I pyetur nga Jean Louis Perrier se përse zgjodhi veprën e Viktor Hygoit, “Lukrecia Borxhia”, për ta vënë në skenën e Teatrit Kombëtar Shqiptar, regjisori francez Eric Vigner ishte i prerë: “Aktorja Luiza Xhuvani!”. Bashkëpunimi mes të dyve ka nisur vite më parë, kur i njëjti regjisor vuri në skenën shqiptare “Berberin e Seviljes”, Xhuvani interpretonte Rozinën.
“Kisha dëshirë të punoja përsëri me të, e konceptova ‘Lukrecian’ për të. Unë bëj teatër për një aktor apo aktore: ‘Savannah Bay’ të Duras, për Catherine Samie… Pjesën ‘Où boivent lesvaches’ të Dubillard, për Micha Lescot.
Janë aktoret, aktorët që më frymëzojnë. Luiza është aktore e madhe tragjedish. Gjeografia dhe historia e Shqipërisë, gjithashtu bëjnë jehonë. Zona e Ballkanit, Veriu i Greqisë dhe Italia përballë, një vend që Enver Hoxha e izoloi nga bota për 50 vjet nën një komunizëm autokratik dhe tiranik, dhe prej kësaj kohe, një korrupsion i kudondodhur që e pengon rininë të shohë të ardhmen. Është një prej tematikave të pjesës: si një grua e shtyrë nga dashuria e nënës ëndërron të shlyejë tiraninë e familjes së saj”, ka vijuar regjisori.
Për Luizën u konceptua dhe “e Luizës” ishte shfaqja. “Lukrecia Borxhia” e pati premierën në Teatrin Kombëtar ditën e premte, për të vijuar të shtunën, sot në mbrëmje dhe në javët në vazhdim.
Pjesa ishte përqendruar më gjatë dhe të gjitha emocionet rëndonin te çifti Lukrecia–Xhenaro, djali i saj i lindur nga një marrëdhënie incesti. Aktorja Luiza Xhuvani mungonte prej kohësh në Teatrin Kombëtar.
Dalja e saj e fundit në skenë ishte me “Hamletin”, kjo ndodhi kohë më parë, rikthim ky që e sillte gjithashtu prej shumë kohësh mungesë. U përpoqëm të lidheshim me të për të folur për largimet e kthimet, por përgjigjja, siç pritej, nuk ishte pozitive.
Ndoshta, as nuk kishte pse të ishte e tillë! Më shumë seç kishte për të thënë përmes Lukrecias, nuk do të kishte për të shtuar. Përtej teatrit, kuriozët do të gjenin pyetje të tjera dhe mundet që të jetë pikërisht kjo arsyeja e Xhuvanit për të mos u ekspozuar ndryshe, veçse e veshur si personazhi.
Përndryshe, do të ishte e pranishme në konferencën për shtyp realizuar nga teatri… Sidoqoftë, ishte e pranishme në të gjitha përmasat e tragjedisë që jetohej në skenë.
Ishte aty me lotët, pendesën, lutjet e gjithë të zezat e Lukrecias. Bashkë me të birin, Xhenaron (Xhino Musollari), do të shohim prej Lukrecias se si dashuria merr formën e një virtyti për të fshirë krimet e etërve. Por Lukrecia Borxhia është gjithashtu një pjesë politike, ku fatet e individëve takohen me realitetin politik, një histori korrupsioni, vrasjesh, vdekjesh dhe helmimesh në Italinë e shek. XIV.
Bashkë me personazhin e saj të intepretuar kohë më parë, për të plotësuar pjesërisht atë që do të merrnim nëse do të kishim folur me të, po sjellim disa copëza të karrierës së saj në vite të rrëfyer nga ajo vetë në ciklin e dokumentarëve “Përballë” të realizuar nga “Digitalb”.
Që nga koha e studimeve në Akademinë e Arteve, njohja me Gjergj Xhuvanin, emërimi në Sarandë për shkak të biografisë dhe rikthimi në Tiranë, që shumë shpjet do ta bënte një nga aktoret më në zë të kinematografisë dhe teatrit.
Lidhjet e para me aktrimin deri te studimet në Akademi
Kam qenë e lidhur me kinemanë që në fëmijëri sepse nëna ime i shihte të gjithë filmat që vinin në kinemanë e qytetit. Ka qenë ajo e para që më uli përpara ekranit.
Pasi hyri televizori në shtëpitë tona, mbaroja shpejt mësimet që të shihja aq sa ofronte. Përveç TVSH-së, ne shihnin edhe televizionet greke, për shkak të afërsisë nga Saranda.
Koha në të cilën u rrita u jepte mundësi fëmijëve të rriteshin me argëtimin artistik dhe atë sportiv. Unë i kam bërë të dyja sepse jam marrë për një kohë të gjatë edhe me not. Shkak që jam sot aktore, në mënyrë paradoksale, m’u bë edhe biografia.
Kam jetuar e ndarë nga im atë, kam jetuar vetëm me nënën. Kam ndier mungesën e tij fizike, por jo atë shpirtërore. Kam gëzuar mbiemrin e tij.
Për fatin tim të keq, vëllai i tim eti, dikur partizan, është pushkatuar nga regjimi komunist. Mbase do të kisha dashur të vijoja për një degë tjetër, Mjekësi apo Inxhinieri, por e vetmja mënyrë ishte të konkurroja dhe të gjitha të tjerat do të më ishin refuzuar.
Konkurrova, fitova… Më kujtohen dy anëtarë jurie që më pas u bënë pedagogët e mi, Timo Flloko dhe Skënder Plasari. Më kanë shoqëruar me shumë dashuri ato kohë e deri në vitet që flasim. I kam bërë studimet në vitet ’82-’86.
Megjithëse kohë shumë e vështirë për ne që ishim konviktorë dhe që mua vazhdonte të më përmendej historia e biografisë, por përsëri them që kanë qenë 4 vitet më të bukura të jetës sime.
Më dukej ëndërr që po studioja për aktore, ishte fat shumë i mirë. Një student, që të funksionojë, duhet të adhurojë pedagogët e vet dhe unë e pata këtë fat; ata ishin Timo Flloko, Drita Pelinku, Vera Zheji dhe Kadri Rroshi.
Filmi i parë “Apasionata” dhe “Mësuesi i letërsisë”
Filmi i parë ka qenë kur isha ende studente. Nuk e konsideroj sepse nuk është një personazh që unë të shpërfaqja aftësitë e mia, ishte më tepër një kuriozitet. Jam vlerësuar shumë nga pedagogët e mi, i kam ndjekur leksionet e profesor Pirro Milkanit vazhdimisht, nuk humbisja asgjë.
Në një mënyrë kam qenë e përkëdhelur nga pedagogët, më jepeshin rolet më të bukura, por edhe më të vështira. Pata edhe një fat tjetër, pedagogu dhe regjisori Gëzim Kame me angazhoi në trupën e pedagogëve me veprën “Mësuesi i letërsisë”. Ishte një ngjarje në jetën time artistike. Dua të theksoj që i jam mirënjohëse pafund regjisorit Vladimir Prifti që hapi karrierën time në kinema.
Sakrificat për të qenë pjesë e “Dhe vjen një ditë”
Ishte një fat i madh për mua që mora pjesë në këtë film. Edhe pse një personazh i vogël, ishte i ndërtuar shumë mirë dhe më jepte mundësinë të shpërfaqesha. Ishte fat, por edhe këmbëngulja ime.
Kërkova leje nga shkolla për të qenë në xhirime. Ishte e pamundur që të më lejonin, prandaj kërkova raport. E njihja Gjergjin, ishim të lidhur atëherë dhe falë tij e miqve të tij siguruam një raport dyjavor.
Kemi xhiruar në kushte shumë të vështira, në Dardhë të Korçës. Isha nën kujdesin e veçantë të aktores Liza Laska. Edhe Birçe Hasko me Robert Ndrenikën më mbështetën shumë, sigurisht që e dinin mënyrën si kisha shkuar aty.
Ladi e njeh mjeshtërinë e aktorit, do të ishte regjisor shumë i mirë edhe në teatër. Rrugën drejt kinemasë e kisha pothuajse të mbyllur. Të devotshmit nga Saranda nuk harronin të kujtonin atje ku duhej për biografinë time.
I mbarova studimet me nota maksimale, por nuk më mbajtën në Teatrin Popullor, përfundova në Sarandë. Punoja paralel edhe me film, edhe me Estradën e qytetit.
Improvizimet te “Fjalë pa fund”
Komedi simpatike. Mënyra si u xhirua ky film ishte interesante. Skenat improvizoheshin nga regjisori dhe skenaristi, dhe kjo i jepte spontanitet interpretimit. Regjisori ishte shumë tolerant dhe kjo krijoi një frymë të mirë për komedinë. Partnerët ishin të këndshëm… Shpesh na duhej të qetësoheshim përpara xhirimeve nga të qeshurat.
Çfarë mësova nga Agim Qiriaqi te “Rrethi i kujtesës”
Do ta veçoja këtë film në karrierën time, sepse më përballte me një aktor si Agim Qirjaqi. Përpiqesha të gllabëroja gjithçka nga Agimi dhe t’ia ktheja me komunikimin tim. Ishin aty edhe aktorë të tjerë prej nga mund të përfundoja. Ky film u bë si një shkollë e vogël. Pas këtij personazhi nuk do të punoja më, duke u bazuar në instinktet e mia, por në një teknikë më të rafinuar.
Jam hedhur realisht nga makina te “Flutura në kabinën time”
Është një rol që më konfirmoi si aktore në kinema. Një personazh i plotë me autor nga më të mirët. Isha shumë e re dhe autorët donin garanci, kështu që iu nënshtrova kinoprovës. Nga ana tjetër, partneri im ishte aktori më në zë, Ndriçim Xhepa.
Vura të gjithë potencialin tim për të bërë maksimumin. Suksesi i një aktori nuk është i garantuar pa konceptin regjisorial. E punova këtë personazh deri në detaje, duke iu referuar të padukshmes, diskretes.
Edhe protestën duhet ta kisha të fshehtë. Të njëjtën predispozitë kishte edhe partneri. Kemi sakrifikuar shumë në këtë film, kemi punuar në kushte të vështira. Jam hedhur realisht nga kabina me makinën në lëvizje.
Bëmë dublin e parë, bëmë një tjetër… Regjisori pyet Ilia Tërpinin, operatorin, se pse s’po funksiononte… “Më zhduket”, thotë Ilia… E kuptoi që unë hidhesha me kokë, si në det, dhe zhdukesha nga objektivi. Me Çimin kemi vënë edhe jetën në rrezik.
Kemi shmangur një aksident të tmerrshëm në këtë film. Megjithatë, të gjitha harrohen, sidomos pas vlerësimit dhe kupës në Festivalin e Filmit. Në dy vitet që punova në Estradën e Sarandës, punoja edhe në Tiranë dhe pikërisht me këtë film.
Ka qenë ritëm i jashtëzakonshëm. Me Gjergjin ishim të fejuar… Vijoi kështu derisa erdha në Tiranë, përfundimisht, në Teatrin Kombëtar.
“Muri i gjallë”
Një film i thjeshtë për t’u realizuar, për shkak se subjekti vinte si përrallë, narracion me elementë spektakolarë i bërë mirë për kohën. E vetmja gjë që duhej ishte të futeshe në atmosferë. Kostumet, atmosfera e krijuar nga regjisori të lehtësonin, të fusnin në atmosferë. Ka qenë fizikisht i vështirë, sepse më duhej të vrapoja, por për mua ishte kënaqësi.
“Unë e dua erën’, xhirimet e kohës së ambasadave
Për mua është një film tipik televiziv, në sensin më të mirë të fjalës. Do të më përballte përsëri me Çimin ky film, por tani e kishim më të thjeshtë. Ishte një film me peshën kryesore te dy personazhet.
Duhet t’i jepja ngjyrë nga sekuenca në sekuencë. Dramaturgjia në pjesët shqiptare i jepte më shumë peshë mashkullit. Unë këtë e ndieja dhe doja ta superoja. Kemi punuar në kushte shumë të vështira.
Në momentin që rrugët e Tiranës zbrazeshin, njerëzit hynin nëpër ambasada, ne xhironim. Megjithatë, filmi funksionoi dhe prej kësaj kam menduar që ndonjëherë arti ka fuqinë ta kalojë realitetin.
Loja e syve me Kadri Roshin te “Një ditë nga një jetë”
Një film gati pa fjalë që më përballi me aktorin e madh Kadri Roshi. Filmat pa fjalë janë shumë të vështirë. Unë duhet të isha imazhi i gruas së humbur që i vinte Kadriut si ndjenjë… të gjitha këto duhet të vinin pa fjalë.
Që t’u jepja emocion syve të mi e gjeta mbështetjen te sytë e Kadriut. Kjo lojë sysh ngelet një nga gjërat më të bukura të punës sime me këtë aktor të madh. Jam përpjekur të jem gjithnjë sa më e vërtetë në rrethanat që na vë regjisori, personazhi.
“Dashuria e fundit”
Është një rol ideal për aktoren sepse është personazh i dyzuar mes dy botëve, prostitutës dhe të ndershmes, virtytit dhe imoralitetit, të mirës dhe të keqes, sinqeritetit dhe mashtrimit, dhe të gjitha këto duhet t’i përplasja me të dy aktorët. Unë jam aktore që punoj shumë me veten, por një vend të madh i lë edhe spontanitetit në xhirim dhe marrëdhënies me aktorin.
Guliemi më jepte gjithë mirësinë për ta dashur, ndërsa Kaçi gjithë ligësinë për ta urryer. Ka qenë personazh i vështirë që më ka ndihmuar shumë edhe në plastikë. Kam punuar shumë me këtë film dhe përsëri më shpërbleu me kupën si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit.
“Funeral business”
Një dramë shumë e fortë psikologjike. Personazh i mbushur me ankth, terror, në kufijtë e një horrori psikologjik. Është xhiruar menjëherë pas ’97-s dhe kujtesa emocionale ishte shumë e fortë. Më duhet të operoja mes ankthit, tmerrit dhe imazheve surreale, por kjo më bëri të futem brenda personazhit.
Më joshi ky horror dhe filmi pati shumë sukses edhe jashtë, por në kujtesën time mbetet e pashlyer pjesëmarrja në Festivalin e Venecias. Ishim një grup i hutuar shqiptarësh, që për herë të parë në Venecia më shumë i gëzohej flamurit se përvojës atje.
Zhvendosja në fshat gjatë realizimit të “Parullat”
Një staf aktorësh që u kthyen në mësues fshati. Niseshim nga Tirana, shkonim në fshat gjithë ditën dhe ktheheshim natën. Kjo ndodhte përditë, edhe pse s’kishim xhirime. Ishte e përcaktuar nga regjisori, Gjergj Xhuvani. Artur Gorishti fjeti një periudhë kohe në fshat.
Mbaj mend një ditë xhirimi që shoh Niko Kanxherin të veshur si bari dhe e pyes: “Po ti Niko, pse i veshur, s’ke xhirim sot?- Pyet atë të çmendurin, burrin tënd”, ma kthen.
I them Gjergjit se si po i torturonte njerëzit me gjithë këtë presion, por ma kthen: “Ti e di që të gjithë këta aktorë janë miqtë e mi dhe unë i dua fort, por sikur një grimë të largohemi nga atmosfera e kohës, e gjitha kjo kthehet në butafori”.
Kur e pamë filmin të gjithë menduam se kishte të drejtë. Kana është shpërblimi më i mirë për punën tonë. Çdonjëri nga ne mund të thotë isha me filmin tim në Kanë.
Unë kam pasur edhe gëzime të tjera me këtë film, kam marrë edhe një çmim në Festivalin e Tokios, por nuk mund të isha në këtë ceremoni dhe trofetë na erdhën me postë. Kam marrë çmimin edhe në Festivalin Shqiptar të Filmit si “Aktorja më e mirë”.
“I dashur armik”
Qëllon nganjëherë, fati i puq të gjitha bashkë. Një skenar shumë i mirë, një staf aktorësh, që për mua janë ajka e kinemasë shqiptare. Dy yje të kinemasë gjermane, një aktor shumë i mirë italian, një atmosferë e përsosur, një dekor i jashtëzakonshëm, kostumet e kohës…
Personazhi im ishte një personazh i vështirë. Duhet të isha shumë fine, por një gjë shumë e vogël e kthente në vulgaritet. Ngelet një film mjaft i dashur./Shkodra.news
ObserverKult
Lexo edhe:
SAKRIFICA E LUIZA XHUVANIT PËR TË QENË PJESË E FILMIT “DHE VJEN NJË DITË”