të jepnin më. Befas vështrova nga nëna dhe pyeta: “Komunistët janë të mirë apo të këqinj”? Nëna vështroi përnjerëherë nga babai me sy të trembur. Im at më vështroi, deshi të fliste, por u mendua një çast: “Kur të rritesh, tha, do ta kuptosh se çfarë janë komunistët. Pas një vit u ndjem si më të qetësuar. Kishim filluar të ambientoheshim me shtëpinë tonë te re…
Takim me Genc Lekën
Nëna ime gjithnjë kishte qarë me lotë të hidhur, por kur i thanë se biri yt Ylber Merdani do të shkojë në shkollë për të vazhduar studimet për mësues, pashë se sytë e saj nuk ishin të trishtë dhe të mbushur me dhimbje si më parë, edhe pse i kishte me lotë. “Ndoshta tani e tutje do të na lenë të qetë”, tha babai, por nga zëri, dukej që nuk ishte i sigurtë për atë që po thoshte. Studimet i përfundova në vitin 1959. Gjatë studimeve në shkollën Pedagogjike u njoha me një vajzë nga Suli i Devollit, Shpresa Ballollin. Me përfundimin e shkollës shkuam që të dy mësues në fshatrat e Librazhdit. Aty u njohëm dhe me Genc Lekën. Flisnim shumë për poezinë, sepse aso kohë edhe unë shkruaja poezi. Qëndruam në Librazhd deri në vitin 1966. I tregoja Gencit gjithë përjetimet e mia të fëmijërisë. Ai rrinte i menduar dhe pastaj më përgjigjej me ndonjë poezi që e kishte shkuar ditë më parë. Ishin poezi të bukura që mua më pëlqenin mjaft
Internimi
Më kot babai kishte menduar se fisi i merdanëve ishte harruar nga komunistët. Mos dorëzimi i floririt kishte dalë përsëri në skenë.( Nuk di që të kishim patur tjetër flori) Në familjen tonë kishte mbërritur urdhëri i internimit. Më kujtohest si sot. Një makinë ushtarake tip “Zis”, e mbuluar me mushama të errët, u ndal para shtëipsë tonë me një zhurmë të frikshme. Ne ishim lajmëruar që në mbremje për internimin tonë dhe gjatë gjithë natës nuk kishim fjetur për asnjë çast. Edhe pse nuk donim të bindeshim, plaçkat i kishim bërë gati. Me t’u ndalur makina, prej saj dolën policë dhe disa hamej që i kishin sjellë për të ngarkuar plaçkat tona. Ndodhi e njëjta skenë si atë ditë kur na kishin nxjerrë nga shtëpia. Babai nuk dontë të bindej, ndërsa nëna si gjithnjë nuk mbante dot veten. Babai pyeste: “Po të paktën më thoni se përse duhet të internohem, cfarë kam bërë”?!. Askush nuk i jpete përgjigje. Na morën për krahu dhe na hipën të gjithëve në makinë. Mbyllën me mushama pjesën e pasme të karrocerisë dhe u nisëm. Vetëm pas disa orë udhëtimi na thanë të zbrisnim. Kishim mbërritur në fshatin Pulahë të Oparit. Na lanë aty dhe ikën. U rregulluam në një shtëpi të vjetër, që me sa duket kishte qënë ahur. Ishte nëna ajo që nisi të regullonte me çka të mundte shtëpinë tonë të re. Tashmë e ndihmonte edhe motra, Jadigjari që në e thërrisnin shkurt Jadi. Për ditë të tëra qëndrova krejtësisht i përhumbur. Nuk isha në gjendje të kuptoja se çfarë po ndodhte me familjen tonë.
Poezitë
Vetëm pas disa ditësh konstatova me tmerr se prindërit e mi ishin plakur shumë. Nëna ishte thinjur mjaft. Ajo çka kisha konstatuar atë çast, më la të tmeruar. Që të gjithë kishim mbetur të shokuar, por trishtim si atë të nënës nuk më kishin zënë sytë. Vetëm kur ra mbremja, mora një letër dhe nisa të shkruaj atë çka ndjeja për nënën time: “Të shohësh lotët e nënës plakë, / Të shohësh të dridhen ato thinjë, / Të shohesh shtëpinë në flakë, / Kur nuk ke as forcë, as ndihmë, / Është tmerr, kur duartë t’i kanë lidhur, / Shtërngon grushtet, sytë gjithë lotë, / S’mbahet më dhe brengë e hidhur, / Do të flasësh, por nuk flet dot…” Të tilla poezi nisa të shkruaja ato ditë të internimit, atje në Pulahë të Oparit, ku pula hante gurë. Ishim më të varfër se kurrë ndonjëherë. Përveç internimit nuk kishim asnjë pasuri tjetër. Ditëlindjen e motrës, Jadit, e festuam me ç’na u ndodh, ndërsa unë sërish do të shkruaja një poezi: “Ne nuk kemi gota të kristalta, / Tavolinës endet varfëria, / Përtypim ujë dhe ajër mali,/ Në zemrat tona fle liria…” Në Pulahë kishte dhe të internuar të tjerë. Kuptohet që tek ta kishim më shumë besim. Poezitë që shkruaja ia tregoja edhe një të internuari që e konsidroja mik të mirë, por nuk kishte qënë kështu. Ai me të marrë vesh se çfarë thuhej në vjershat e mia, e mbajti frymën në degën e punëve të brendshme. Unë nuk e dija, por një ditë pranë këmbëve të mia, u ndal gazi i degës. Isha arrestuar në emër të popullit. Ishte 9 qershor i vitit 1969.
Hetimet
Poezitë që kisha shkruar i mbaja në vendet më të fshehta që të mos i gjente askush, por kur u gjenda përballë hetuesit ai më vuri përpara një tufë letrash njësoj sikur të ishin granta që do të shpërthenin nga çasti në çast. “Të tuat janë këto”, më pyeti. I mora dhe u hodha një sy. Ishin poezitë e mia, ashtu siç i kisha shkruar ditën që kisha parë nënën time të plakur dhe të thinjur. Sapo lexova rreshtin e parë, përsëri m’u kujtua nëna. Ajo me siguri në atë çast do të ishte duke qarë. Isha i sigurtë se tashmë thinjët do ta mbulonin krejt. I lutesha Zotit vetëm ta shihja edhe një herë gjallë. “Të mijat janë”, iu përgjigja pyetjes së hetuesit. “Kur do t’i botonit”, pyeti ai, jo pa ironi. “Kur t’i vinte koha”, iu përgjigja. Nuk kisha çfarë të humbisaj dhe çfarë të fitoja. E dija që vendi im tashmë e tutje do të ishte në burg. Fati ynë ishte i parathënë. M’u kujtuan fjalët e Ajdin Kullës, i cili më kishte thënë: “Vetëm daja e di se çfarë do të bëhesh ti… Dhe ai kishte patur të drejtë. Unë nuk do të mundësha të bëhesha komunist, brumi ynë ishte gatuar ndryshe. Hetuesi më shkëputi sërish nga ato çfarë mendoja. “Po Genc Lekën e ke takuar në Librazhd”, ishte pyetja e radhës. “Sigurisht”, ia ktheva, ne ishim mësues atje, kemi dalë dhe fotografi”. “Edhe ai poet si ty është”, pyeti sërish htuesi. “Është poet i mirë”, iu përgjigja. “Vjershat e tënde i ka parë Genci”? “Jo, ju përgjigja, të gjitha këto i kam shkruar në Pulahë të Oparit. “Po ai t’i tregonte vjershat e tij”. “Jo, ia ktheva, përgjithësisht flisnim për nxënësit”. “Hm, për nxënësit, e çfarë u thoshit nxënësve, “që është tmerr kur i ke duart e lidhura, që është tmerr kur kërkon të flasësh dhe nuk flet dot”? Pas kësaj nisën të më torturonin. Kalova mjaft ditë të tilla, ku pyetjet ishin mbi poezitë dhe Genc Lekën. Gjithçka mori fund kur dola në sallën e gjyqit dhe mora dënimin me 8 vjet burg. Më nisën drejt e në burgun e Spaçit Isha dënuar për dorëshkrimet e mia. Në Spaç qëndrova 8 vjet me radhë. Atje u bëra edhe pjestar i Revoltës së Spaçit. (21-23 maj 1973). Në qershor të vitit 1973 në burgun e Spaçit sollën edhe Sherif Merdanin, djalin e xhaxhait. E pritën të gjithë me respekt dhe gjithkush përpiqej t’i lehtësonte sa më shumë dhimbjen. Në dhjetor të vitit 1974, kur në Tiranë zhvillohej festivali këngës, të burgosurit e Spaçit, në zonën e dytë, kur ishin në turnin e tretë, improvizuam një festival, aty në mal, sepse në Spaç kshte dhe këngëtarë të tjerë të burgosur. Çmimin e parë e fitoi Sherif Merdani, ku u vlerësua me 30 ditë birucë dimërore. Sherifin e kishin dënuar me 10 vjet burg për motive politike, por ai do të dënohej sërish edhe me 10 vite te tjera burgim. U lirua në vitin 1977. Atë vit u lirova edhe unë. Ndërkohë familja ime e kishte përfunduar internimin në fshatin Pulahë, por me një urdhër tjetër internimi, i kishin çuar në fshtin Shtyllë. Familja ishte internuar në Shtyllë në vitin 1975, në kohën e parullave. Mora vesh se vetëm nga qyteti i Korçës ishin internuar 60 familje, ndërsa ishte internuar gjithë fisi i merdanëve.
Nga burgu në internim
U nisa për në fshatin Shtyllë. Atje ishte internuar edhe familja e Shpresa Ballollit, të dashurës sime. Kur mbërrita në fshat, përveç familjes me priste edhe ajo. Filimisht u takova me nënën dhe babanë, pashë se ata ishin plakur shumë. Ishin krejtësisht të drobitur. Iu hodhëm në qafë njëri-tjetrit dhe mbetëm një çast ashtu. Kishim 8 vjet pa u takuar. Të njëjtin mall provova edhe kur ndjeva dorën e Shpresës. “Erdhe, më pyeti ajo, të kam pritur…” Unë i shtërngova dorën, shtrëngimi i dy duarve fliste shumë. Babai iu pret për darkë, tha Shpresa. Pas dy muajve bëmë martesën, u martuam atje, në fshatin e internimit, në Shtyllë. Aty gjeta edhe Reshat Merdanin, vëllain e madh të babait. Ai kishte qënë një student i shkëlqyer, kishte studiuar për financë në Francë, por tashmë e tutje do të ishte aty, i internuar. Nga martesa me Shpresën pata dy fëmijë, Fatbardhën dhe Ermalin. Shpresa, ime shoqe më tregoi se babai i saj, Veli Ballolli ishte dënuar me pushaktim, si i implikuar me grupin e deputetëve, por së fundi i lanë një dënim me 14 vjet burg. Ai vdiq atje në shtyllë. Banorët e fshatit nuk deshën ta pranonin në varrezat e tyre. Jo, as të vdekurit nuk mund të ngatërroheshin me një njeri që kishte patur biografi të keqe. Regjimi vendoste edhe për botën e përtejme. Ballollin e varrosën në një vend të veçuar nga fshati. Që nga ajo ditë ai varr u thirr “Varri i kulakut”. Edhe sot e kësaj ditë mban të njëjtin emër. Eshtrat e tij nuk janë më atje, sepse familja i çoi në vendlindje, por “Varri i kulakut” qëndron atje. Në vitin 1980 vdiqën atje në Shtyllë babai, Fuati dhe xhaxhai im Reshati, ndërsa nëna u nda nga jeta në vitn 1989, që të gjithë mbetën atje në shtyllë. Ishim 9 familje. Në atë fshat mbylli sytë dhe nëna e bashkëshortes time. Nuk pata fat t’i shoh qoftë edhe një çast të vetëm pa lotë në sy.
Merdanët
Merdanët u vendosur në korçë këtu e 300 vjet më parë. Kishin qënë tregëtarët më të dëgjuar të qytetit të Korçës. Rexhepi, daja im, tregon Ylber Merdani ishte një nga tregtarët më të njohur të Korçës. Në vitin 1919 formuan firmën tregtare “Magazia Drejtësia- Rexhep Merdani Ko”, ku ishin bashkëpronarë Fuati, babai im, Qemali dhe Reshati, dy xhaxhallarët e mi. Tashmë është e dokumentuar se fisi Merdani ishin bamirës të njohur të qytetit të korçës. Paguanin prikat e vajzave të varfëra, fëmijët jetim. Ndërsa bënin herë pas herë dhurata tek familjet e varfëra. Ndihmonin shkollat, spitalin, jetimoren. Nuk nguronin asnjëherë të jepnin fondte për ndërtimin e rrugëve. Ndihmonin kolegët e tyre për të hapur dyqane, ndërsa i u jepnin mall pa pagesë, me qëllim që t’i shlyenin si të kishin shitur mallin, por edhe kur të kishin forcuar pozitat e tyre ekonomike, përfundon tregimin e tij Ylber Merdani, autor i shmë librave me poezi, nismëtar i krijimit të shoqatës të të përndjekurve politik, ku merrte pjesë dhe bashkëshorta e tij Shpresa, anëtar i grevës së urisë në Korçë, e cila përfundoi në Shtator të vitit 1991. Tashmë është Kryetar Nderi i Shoqatës të të Përndjekurëve Politikë./Marrë nga Radi and Radi. radiandradi.com.
———————-