Rrëfimi emocionues i Raffaella Carrà, flet për jetën e saj

Raffaella Carrà

“Isha 20 vjeçe, nuk isha askush dhe nuk kisha bërë akoma asgjë për veten. Një ditë, u gjenda në një studio televizive përpara një moderatoreje tepër të aftë dhe entuziaste: “Ajo është shumë me fat”, mendoja me vete.

“I sheh ato shkallë?”, – më pyetën regjisorët. – “Ajo do i zbresë çdo javë me një fustan të bukur dhe me sy të drejtuar nga kamerat. Në puntatën e fundit, do i heqë shkallët për të shpallur çmimet e llotarisë italiane”.

I pashë në sy të gjithë dhe u thashë: “Faleminderit, por unë i urrej shkallët! Nëpër këmbë keni rreth 8000 vajza aplikante që sigurisht janë më të bukura se unë dhe këtë gjë mund ta bëjë kushdo. Ju ndoshta nuk e dini, por do ta zbuloni se unë jam shumë më e aftë se për të bërë kaq gjë”.

I jam përkushtuar gjithmonë gjithçkaje, sepse siç thoshte nëna ime: “Nëse gjërat nuk i bën mirë, më pas do i bësh sërish për herë të dytë ose të tretë”. Dhe mua nuk më ka pëlqyer asnjëherë të humbas kohë. Nëse diçka nuk më pëlqente, e refuzoja që në fillim. Nuk kam besuar asnjëherë tek rimeli, apo tek personazhi im, por tek ideja, tek kreativiteti dhe tek fati. Kam qëndruar gjithmonë vetvetja dhe jam munduar të mos ndryshoj kurrë. Jam aq e ndrojtur, sa që kur marr një çmim apo më vlerësojnë me diçka, ngelem pa fjalë. Në festa nuk shkoj asnjëherë. Nuk e di se çfarë të them apo çfarë të bëj, ndaj kërkoj një mënyrë për t’ia mbathur.

Nëse do ta përqendroja vëmendjen time vetëm tek suksesi, do të bëhesha e padurueshme. Kam kërkuar gjithmonë ta shmang, për veten dhe për personat përreth meje. Jeta është një lojë me letra dhe mua më pëlqen të kem Asin në dorë. Unë e kam luajtur siç doja lojën e jetës sime. Disa herë kam paguar një çmim, herë të tjera më ka shkuar mirë, por nuk mund të them se nuk jam argëtuar”. /bota.al

_______________________

Lexo edhe:

HISTORIA E TRISHTË E RAFFAELLA CARRÀ: “ZOTI NUK MA DHA MUNDËSINË TË BËHESHA NËNË”

ObserverKult