Rrëfime për hipokrizinë njerëzore, injorancën fetare dhe pushtetin…

Recension për librin “Kthimi i profetit” të Adil Ollurit

Nga Edlira Ramaj

Në përmbledhjen e tij me tregime Adil Olluri ka servuar ngjarje e personazhe të shumtë, me anë të të cilëve ka goditur larmi temash nga e kaluara dhe aktualja. Përmes narratorit të tij, i cili rrëfen në vetën e tretë, e herë edhe në të parën, te shkrimtari shihet e mveshur një natyrë çjerrëse e rrëfimit të ngjarjeve.

Personazheve të tij ai herë u jep emra, ndonjëherë nuk i emëron fare, dhe në raste jo të rralla u vë vetëm inicialet. Ngjarjet të cilat zhvillohen brenda tetëmbëdhjetë tregimeve të Ollurit, janë tejkohore, një tejkohësi që e ndërton të tashmen, dhe një e tashme që përballet me karaktere të veshura e të zhveshura njerëzore. E, përveç që janë tejkohore, janë edhe përtej kufijve shtetëror. Në përballje të individit me jetën fetare, sociale, politike e kulturore, Olluri, bën demaskimin e  atyre karaktereve që pas njeriut të virtytshëm e të devotshëm, fshehet një tjetër personalitet.

Feja islame, është nga temat më të prekura në tregimet e Adil Ollurit, dhe përmes referencave fetare, ai shpreh tendencën për heqjen e maskës së individëve, besimtarëve e klerikëve të cilët ngriten në emër të fesë, por që realisht posedojnë karaktere të luhatshme. Hipokrizia, është vesi kryesor që bartin personazhet e tij, kësisoj e nis me tregimin “Barku i Balenës”, ku personazhi kryesor i tregimit përtej njeriut të devotshëm që shfaqet në shoqëri, përballë ndalesave fetare ai bëhet i dobët, mëkatar, tradhëtar e gënjeshtar.

Në tregimin “Kthimi i profetit”, përmes fiksionit të shkrirë në rrëfim, Olluri, ardhjen në Prishtinë të Muhamedit, profetit të fundit islam e ka realizuar me intencë të zhveshjes se predikimit fetar, absorbimit e praktikimit të fesë përtej origjinalitetit të saj. Me ardhjen e tij në një vend të panjohur më parë si Prishtina, profeti, befasohet dhe lumturohet që feja islame ka arritur gjer këtu, por ngelet i zhgënjyer nga pasuesit e predikuesit e tij, sepse sipas personazhit që vetëquhej si profeti Muhamed, feja që ata transmetonin nuk ishte në të njëjtat baza me fenë që ai e kishte përhapur: “Meditonte thellë për rrugën që kishte marrë feja që vetë e kishte krijuar”.

Pafuqinë e individit në përballje me sistemin shtetëror, mashtrimin, korrupsionin, vdekjen shpirtërore e interesat me baza partiake, shkrimtari na i servon përmes tregimit “Tender për transport kufomash”, e që në realitet është goditje e një sistemi aktual.
Individi në këtë tregim qëndron mes ironisë e tragjikes: “Tërë ditën rrija duke e pritur vdekjen e dikujt. Ajo me ushqente”. Një vdekje e brendshme e personazhit të Ollurit karshi kapitalit të majmë.
Dhe, veç ironisë e tragjikës, në rrëfim zë vend mjerimi shtetëror, mashtrimi e nepotizmi, por gjithë këto marrin kahje pozitive me ngritjen kolektive kundër së keqës.
Vdekja si akt i panjohur i përjetimit individual, përmes rrëfimit “Funerali im” – na jepet në një botë transi, një përballje të individit mes të njohurës e të panjohurës, të vërtetës e gënjeshtrës, dashurisë e urrejtjes. “Funerali im” është tregimi që thyen disa pikëpyetje, dhe shton shumë pikëpyetje tjera, është rrëfimi i përtejbotshëm.

Veç tjerash, në tregimet e tij, Olluri si personazhe ka vendosur edhe disa kafshë të cilat flasin, veprojnë e kërkojnë.  Në rrëfimin “Kthimi i sërishëm i drerit në kopshtin zoologjik”,  dreri është mishërim i një karakteri të veçantë, që realisht simbolizon njeriun që nuk e gjen vetën në robëri e as në liri, sintezë e individit me mungesë të qetësisë shpirtërore, i cili është vazhdimisht në kërkim të prehjes së vërtetë. Ndërsa në tregimin “Revolta e minjeve”, në të vërtetë revolta është e të vegjëlve a të dobtëve karshi të mëdhenjëve a të fortëve. Është beteja mes së drejtës e të padrejtës, njerëzores e jo njerëzores. Është pra, humaniteti që në mes të së keqes vihet në pah, e që pastaj thyhet nga dehumanja. “ U thuaj njerëzve që ne nuk e vrasim secilën qenie që mundemi. Nuk vrasim secilën qenie që është më e dobët se ne”. Minjtë janë personifikim i të dobëtit, i njeriut pa pushtet, i të shypurit, të cilët edhe në betejën për triumf, e kursejnë atë që është më i dobët se ata, dhe nuk priren nga urrejtja verbëruese. Ndërsa njerëzit janë mishërim i të fortëve, pushtetit, të cilët kanë të veshur egon e asgjësuesit ndaj atij që i lufton ata, duke mos kursyer asnjë pengesë që u del në rrugë.

Pushteti i veshur me rrobën e krimit është i shfaqur edhe në tregimin “Thika e një Presidenti”, ku protagonisti në rini ka kryer një vrasje, vrasje të cilën bota e besoi si vetëvrasje, e që në fakt u inskenua nga protagonisti dhe mes kohërash jetoi si e tillë. Por, njolla e krimit i bëhet hije figurës pushtetare, ndërsa faji mbeti i fshehur në skutat e egos së tij, nga ku edhe shpërtheu intriga.

Katër tregimet e fundit: “Më jepni diçka ta fshijë gjakun”, “Kthimi i Babait”, “Nuk e varrosëm dëshmorin” dhe “Transistori”, janë rrëfime retrospektive, ato të kthejnë në kohën e pushtuesit serb në Kosovë, mes reminishencave të autorit, të kthejnë në kohën e dhimbjes e tmerrit kombëtar. Një e kaluar e tillë, është dëshmia më e fuqishme e një trazire të jetuar nën nënshtrimin serb, është një kauzë shqiptare që autori e zbërthen përmes një rrëfimi direkt e indirekt. Në këto katër tregime kemi shqiptarin që provokohet, torturohet, nënshtrohet e nënçmohet, pavarësisht gradës së tij individuale, kemi kryefamiljarin që sakrifikohet, e familjen që qëndron në pritje të vazhdueshme, kemi të gjallin në varr, e të vdekurin e pa varrosur.

Luftë, robëri, vuajtje, martirizim, frikë, dhunë, vdekje e qëndresë, janë disa nga temat që Olluri i ka prekur në katër tregimet e tij të fundit, të cilat dëshmojnë për vërtetësinë e një të kaluare.
Përmbledhjen e tij me tregime, ai e përfundon me “Transistorin”, përmes së cilit rrëfim, ai paralajmëron ardhjen e lirisë në Kosovë, me hyrjen e NATO-s. Transistori, përveç që është tregimi për ardhjen e lirisë, është gjithashtu edhe rrëfim për individin që është i etur për vëmendje, individin, i cili e sakrifikon edhe lirinë kombëtare karshi egos së tij, një karakter që sakrifikon edhe ushtarin e vendit të tij për ta fituar zemrën e të dashurës. Skaj kësaj, Olluri, na bën të qartë që indiferentizmi ka qenë, dhe është çdo herë i pranishëm, pavarësisht situatës me të cilën ballafaqohet shoqëria.

Me përmbledhjen e tij prej tetëmbëdhjetë tregimesh, Olluri ka dënuar një shoqëri të tërë me vese, qofshin ata klerikë, besimtarë, qeveritarë, qytetarë, nëpunës e punëtorë të zakonshëm, prirjet e këqija të të cilëve janë të dëmshme për masën, dhe për të cilat, Olluri përmes tregimeve të tij ka ngritur aktakuzë, duke denoncuar botërisht çdo të ligë të mundshme, prej të cilave mund të cënohet çdo krijesë. Si rrjedhojë ai bëri zhveshjen e egos së individit, duke goditur atë në verbërinë për interesat personale, dhe kështu duke ndëshkuar kastën e të korruptuarëve, mashtruesve, pushtuesve, keqbërësve dhe injorantëve. Kësisoj, Olluri ngriti zërin nga e kaluara që u bë e tashme, në tendencë për një të ardhme me ndërgjegjësim a vetëdije kolektive./ ObserverKult