Rrëfimi i Bardhyl Londos për letërsinë edhe politikanët që vrasin ëndrrat e shqiptarëve çdo ditë

Vëllimi poetik “Prilli i hidhur” e pati rikthyer muaj më parë autorin (tashmë të ndjerë) pranë lexuesit me disa cikle poetike. Nuk munguan në të vargjet për Skënderbeun, aktualitetin e trishtë shqiptar në këto 30 vite tranzicion, por edhe për pandeminë Covid 19.

Në një rrëfim për “ReportTV” poeti Bardhyl Londo pati treguar zymtësinë, në të cilën po jetojnë shqiptarët për shkak të mungesës së vizionit të politikanëve, nënvlerësimin e kulturës, por edhe përpjekjet që bëri si kryetar i ish-Lidhjes së Shkrimtarëve në fillim të viteve ’90 për një organizëm, që ishte krijuar për një sistem tjetër, siç ishte regjimi socialist.

Zoti Londo, botoni vëllimin poetik “Prill i hidhur”. Në të përshkruani edhe absurdin e shqiptarëve, por ky absurd i referohet vetëm periudhës së karantinës apo është një akumulim i mbledhur tek ju për vite të tëra?
Ky absurd është një akumulim i mbledhur i gjithë jetës, është absurdi shqiptar që na ka ndjekur, që nga fillimi historinë e Shqipërisë. Është shkruar në kohën e karantinës, sepse në momente që situatat janë të vështira dalin në pah dhe vetit e njeriut. Por nuk është vetëm për absurdin e karantinës, por për absurdin e shqiptarëve.

Si ka qenë këtë periudhë jeta juaj si poet, por edhe si individ që sapo keni kaluar një sëmundje?
Nuk është e lehtë. Është e vështirë, por edhe depresive shpeshherë. Të gjitha këto situata të vështira që po kalon mbarë bota, s’të lënë të marrësh frymë. Është kohë është e vështirë.

Si ka ndryshuar letërsia shqipe, para edhe pas viteve ’90, përpos jetës së qytetarëve të thjeshtë?
Letërsia tërë kohës ose është, ose nuk është letërsi. Çfarë ka ndryshuar? Ka ndryshuar mënyra e qasjes ndaj saj. Nuk ka më censurë. Për fat të keq mungon çdo lloj censure. Bëhen botime që s’kanë asnjë vlerë. Këto krijojnë rrëmujë në treg.

Ju vet personalisht para viteve ’90 një poezi, ku të përshkruanit elemente politike do ta kishit të vështirë ta botonit, por sa opozitar keni qenë në brendinë tuaj?
Ka qenë e vështirë të shkruaja këto vargje, por brenda vetes opozitar kam qenë. Ne shpesh diskutonim mes njëri-tjetrit këto gjëra.

Të qenit në krye të ish-Lidhjes së Shkrimtarëve në fillim të viteve ’90, si e kujtoni?
U përpoqëm që të reformonim diçka, që t’ia përshtatnim kohës por ishte e pamundur, sepse ishte organizëm i krijuar për atë kohë.

Po, sa u përket procesverbaleve të mbajtura në ish- Lidhjen e Shkrimtareve, përse arkivi i këtij institucioni u shpërbë?
S’ka ekzistuar asnjëherë sa di unë, se dokumentet e kryesisë edhe të organizatës së partisë, apo plenumeve mblidheshin në Komitet të Partisë. Mund të jenë në ish- arkivat e Komitetit Qendror apo të Partisë së Tiranës. Botimet janë të gjitha në bibliotekë në revista.

Në fillesat e demokracisë përpos gjithçkaje shoqëria shqiptare dëgjonte fjalime të intelektualëve në parlament, ku mes tyre keni qenë dhe ju si deputet i opozitës. Ndërsa, sot zëri i tyre është ai që mungon më së shumti. Ju si e shihni këtë?
Ndryshimet i prisnim, por zhgënjimi ishte i madh shumë. Nuk mund të arrihen gjërat shpejt, aq më tepër që këtu po ecet me hapin e breshkës, prandaj njerëzit kanë një zhgënjim të madh, që nuk e meritojnë. Asnjë nuk do të rri në Shqipëri, pavarësisht se andej mund të shkojë më keq sesa këtu.

Përse ndodh kjo?
Natyrisht nga politikbërja, nga mungesa e vullnetit që kanë udhëheq. Mungesa e vullnetit për ta parë këtë vend mirë. Mendojnë se bëjnë gjëra të mira, por bëjnë gjëra të mbrapshta.

Çfarë mund të ndryshojë?
Parashikimet e organizmave ndërkombëtarë janë shumë të zymta. Shqipëria pas disa vitesh do të arrijë në 800 mijë njerëz. Përpos, që tani është edhe më e vështirë, se është krijuar psikoza, që për mua është e rrezikshme, se “Shqipëria nuk bëhet kurrë”. Kjo është gjëja më e rrezikshme, që ka ndodhur në këto vite.
Edhe pse ëndrra e shqiptarëve ka qenë anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian… Kjo duhet parë si synim, por jo sa për të qenë anëtar, por të kesh ligjet, mbrojtjen edhe drejtësinë e tyre. Të jetosh dhe mendosh, të veprosh si ata. Të kesh nivelin e jetesës që kanë ata. Nuk mjafton që je i regjistruar.

Çfarë dëmi patën qytetarët shqiptarë gjatë kësaj periudhe që opozita qëndroi jashtë parlamentit, edhe a mund të kishte një tjetër rrjedh ecuria e ngjarjeve, nëse PD do të ishte brenda në parlament?
Kjo nuk është punë vetëm e opozitës, por edhe maxhorancës. Pasi nuk mundet që të mos e përfillësh fare opozitën. Ndryshe, bëje parlamentin siç e ke bërë, s’ka pas parlament më të turpshëm se ky, që nga koha e Zogut që ka nisur. Natyrisht që ka edhe intelektualë brenda, por dëgjohet vetëm zëri i atyre që janë për turp të Zotit.

Keni qenë edhe këshilltar i kulturës në Ministrinë e Kulturës, deri në momentin që në krye erdhi ish-ministrja Kumbaro. Por si e vlerësoni sot zhvillimin e kulturës në vend?
Është në fund të kujdesit të qeverisë, s’ka pas asnjëherë prioritet. S’ka pas asnjëherë vendin që meriton. Është pothuajse e papërfillur, edhe për vet faktin që është në periferi edhe jo në qendër. Kombet e qytetëruara i japin rëndësi tjetër kulturës. Buxheti i kulturës që kemi ne, ka qenë përherë qesharak edhe në Ballkan. Nuk ka se çfarë bën me atë. Kështu ne çdo ditë po humbasim krijim e institucioneve të kulturës./shqiptarja.com

————————————-

LEXO EDHE:

BARDHYL LONDO: EDHE DASHURITË VDESIN, E SHTRENJTA IME!

ObserverKult