Rrëfimi i Eva Alikajt: Nga puthja ” e zjarrtë” me Timo Fllokon, tek “Pallati 176”…

Ajo ishte në moshë fare të re, teksa bënte hapat e parë drejt skenës së Teatrit Kombëtar. Ndërsa dridhej nga emocionet, drejt saj me një thjeshtësi të pashoq afrohej jo më pak se i ashtuquajturi “babai” i teatrit shqiptar, Piro Mani. “Mirë se vjen Eva Alikaj”, – i thotë ai, dhe këto fjalë asaj i ngrohin menjëherë zemrën.

Aktorja e rrëfeu momentin dhe rrugëtimin e saj artistik deri në ditët e sotme, mes kinemasë e teatrit, një intervistë të pazakontë me regjisorin Hervin Çuli, ku prekin dhe aspekte personale të jetës.

Rrëfimi i Alikajt pati ardhur në kuadër të intervistave që shpalosin “Anatominë e një aktori në karantinë”, pasi, edhe përsa i përket teatrit, “The show must go on” (“Shfaqja duhet të vazhdojë”).

Në këtë bisedë të realizuar kohë më parë ‘live’ në faqen e Teatrit Kombëtar në “Facebook”, Alikaj, krahas batutave të “Pallatit 176” me të cilin u bë më gjerësisht e njohur, tregon momentet e sikletshme në skenë, ato më të lumturat, puthjet artistike e deri te pritshmëritë për të ardhmen. Këtë periudhë po e kalon në Austri, ku jeton prej vitesh mes filmave, librave e shëtitjeve në “kryeqytetin e zbrazur”.

A e kujtoni se në cilin kopsht keni qenë?

Kujtoj se kam qenë në një kopsht që gjendej pranë ish Lidhjes së Shkrimtarëve, afër xhamisë që të çon te rruga “21 Dhjetori”. Ishte me dy kate, me ballkon dhe brenda kishte shumë kukulla.

Keni pasur shokë dhe shoqe në kopsht?

Kujtoj një djalë me flokë të kuqe të dendura, që mund të them se ka qenë shoku im i parë. Mua në atë kohë më pëlqenin gocat dhe çunat me shumë flokë, se unë vetë flokët i kisha shumë të rralla. Madje, mbaj mend se mamaja më lidhte një fjongo për të më mbuluar veshët.

Cila ka qenë dëshira e mamit dhe e babit lidhur me profesionin tuaj, kur keni qenë e vogël?

Ata nuk kanë pasur asnjë pretendim. Gjithçka që ndieja, unë vetë e projektoja në të ardhmen, aq sa mundet të bëjë një fëmijë. Prindërit le të themi se “nuk janë përzier” fare.

Kur u shfaqën te ju grimcat e para të talentit si aktore?

Mendoj se ka ndodhur që në fëmijërinë e hershme. Unë improvizoja me kukulla, perdet e shtëpisë. Shikoja filmat e atëhershëm me ato damat e bukura të dashuruara dhe bëja t’i imitoja. Si flokë vendosja një golf, nga ata që përdoreshin në atë kohë. Mandej, me pjesët e krahëve dhe të trupit bëja gërshet. Mbaj mend se mamaja ishte e tmerruar, ndërsa unë i thosha: Shiko sa bukur dukem! Ndihesha e zhgënjyer se si ajo nuk e kuptonte se nuk isha me të vërtetë një yll në atë moment.

Në cilin gjimnaz keni studiuar dhe a kujtoni ndonjë shok apo shoqe prej asaj periudhe?

Kam studiuar në gjimnazin “Partizani”. Aty kam pasur një shoqe të ngushtë, që quhej Lindita Mino. Ishim kaq të afërta me njëra-tjetrën, saqë na kishin vendosur nofkën “Abba”, kjo edhe për faktin se ajo ishte bionde, ndërsa unë brune.

Nga të dyja, unë isha më tepër protagoniste për të lënë mësimin dhe e nxisja edhe atë.

Ndërsa ajo ishte disi më e urtë. Ishim aq shumë shoqe dhe e doja aq fort, saqë edhe kur shkonim në plazh me prindërit, e merrja me vete. Deri në maturë, mbanim vetëm një çantë me radhë se përtonim. Ndonjëherë unë edhe kopjoja, se ajo ishte më e zonja në matematikë, ndërsa në lëndët e tjera isha mirë.

Keni luajtur teatër që në gjimnaz?

Po, kam marrë pjesë në dy shfaqje. Njërën me trupën e Durrësit, ndërsa tjetra ka qenë “Familja e peshkatarit”, ku unë kam qenë në rolin e Mirës.

Keni pasur të dashur në gjimnaz?

E kam harruar…

Keni motra apo vëllezër?

Jo, për fat të keq jam vajzë e vetme. Them për fat të keq tani, se e vogël ndihesha e lumtur, madje “i ndaloja” prindërit e mi të bënin fëmijë të tjerë. Më dukej e turpshme ajo pjesa kur u rritej barku grave, pasi në njëfarë mënyre vërtetonte dashurinë që bënin prindërit. Isha gocë e zgjuar… (qesh)

Në Akademinë e Arteve, e sata keni dalë në konkurs?

Nuk e kujtoj numrin, por mbaj mend se kemi qenë dy vajza, unë dhe Bruna Borova, që fituam. Mund të them se s’kam qenë dhe aq mirë, diku te teta. Kujtoj gjithashtu se lista ishte bërë me makinë shkrimi. Dhe unë që thosha: Si ka mundësi që kjo listë e shtypur shtrembër, të plotësojë ëndrrat e mia. Më dukej si letra më e bukur në botë.

Cila kanë qenë shoqja apo shoku i ngushtë në Akademi?

Kam pasur shumë shoqe, të cilat më donin, si Rozeta Ferri, Uljana Protopapa, Teuta Gaçi, Bruna Borova etj. Ndërsa shokë të ngushtë nuk kisha. Me Ilirjan Llurin kuptoheshim mirë.

Po pedagogu më i dashur, cili ka qenë?

Kadri Roshi, madje kam punuar me të me rolin e vetëm që kam bërë gjatë kësaj periudhe në teatër. Ishte pedagog i jashtëm dhe më mësoi si të them “të dashuroj” në skenë.

Është i vetmi rol në teatër? Ndoshta sepse ju merrnit pjesë në shumë filma?

Jo në shumë, mirëpo jam falënderuese për aq sa kam marrë pjesë. Nuk ishte e lehtë, sepse unë isha paralelisht në punë dhe teatër. Por gjithnjë kam qenë serioze, jam përpjekur që të bëj maksimumin me tekstin që kam pasur.

Cili ishte roli i parë që keni interpretuar në Teatrin Kombëtar?

Ka qenë roli i Elsës, në shfaqjen “Në prag të jetës”, me regji të Qenan Toros. E kam filluar duke interpretuar rolin e një Else… si duket “Elsat” më japin sukses.

A keni menduar ndonjëherë se keni zgjedhur profesionin e gabuar?

Jo.

Cila është ajo që Eva Alikaj i pëlqen më tepër vetes në skenë?

Këto kohët e fundit nuk më pëlqen asgjë.

Po ajo çka nuk i pëlqeni fare vetes suaj?

Nuk besoj se kam një element të tillë, mendoj se jam atraktive në skenë.

Cili është momenti më i lumtur për një aktor në skenë?

Kam përshtypjen se për mua është ai moment kur e ndiej se interpretimi im ka mbërritur te publiku. Është një moment frymëmarrjeje. Veçanërisht kur pjesa shfaqet disa herë, ti nis dhe e kupton se kur spektatori kënaqet vërtet.

Për shembull, te “Pallati 176”, unë e dija se kur do qeshte publiku. Pavarësisht se unë mund ta recitoja për të 100 herë atë batutë, e ndieja dhe prisja. Kjo është kënaqësi për aktorin, sepse i bën të lumtur të tjerët.

Po frika më e madhe e një aktori në skenë, cila është?

Duke u nisur nga vetja, them se kjo varet edhe nga gjendja shpirtërore apo ajo shëndetësore.

Për shembull, te “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, unë ndieja një pafuqi. Më vonë e mora vesh se bëhej fjalë për një anemi të lehtë.

Mirëpo, kujtoj se atëherë për ta përballuar, pas çdo akti kur shkoja në gardërobë për t’u ndërruar, mundohesha të konsumoja ndonjë çokollatë apo banane. Ishte një frikë e madhe, ku unë pyesja veten: A do të kem fuqi ta çoj deri në fund? Pastaj, e gjitha lidhet dhe me peshën e rolit. Nëse ke pak, e përballon më lehtë.

Kur ka qenë hera e parë që Eva Alikaj ka menduar: “Unë kam lindur për të qenë këtu në skenë”?

Në cilën skenë e keni fjalën, në atë skenën e atij Teatrit Kombëtar të madh, që lulëzonte atëherë… Të them të drejtën, kur kam hyrë herën e parë në Teatrin Kombëtar, thosha me vete: O Zot, inshallah nuk zgjohen e ta kuptojnë se unë kam hyrë gabim këtu. Nuk e kam menduar se e meritoja… Ishte diçka e jashtëzakonshme për mua, që unë e dëshiroja fort.

Sa herë keni menduar se ajo ka marrë rolin që ju përket juve?

Ka pasur raste, jo që unë mendoja se ajo ka marrë një rol që më përket mua, por që pyesja veten se si do ta kisha bërë unë atë rol. Çfarë do të kisha bërë ndryshe.

Ju dhe roli jeni në luftë apo në dashuri Eva Alikaj?

Edhe në luftë, edhe në dashuri…

Jeni më tepër me kordat e shpirtit apo të mendjes?

Me të dyja.

Pasolini thoshte se aktorët janë narcistët më të mëdhenj në botë. Çfarë do ti thoshit Pasolinit po ta shikonit përballë?

Që është tamam kështu. Jemi të tillë, pa përjashtim.

Cili është aktori shqiptar i preferuar? Po i huaj?

Janë shumë, vërtet. Por veçoj Kadri Roshin. Ndërsa të huaj po përmend Bradley Cooper apo Anthony Hopkins.

Cili është regjisori që ju ka bërë të ndiheni më mirë në skenë gjatë provave?

Piro Mani. Ai më trajtonte me shumë respekt dhe dashuri. E kam ndierë këtë që në momentin e parë që kam hyrë në teatër. Me një natyrshmëri e thjeshtësi të pashoqe, ai u çua dhe erdhi drejt meje, ndërkohë që unë dridhesha. Më tha: Mirëserdhe moj vajzë!

Ndiheni më mirë me një partner mashkull apo femër në skenë?

E rëndësishme është të jetë një partner i mirë në skenë, për të dyja palët. S’ka rëndësi nëse është mashkull apo femër.

Pranoni role që nuk ju pëlqejnë?

Gjatë këtyre viteve të fundit në teatër, kam marrë role që nuk më kanë pëlqyer dhe s’ishin të përshtatshme për mua. Nuk më shkojnë.

Cili është roli që ju mungon dhe ai që do donit ta luanit përgjithmonë?

Nuk ka një rol që më mungon. Ndërsa për pyetjen e dytë, ndoshta mund të them për Martën te “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”. E kam parë edhe këtu (në Vjenë) në teatër, të interpretuar nga një aktore e shkëlqyer. Mendoj se po ta luaja tani, do ta bëja më mirë.

Ju pëlqen vetja më shumë në film apo teatër?

Të them të drejtën, kur dikur na pyesnin, duhet të thoshim se edhe në teatër është mirë, ndryshe aktorët e teatrit mërziteshin. Ndërsa unë mund të veçoj pak më shumë filmin. Është më praktik dhe mbetet. Megjithatë, teatri është një magji më vete.

Ju bezdisin skenat e nxehta?

Jo, edhe pse nuk kam pasur skena shumë të nxehta.

Kur putheni në skenë apo në film, putheni tamam apo…?

Puthemi tamam. Për shembull, unë jam puthur te shfaqja “Ylli pa emër” me Gim Qirjaqin, ka qenë tamam një puthje artistike, kemi takuar buzët. Pastaj ka qenë dhe një puthje tjetër me Timo Fllokon te “Shtrigat e Salemit”…, mirëpo ndryshe nga Qirjaqi, Timo ishte shumë i zjarrtë.

Cili zhanër ju pëlqen më shumë: komedi, tragjedi apo dramë?

Të tria.

Nëse do të kthenit kokën pas, çfarë do kishit ndryshuar në jetën tuaj në skenë?

Asgjë. Bëja aq sa mundja.

Cili ishte roli i fundit para karantinës?

“Sot në Mbrëmje: Lola Blau”.

Do mbeteni një aktore e bukur dhe me përkëdheli në skenën shqiptare…

Më duket se duhet ta rithem. Unë s’jam e bukur, por me ojna po. Mirëpo, përsa i përket bukurisë në skenë, mund të them se një aktore sado e moshuar të jetë, kur ka kripë, natyrshmëri, inteligjencë mbetet interesante. Kjo, qoftë burrë apo grua dhe në çdo moshë. E kemi parë te Helen Mirren e të tjerë.

Le të flasim pak për situatën aktuale me koronavirusin. Sa herë i lani duart në ditë? Shumë shpesh…

Pasi i laj tri herë me sapun, edhe i dezinfektoj. Dezinfektuesin e hedh gati si parfum se kushton shumë… (qesh).

Sa herë keni dalë jashtë shtëpie këto kohë? Si janë kufizimet aty?

Kam dalë sa herë e kam ndierë të nevojshme. Kufizimet këtu në Vjenë kanë qenë më të pakta, me ç’kam ndjekur zhvillimet për në Shqipëri. Kur unë dilja për të shëtitur, rrugëve nuk kishte njerëz. Dukej gati si një kryeqytet i vdekur. Një përjetim i pazakontë, që shpresojmë të mos kthehet më.

E ndiqni televizionin shqiptar? Keni dëgjuar për doktor Piperon… Ju duket simpatik?

Këto kohë e kam ndjekur më pak. E kam dëgjuar doktor Piperon, është kompetent.

Mbani dietë këto kohë? Po fizkulturë bëni?

E kam nisur dietën ditët e fundit, pasi kisha shtuar disa kile. Kjo, sepse po fle dhe konsumoj më shumë ushqim. Ndërsa fizkulturë nuk bëj.

Filma keni parë gjatë kësaj kohe?

Duke qenë se më parë kam qenë e angazhuar duke u kujdesur për tim bir dhe pothuajse nuk shikoja fare filma, tani po e shfrytëzoj këtë kohë. Shikoj pothuajse çdo seri që nis, si për shembull “House of Cards”.

Libri më i fundit që keni lexuar në karantinë?

Po lexoj “Kukullat nuk kanë atdhe” të Flutura Açkës, si dhe një libër nga një autore gjermane. Këtë të fundit po “ma imponon” im bir, Xhino.

Ju ka marrë malli për skenën?

Nëse kam një rol të mirë, po. Përndryshe, më duhet të them jo.

Të mungojnë miqtë? Po armiqtë?

Miqtë i kam të paktë, por kam mall për ta. Edhe për armiqtë mund të them se po, pasi janë përherë gati për të sulmuar e unë u kundërpërgjigjem gjithmonë.

—————-

Lexo edhe:

“KUR TË VDES, DO TË MË NDEROJNË”, INTERVISTA E RRALLË E KOÇO DEVOLES

ObserverKult