Rrëfimi emocional i gruas së Stavri Shkurtit: Ja çka bëri një ditë para se të vdiste…

Figura artistike e aktorit Stavri Shkurti, që nga vendi i saj në radhën e parë, e ndillte prej kohësh një shkrim. Florika, bashkëshortja e tij, tha kohë më parë se duhej pritur data 5 gusht për një përkujtim. Artisti i Popullit, në këtë datë ka edhe ditëlindjen e tij por edhe datën e vdekjes.

Në jetën njerëzore të shifrave, Stavri Shkurti do të ishte 94 vjeç. Por 23 vite më parë, aktori sikur bëri një sforco të fundit dhe luajti episodet e fundit të jetës së tij. Florika kujtoi mes lotësh se një ditë para se të shuhej, atje në një spital në Greqi, Stavri Shkurti ‘interpretoi’ një bisedë me ëngjëjt. U largua familjarisht, me gruan dhe dy djemtë, Dionisin dhe Gjergjin, nga Korça për në Greqi pas viteve 1990-të.

E nisi në vitin 1950 në teatrin e Korçës, dhe derisa sa doli në pension nuk ju nda teatrit dhe kinematografisë. ‘ Je martuar me kinostudion ti më duket!’ Hë moj, edhe këtë radhë dhe nuk vete më’ ishin këto dialogjet familjarë midis Stavri Shkurtit dhe gruas së tij, sa herë mbaronte një film dhe trokiste dera për fillimin e një tjetri. Dhe skenë pas skene, rol pas roli, Artisti i Popullit Stavri Shkurti interpretoi dhjetra e dhjetra role në teatër dhe 40 role në kinematografi. Role të tilla si ato në filmat ‘ Ilegalët’ roli i Salës në filmin ‘ Zonja nga qyteti’, Tarja në filmin ‘Përballimi’ Murat Shtaga në filmin ‘ Njeriu me top’ ai i fajdexhiut në ‘ Vitet e pritjes’ në vitin 1990.

Aktor shprehës, me një zë gurgullues, Stavri Shkurti ja doli ta krijojë yllin e tij artistik ndër breza. Korça e nderoi gjatë përcjelljes në banesën e fundit në fillimgushtin e vitit 1998 edhe pse akoma qytetit nuk ishin shëruar plagët e veta. Ju akordua edhe titulli ‘ Qytetar Nderi’ dhe më pas ra një harresë paksa e çuditshme. ‘Në shtëpinë time nuk po vinte askush për të pirë një kafe në kujtim të Stavrit, vetëm aktori Andrea Pepi’ pohoi kohë më parë, Florika Shkurti. 

Pengjet për nderimin e munguar ndaj burrit të saj aktor janë disa. Por më i dhimbshëm është ai i dhunimit që i bëhet artistit të mirënjohur në banesën e tij të fundit, në varrezat publike të qytetit. ‘ I kanë vjedhur te varri kryqin, fenerin dhe gërmat e emrit prej bronxi. I kishim punuar në Greqi dhe i grabitën se shkëlqenin si flori’ shprehet mes përlotjes, indinjatës dhe kujtimit bashkëshortja.

Në datën 5 gusht, Stavri Shkurti feks sërish, rrezëllin sërish ylli i tij. Edhe në ditëlindje edhe për datëvdekje. Ndërsa spektatori shqiptar ja çmon aurelolën prej Artisti të Popullit.

LEXO EDHE: AKTORI QË VDIQ NË MES TË SKENËS… TË GJITHË MENDUAN QË ISHTE PJESË E ROLIT