Rrëfimi i Fadil Berishës: Babait i dhanë urdhër ta eliminonte një kosovar…

Në një rrëfim për jetën e tij në “Rudina” në Tv Klan, fotografi me famë botërore, Fadil Berisha ndalet edhe në historinë familjare.

Një aspekt jo shumë i njohur i tij pasi gjithmonë ka ulërirë puna dhe suksesi, por në vitin 1953 familja e tij emigroi për në SHBA.

Për në tokën e mundësive, u bë shkak një rrethanë jo e favorshme, por që rezultoi të ishte e duhura.

Si ka nisur historia juaj? Ju keni lindur në Kosovë apo jo?

Fadil Berisha: Po. Siç thashë më herët, prindërit e mi kanë ikur në ’53-in. Ta dijë Shqipëria një herë e mirë, unë jam nga Tropoja. Të gjithë e mendojnë që jam kosovar, në të vërtetë jam nga të dyja dhe i shoh si një, por familja ka ikur në ’53-in dhe unë kam lindur në Kosovë.

Babait në atë kohë kohë i dhanë një detyrë, të vriste një kosovar dhe të mos dihej. Ai s’mundi ta bënte atë gjë dhe i thotë “të lutem mos trego se kush të shpëtoi sepse mua më vrasin”.

Ai e tregoi dhe babin e fton qeveria të shkojë në Tiranë, “të të japim gradat”, por ai e dinte se nuk do ta bënin. I thonë kushërinjtë “hajde ikim në Tiranë se do kënaqemi”, ata shkojnë. Ai nuk shkon, ata i rrahin, i fusin në burg.

Ndaj babai i Fadilit shpëtoi veten dhe shkoi në Serbi ku bën 8 muaj burg.

Ata i ofrojnë një biletë që të shkonte në një vend tjetër kudo në botë ose të qëndronte aty, pa asnjë lehtësi nga shteti.

Ashtu si shumë emigrantë të tjerë të asaj kohe, ai zgjedh të shkojë në SHBA.

“Mos të kishte ndodhur kjo, do isha në Tropojë me delet akoma”, shton Fadili me humor. “Kush e kishte menduar një malok kështu, fotograf i modës? Si unë, si Emine Çunmulaj”, tha ai.

Nga momentet më të veçanta të karrierës së tij, mes emrave të pafund që ka fotografuar, Fadil Berisha veçon aktoren Halle Berry.

Ylli i Hollivudit ka qenë ndër emrat që do t’i jepte hov emrit të tij dhe mënyrën se si, fotografi e tregon në Tv Klan.

Fadil Berisha: Halle Berry në atë moment fitoi Oscar dhe grimierja e saj punonte me mua dhe çdo herë ajo shikonte punën time.

I thotë” kush është ky fotografi që i do femrat aq shumë, i nxjerr aq bukur të gjitha?”

I thotë “është një shoku im, Fadili” dhe ajo i thotë “kam dëshirë të punoj me të”.

Më merr në telefon dhe më thotë “Fadil, Halle do të punojë me ty,  ajo e adhuron punën tënde”.

Pas disa javësh vjen Halle në Nju-Jork dhe kishte një fushatë për Revlon, thotë “do të të lërë 4 orë, bëj ç’të duash”.

U gëzova, thashë të përgatis veten, të shoh punën e saj, çfarë këndi e kanë fotografuar të tjerët, ta nxjerr në një kënd tjetër. Këto gjëra janë të shkruara.

Kur e shikoj, asaj flokët e shkurtra i shkojnë shumë, më shumë se të gjatat, ka një fytyrë të vogël, të imët, por me qafën e gjatë dhe unë thashë do e shkrep nga një kënd tjetër, nga poshtë, t’ia nxjerr qafën më të gjatë dhe fytyrën aq të bukur sikur ta ndieja që kjo foto do fitonte një Oscar.

Pas disa javësh, agjenti i saj telefonon Fadilin dhe i kërkon që të dërgojë të gjitha fotot pasi Berry dëshironte t’i shihte dhe t’i përzgjidhte. Ajo pëlqeu 16 prej tyre, por ai i kërkoi që mos t’i shfaqte ende pasi nuk ishte ende momenti. 

Në momentin kur aktores i akordohet çmimi Oscar, ajo ishte në xhirime për filmin e radhës dhe nuk kishte ende asnjë foto të saj, ndaj të gjitha revistat iu drejtuan fotografit shqiptar.

Nga aty, pjesa tjetër ishte thjesht histori.

Fadil Berisha: Fati im të gjitha revistat i dërgojnë te unë. Një revistë, është më e madhja në Amerikë, “People Magazine”, bën “50 femrat më të bukura” për aktoret, hapja e parë ishte dy faqet e mia me Halle Berry.

Arti nuk ishte kurrë një opsion i miratuar nga familja për Fadil Berishën. I vendosur për t’iu përkushtuar pavarësisht kundërshtimeve të të atit, ai ndoqi shkollën fillimisht si stilist derisa u njoh me aparatin fotografik dhe vulosi shpirtin me të. Nga ana tjetër, nuk shkonte çdo gjë kaq mirë në anën personale pasi babai dhe familja e kishin larguar. Me zë të dridhur e sy të përlotur, Berisha tregon për “Rudina” në Tv Klan momentet më të vështira të jetës së tij personale.

Fadil Berisha: Pastaj vjen një moment kur unë nuk kisha asnjë ndihmë dhe po punoja tre punë që të mbaja shkollën. Momenti kur isha me një fëmijë dhe një grua, nuk paguaj dot qeranë dhe më largojnë nga shtëpia dhe u ktheva në shtëpi, ishte një ngelje aq e madhe në jetë dhe si person, rashë në depresion për 6 muaj derisa u forcova.  Dhe pasi u forcova thashë “kam vuajtur shumë” dhe pasi u ktheva, m’u kthye e gjithë puna, thashë “ku ka qenë gjithë kjo punë?”

Por çasti tjetër do të ishte takimi me të atin, pikërisht kur ai po jepte frymën e fundit.

Fadil Berisha: Babi po vdiste në atë kohë dhe kishte thënë që “nuk do të të flas më, ta dish se ç’po bën”. Por kishte dëgjuar nga mami që i kisha punët mirë, që kisha një shtëpi me tre dhoma gjumi dhe kisha sukses. Nuk donte të vdiste para se të ma jepte lirinë. Nuk më shihte në fytyrë, por shihte në mur sepse kisha qenë gjithnjë kundër tij, për të ndryshuar botën. Më ka dashur shumë, por isha rebel. Më tha “si është ai biznesi yt?”, i thashë “oh ba jam në studion më të madhe në Nju-Jork, kam tabela gjigande, mora apartamentin tim”. Tha “kjo punë është shumë interesante, e gjithë familja nuk të ndihmoj, por ta mbylli dhe kurrë nuk e le. Zoti do të të ndihmojë dhe ty”. Kam qarë dhe qaj vazhdimisht kur e them këtë gjë./tvklan.al

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇELET NË TIRANË EKSPOZITA E FADIL BERISHËS DHE MISS UNIVERSE SHQIPËRIA, INA DAJÇIT

“What I Saw” është një ekspozitë mbi talentin shqiptar dhe një manifestim kulturor që ka për autorë: fotografin me famë botërore Fadil Berishën dhe të posashpallurën Miss Universe Albania 2021, Ina Dajçin.

Në spektaklin e 9 korrikut Ina Dajçi për Shqipërinë dhe Tutti Sejdiu për Kosovën u shpallën fituese dhe këto dyja do të përfaqësojnë vendet e tyre në Miss Universe 2021.

Në ekspozitën që u çel në Muzeun Historik Kombëtar, dy emra të njohur në botën e spektaklit dhe modelingut, Fadil Berisha dhe tashmë emri i ri, Ina Dajçi, kanë krijuar një duet dritash, ngjyrash dhe emocionesh.  

Ekspozita në ambientet e Hollit Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar do të qëndrojë e çelur deri më 20 korrik.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult