Flet koreografi dhe balerini DEDIN SULI
Dedin Suli është koreograf, shkrimtar dhe studiues i artit koreografik. Është lindur në qytetin e Shkodrës në një familje shqiptaro – italiane me tradita në fushën e artit. Në vitin 1951 filloi aktivitetin si valltar profesionist pranë Filarmonisë Shqiptare. Mbas një aktivizimi të pandërprerë mësoi repertorin e vitit 1950-‘51, “Vëllazërimi i popujve” dhe “Shatërvani Bahçisarajt”. Në vitin 1951 ka marrë pjesë në “Flamuri i Paqes”, “Koncert Koreografik”, “Mbrëmje Baleti”. Është autor i librave:”Artistë të shquar të interpretimit koreografik shqiptar 1950-2012”, “Besim Zekthi, korife i vallëzimit shqiptar”, “Agron Aliaj, artisti që thuri legjendë”, si dhe ka në shtyp një libër për Rexhep Çelikun.
Dedin Suli prej vitesh banon në Itali, por ai kurrë nuk e harron ardhjen në Shqipëri si dhe lidhjen e kahershme me TOB-in, ndonëse ka kohë që është larguar. Ai është autor i dhjetëra shkrimeve të tjera ku promovon vlera të artistëve dhe të artit koreografik të botuar në shtypin shqiptar dhe atë italian. Libri i tij për Agron Aliajn është shoqëruar me një parathënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ndërsa për studimet e tij nuk janë kursyer të bëjnë vlerësime edhe kritikë të tjerë me zë, ndër ta Adriatik Kallulli e Josif Papagjoni.
Baleti “Romeo dhe Zhuljeta” u vu në skenë më 30 tetor 1957, cilët ishin protagonistët realizues të tij?
Ishte ky një balet vazhdë e sukseseve të trupës së baletit me në krye solistët e sapoardhur nga shkolla akademike pranë ‘Balshoj Teatrit’ në Moskë. Uvertura fantazi “Romeo dhe Zhuljeta”, me muzikë të kompozitorit rus, P.I. Çajkovski, me koreografi të ruses Kira Karpinskaja e me asistent Agron Aliaj, meritoi suksesin që tashmë pritej, mbasi balerinët nga viti në vit, nga shfaqja në shfaqje, po perfeksionoheshin e po profilizoheshin në interpretim. Ishte ky balet që suksesin e arritur e vërtetoi spektatori dashamirës i këtij arti. Në këtë shfaqje m’u dha rasti të interpretoja në masë në grupin e Kapuletëve. Muzika e Çajkovskit, që me të drejtë bota e artit muzikor e ka quajtur mbreti i muzikës së baletit, në momentet që nisa ta interpretoj, e deri tash që po i hedh disa rreshta në kujtimet e mia, ka zënë vend në shpirtin tim si njeri i muzikës e do ikë nga ky shpirt bashkë me mua.
Ishte Agron Aliaj ai, i cili nuk u shqua vetëm si asistent, por edhe si balerin klasi teksa interpretoi rolin e personazhit kryesor, atë të Romeos, interpretim ky që la gjurmë në historiografinë e baletit shqiptar.
Ajo mbrëmje pati në vetvete një gëzim të dyfishtë: dhënia me plot sukses e shfaqjes dhe darka e shtruar në hotel “Vollga” nga kolegët e vetë Agronit për hir të suksesit të arritur dhe ditëlindjes së një ylli, që do rrezatonte nga shfaqja në shfaqje. Ishte një darkë ku të gjithë, sa ishim aty, përshëndetëm Agronin për suksesin e tij si student i pakrahasueshëm në auditorët e ‘Balshoj Teatrit’, për suksesin e arritur në ambientet e Teatrit të Operës e Baletit, ku shpërtheu në interpretimin e rolit të Romeos, si dhe për ditëlindjen e një artisti siç ishte ai, me të cilin do të ecnim bashkë ndër vite e vite në skenë e në jetë.
Nga të katër anët e sallës së Hotel “Vollgës” Agronit i vinin urime për ditëlindje dhe, për momentin mbeti i befasuar nga një urim i veçantë i ardhur në gjuhën shqipe prej baletmaestres ruse, Kira Dimitrova Karpinskaja.
Darka mori ngjyra të mrekullueshme edhe nga tingujt e violinës së Islam Petrelës dhe grupit të tij, grup i angazhuar për çdo mbrëmje në ambientet e këtij lokali.
Në orët e vona të natës, në mesin e asaj hareje që na kishte përfshirë të gjithë, në një moment mjaft domethënës, teksa po trokiste ora 1200, ndërhyri rusja Kaprinskaja e, me gotën në dorë, ndër të tjera tha: “Ta ngremë edhe këtë dollí për artistin e talentuar Aliaj!”.
Në përfundim të këtij tubimi të gëzueshëm dhe me urimet më të mira për mikun tonë dolëm nga lokali dhe unë mora rrugën për në shtëpi me mendime që vlonin për shfaqjen e për artistin Aliaj, i cili i dha tonin e duhur protagonistit si solist dhe baletit ë tërësi. Ishte ndër miqtë e mi më të mirë, për të cilin 40 vjet më vonë i shkrova librin biografik “Agron Aliaj – artisti që thuri legjendë”.
Të vijmë te Baleti i parë kombëtar “Halili dhe Hajrija”,si u realizua?
Ky balet, me muzikë të kompozitorit Tish Daija dhe koreografí të baletmaestrit Panajot Kanaçi, u shfaq në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit më 13 janar 1963.
Është i vetmi balet kombëtar ku shkrirja e elementëve stilistikë dhe leksikologjikë të vallëzimit tonë popullor, në fondin e shprehive të teknikës së kërcimit klasik, ishte parimi bazë, parim që u ndoq për ta vënë në skenë. Ky gërshetim që sapo përmenda, mund të thuhet se ka udhëhequr mendimin estetik dhe artistik të tërë koreografisë moderne shqiptare. Baleti “Halili dhe Hajrija” është shfaqur mbi 300 herë brenda e jashtë vendit.
Janë disa kujtime mbresëlënëse, të cilat u shpalosën gjatë interpretimit të këtij baleti. Por unë do të ndalem në shfaqjen e dhënë në qytetin e Shkodrës. Porsa arritëm në qendër të qytetit, u vendosëm në ambientet e Hotel – Turizmit (i vjetër). Për fat tonin në një dhomë ishim unë, Faruku dhe Albert Janku. Në një ndër ditët e qëndrimit tonë në atë qytet dolëm shëtitje, me synimin ta shihnim e ta ndienim sa më afër e sa më shumë lashtësinë për të cilën është shkruar e folur. Vizitën e parë e bëmë te Kisha e Madhe, një ndër kishat më të mëdha në Ballkan. Po atë ditë, në shoqërinë tonë ishte balerina me origjinë rumune dhe e pranishme në Teatrin tonë të Baletit, Marielis Jakob. Kisha ishte e mbyllur, por me këmbënguljen tone, administratori i kishës hapi derën kryesore. Ashtu siç ishim së bashku, të katër balerinët, vizituam këtë kishë monumentale me altarët – skulpturë, pa përjashtuar afresket me motivime nga Bibla. Mbasi vizituam pjesën e brendshme të kësaj kishe, dolëm në oborrin e saj, ku të binte në sy kambanaria me sahatin e saj punuar sipas stilit gotik.
Më pas morëm rrugën për te Teatri “Migjeni”, ku dhe do të shfaqej baleti “Halili dhe Hajrija”. Gjatë rrugës na doli përpara një qytetar, për të cilin më vonë morëm vesh se rridhte nga familja e vjetër dhe fisnike Gurashi e qytetit të Shkodrës. Mbasi u prezantua me të katërt sa ishim, iu drejtua Marjelisit, duke u shprehur: “Mos jeni ju artiste filmi, sepse, në mos gabohem, ju pashë mbrëmë në një shfaqje televizive?!” I thamë personit në fjalë: “Marjelisi është balerina e parë dhe pikërisht sonte do të interpretojë një kërcim të stilit arab”. Më pas u ndamë dhe u larguam disi të çuditur nga pyetja që na bëri ai qytetar.
Në mbrëmje salla e teatrit “Migjeni” ishte mbushur plot me artdashës shkodranë. Miku i rrethit tonë shoqëror, Albert Janku, do të interpretonte në rolin e Bektash Agës, rol të cilin ai e shpalosi si nga ana plastike ashtu edhe nga ajo interpretative. Në aktin e dytë erdhi momenti i kërcimit të valles arabe, interpretuar nga balerina e mirënjohur Marielis Jakob nën shoqërimin e dy kavalierëve, të dy këta nën interpretimin e balerinëve Llaqi Nako dhe Dedin Suli.
Në momentin që po kërcehej ky numër i suksesshëm, nga spektatorët erdhi një zë kumbues. Ishte zëri i qytetarit Gurashi, me të cilin u përballëm në orët e paradites. Në entuziazëm e sipër, ai shpërtheu, duke iu drejtuar balerinës Jakob: “Pastë kush me ta puthë zemrën!”. Publiku mbeti i surprizuar nga kjo thirrje.
Mbas shfaqjes u ulëm në restorantin e Hotel-Turizmit. Me ne, në tavolinë ishte edhe balerina Marjelis. Në tavolinën pranë ishte ulur … Gurashi, i cili porositi verë për vete dhe për ne e, mbasi erdhi porosia, ngriti gotën në drejtimin tonë në formë përshëndetjeje.
Me kohë, me interesimin tim mora vesh që qytetari me mbiemrin Gurashi, kishte studiuar në Austri. Me ardhjen e pushtetit diktatorial Gurashin e burgosën si pjesëtar i një familjeje tregtare. Vite më pas po ky njeri pësoi krizë nervore, krizë që e shoqëroi deri në fund të jetës.
Po për Baletin kombëtar “Delina”, realizuar më 17 maj 1964, me muzikë të kompozitorit të mirënjohur, Çesk Zadeja, dhe me koreografi të baletmaestrit Panajot Kanaçi, ç’mund të na thoni?
Baleti “Delina” e ka marrë subjektin nga lufta e popullit shqiptar kundër pushtimit turk në fund të shek. XVIII.
Në këtë balet kombëtar, sukses patën solistët Zoica Haxho dhe Agron Aliaj, pa përjashtuar trupën. Ishte kënaqësi edhe për mua që mora pjesë si valltar në këtë balet.
Baleti “Paganini”, realizuar më 21 nëntor të vitit 1963, ç’gjë të veçantë solli?
Ky balet ishte mbështetur në rapsodinë për piano dhe orkestër të kompozitorit Rahmaninov. Më vonë kompozitori shkroi libretin, të cilin ia besoi baletmaestrit Fokin. Po aq suksesshëm ky balet u interpretua në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit me koreografi të mjeshtrit Panajot Kanaçi.
Në baletin “Paganini” interpretuan solistët e trupës, që tashmë kishte kohë që e prezantonte veten në mënyrë profesionale si Zoica Haxho, Agron Aliaj, si dhe Marielis Jakob. Në gjithë performancën e këtij baleti të suksesshëm si nga ana e prezantimit, ashtu edhe të interpretimit, dhamë më të mirën unë dhe kolegët e mi H. Shtini, P. Agalliu, Hysen Këllezi dhe Llaqi Nako.
Baletmaestri Panajot Kanaçi, falë një konceptimi dhe trajtimi përgjithësisht të goditur në unitetin muzikë – koreografí, realizoi një shfaqje ku ndihej fuqishëm atmosfera njerëzore, pra artistë dhe spektatorë, të cilët, të befasuar nga arritjet e trupës dhe të vetë pjesës, na mbështetën gjatë gjithë shfaqjes e më pas.
Në mbyllje të shfaqjes ndjeva vetëm gazmend e lumturi. Me të shpejtë mora drejtimin për në shtëpi ku më prisnin prindërit së bashku me Dashën, Laurën 5 vjeçe dhe vogëlushin 1 vjeçar, Antonini. Atë natë pothuajse e gdhimë teksa ishim të përfshirë nga çfarë u tregoja rreth kësaj shfaqjeje të suksesshme. Më pas Dasha dhe fëmijët shkuan në dhomën e gjumit, ndërsa unë, ende i përfshirë nga tingujt e mrekullueshëm të muzikës dhe me mendjen tek interpretimi bindës për këndvështrimin e koreografit Kanaçi dhe sytë shkëndijues të spektatorëve, për kënaqësi të të treve u ula në bisedë të ngrohtë me prindërit e mi aty, në kuzhinë, apartament përballë me Rrugën e Durrësit. Biseda vërtitej rreth shfaqjes “Paganini” ku unë veç shpjegoja deri në detaje. Nëna dhe im atë dinin dhe jo pak për violinistin e madh botëror, Nikola Paganini. Për një moment pashë një hije trishtimi në sytë e të dyve dhe, me njëfarë shqetësimi i pyeta se çfarë kishin. “Po digjemi për dy cigare”, – thanë ata, sikur diçka dëshpëruese i torturonte.
Siç ishin ulur pranë dritares, babës i zuri syri një kalimtar të rastit me cigare në dorë. Me një shpejtësi marramendëse për moshën, baba zbriti shkallët dhe doli në rrugë duke u përballur me të huajin dhe i kërkoi një cigare. Personi në fjalë, tepër gjentil, teksa pa e ndjeu padurimin e tim eti për cigare, diçka kuptoi në vetvete dhe i zgjati dy cigare. Sapo ndezën cigaret, të dy, baba e nana filluan t’i thithnin me et dhe sikur u liruan edhe nga ana shpirtërore. Ishte tepër vonë dhe në atë kohë nuk kishte kurrkund kinkaleri të hapur dhe ishin në hall të Zotit se si do ta shtynin natën pa cigare. Unë vetë nuk e pija cigaren, por kjo nuk do të thoshte aspak se njëfarë detyrimi moral e kisha që mos ta lija tim atë pa gjë. Teksa e thithi për të fundit herë, im atë m’u drejtua dhe më tha: “Biri im, mos ia mbaj askurrkujt cigaren”. Me dashamirësi u hodha nga një vështrim të dyve, i urova “natën e mirë” dhe shkova edhe unë në dhomën e fjetjes, tek mendoja: “Baba e shtyn me një pension të vogël – duke menduar se vuajtjet dhe hallet e asaj kohe nuk ishin të pakta. Cigaren unë e kam filluar pak vonë, mbasi nëna ime, Serafina, ndërroi jetë.