Rrëfim rrëqethës, Tinka Kurti flet për humbjen e djalit

Kohë më parë në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishte e ftuar aktorja e madhe, Tinka Kurti, e cila 21 vite më parë i kishte vendosur emrin një vajze në Kosovë.

Në studion e programit kishte ardhur Afeida, vajza e cila mban një nga dy emrat e sugjeruar nga vetë Tinka. Historia e emrit të Afeidës kishte ndodhur 21 vite më parë. Kur vetë prindërit e saj kishin takuar Tinkën dhe i kishin kërkuar që t’i vendosnin emrin fëmijës që ata prisnin.

Por siç dihet, në programin “Dua të të bëj të lumtur”, personave publik u rezervohen gjithmonë disa surpriza. Moderatorja e programit, Arbana Osmani kishte përgatitur një intervistë me aktoren e njohur, Tinkën. Sipas moderatores, intervista e fundit që kishte pasur me Tinkën ishte në programin “Një mijë e një pse” përpara 8 vitesh.

Gjatë intervistës, Tinka Kurti rrëfeu momente nga rolet e saj përgjatë gjithë karrierës. Por vend të veçantë për të zinte roli i parë që kishte luajtur. 
“E mbaj mend herën e parë që aktrova. Ishte një rol nuseje që po martohej pa dëshirën e saj dhe normalisht po qaja. Aty regjisori më pyeti se pse po qaja dhe kur iu përgjigja më tha që nuk kisha lidhje me këndimin. Por direkte duhej të bëhesha aktore”,- u shpreh Tinka Kurti.

Një orë më vonë më merr nipi

Përpara 3 viteve, fatkeqësisht djali i aktores ndërron jetë në Kanada. Dhe kjo ngjarje ka qenë një ndër momentet më të vështira për Tinkën.
Aktorja rrëfeu se që nga ajo ditë kishte vite që nuk kishte dalë në një skenë televizive dhe e përlotur shtoi: “Po flisja me të në telefon. Dhe një orë më vonë më merr nipi e më thotë që babai nuk do vijë të të takojë nënë sepse ai sapo ndërroi jetë…”.

Moderatorja, Arbana Osmani dhe regjisori, Eduart Grishaj në llogaritë e tyre në rrjetet sociale kanë shpërndarë video nga filmi i fundit i tij, “Sofia”, ku interpreton Tinka Kurti. Ajo tregoi se nuk e kishte pasur aspak problem që të merrte pjesë në këtë film. Madje ajo shtoi se nuk ka asgjë që e pengon atë që të vazhdojë punën e saj.

Në fund programi “Dua të të bëj të lumtur” kishte rezervuar një surprizë për aktoren. Një video-mesazh nga nipi i saj që jeton në Kanada, të cilin u bë kohë që nuk e takon për shkak të pandemisë COVID-19./topchannel

LEXO EDHE: TINKA KURTI, AKTORJA QË SHENJTËROI NËNËN NË ARTIN SKENIK SHQIPTAR